Kryesore

Rrëfim për Atdheun e kujtimeve

               Publikuar në : 09:59 - 21/04/21 liberale

Kolana UETPRESS – 15 vjet

Autor: Vladimir Myrtezai

Titull: Atdheu si Dasanta H.

Ky është rrëfimi i një njeriu, që e kundroi kohën si shans në postimet dhe arratisjet e fantazisë, duke besuar se do ishte një dëshmitar me vlerë, ku herë si objekt dhe herë ndërsjelltazi, do ishte brenda ngjarjes në mënyrë fatale, me besimin se po e jetonte botën si ëndërrimtar. Por jo nga ata ëndërrimtarë të fortë, që vijnë e ndryshojnë botën në lidhje me vlerën për ta jetuar atë përmes cilësisë; një ndërgjegje e ngarkuar me përgjegjësinë që e merr realitetin si shkas të veprës së tij. Një njeri që nuk kish lidhje me punën, rregullin, ligjet, hierarkitë, as me pemën e familjes; por si një formë, shtjellë e mbarsur me fotografimin e kohës, që më shumë se e mësuar është një e dhënë natyrale e stampuar de facto. Ky njeri mendon se e ka sjellë fati në atdheun e tij (zonë e frymë krijuese) si pasqyrë të kundër-kohës, për të rrëfyer e artikuluar në mos veten, shoqërinë. Për fat, në “atdheun” jo shumë të rregulluar në strukturë, po të dekontraktuar në ngërçe historie (si forma zhvillimi), që si e tillë iu afrua ta jetonte me vëmendjen më absolute që meriton një jetë njerëzore! Nëse ky personazh i rrëfyer do ishte një bimë, me patjetër do mbinte rrëzë një sqolli ku lahen enët dhe qarkullojnë ujëra. Një njeri që kur haste në realitete arti i dukej sikur i kishte jetuar më parë; dhe, në të kundërt, kur hynte në soditjen e gjallë të natyrës, i shëmbëllehej vetja sikur po panoramonte një vepër arti live. Për fat, ky njeri e ndjen veten të ambalazhuar nga koha e tij, si një mundësi unike për të lëvizur brenda një lënde të fshehtë e të kodifikuar me hapje konkave për nga mbyllja dhe fshehtësia e hershme për t’u shndërruar, më pas, kah koniciteti, kah hapja e danguar si njollë drejt së panjohurës nesër.

Një shenjë ndërgjegjeje si një zonë e kulluar dhe e paprekur nga të gjallët, por e projektuar më vonë po për ta. Ky realitet i dyfishtë i ngjan dhe i puthitet çdo krijuesi që duket si i mbivendosur mes njerëzve, i panatyrshëm dhe në shumë pika pamjeje herë naiv, herë demode e jashtë kohe, e herë si përjashtim i të dyjave në një padallueshmëri në rrafsh krejt të ulët në shestim. Por të gjitha zerohen nëse ky frymor nuk do shfaqë natyralitetin e tij, formën e hapur për t’u shprehur me zë jo të lartë, por e zezë në të bardhë, për të dëshmuar kësisoj atdheun e tij parak: artin, apo formën iluzive (ku nuk i jepte llogari kurrkujt), për të cilin u investua jo si zgjidhje e çështjes, por si zgjedhje e saj; për të shënjuar në kohë në të gjitha trajtat e shquara që i afroi fati i të qenit i pranishëm. Ky njeri e bën këtë gjë, pasi nuk ka mundësi të tjera veç këtij fakti dhe një mundësie natyrale për të vrojtuar e qenë mes jetës. Sërish me ndrojtje e në një mundësi të pamundur për të jetuar një përvojë krejt tjetër në lloj: pamundësinë si projektim i tij për të jetuar, për shembull, një dimension të humbur e të pafat – luftën. Gjërat e mëdha të rrisin, të voglat të shtojnë kureshtjen, ndërsa arti të zhvendos herë nga njëra e herë nga tjetra./Autori

Fragment

Të dielat

Dita më ekzaltuese në shtëpinë e Tafilicëve qe e diela. Muri në anë të shtëpisë ishte i mbushur me një jeshile dehëse e mjaft të butë. Shermashekët qenë të ndezur dhe dominues, saqë aty-këtu mezi dalloje gurët e rrumbullakët që kishin zënë myshk anash tyre. Tri gratë e shtëpisë me fustane të thjeshta basmeje e me llërat shpërvjelur bënin ushtrime force mbi lugun e gurtë, teksa lanin rrobat e javës; një ritual i përjavshëm tashmë në shtëpinë e madhe.

Cici, një katarosh i kuq, me një qurosje të zgjatur miklonte skenën, hidhte ndonjë batutë ndërmjet goditjeve me pirajkë të rrobave mbi lugun e gurtë. Qe hare e pastër mëngjesi në shtëpinë e Tafilicëve. Shtëpia qe zgjuar dhe aty-këtu dëgjoheshin hapa dhe përplasje dyersh. Te porta e madhe kish zënë vend im atë, Sula, me komshiun e sipërm Gjysho Bendaj. Im atë kish një krifë flokësh të ngritur lart dhe një tis gri në mjekër, që si e diel e kish toleruar pa prekur. Thithnin nga një duhan dhe hidhnin, si vjedhurazi, me kënaqësi, ndonjë shikim mbi gratë që lanin rrobat. Dritaret e brendshme të shtëpisë ruanin sytë kuriozë të Totës, që dukej si i palumtur, pasi e ëma, Kimetja, nuk i kish lënë gati mëngjesin. Fakti që nuk bënte zhurmën e zakontë ishte ngaqë ai kishte përmjerrë në rroba dhe priste stuhinë e fjalëve mallkuese, kur e ëma e tij e leqendiste, dhe ndërkaq rrinte si një maçok i murrmë e i përgjumur në pritje. Të tjerët po mërzenin si të shushatur prej zgjatjes së të qenit ende në gjumë, përveç Skënderit, djalit të Bules, që kaloi me shpejtësi për të dalë në pjacë, në pikën e vrojtimit, ku ruante të ardhmen e tij: ëndërrimin e zgjatur për të shtënë në grackë ndonjë zoçkë. Gjysho Bendaj ishte një njeri shumë i veçantë; ishte shëndetlig dhe me një tejdukshmëri trupore gati të frikshme. Vuante nga një sëmundje e paralajmëruar kronike. Ishte organizuar në ushtri si ushtarak dhe uniforma i jepte një solemnitet të heshtur, pasi brenda saj qe një njeri delikat. Ishte nga ato raste të pamjaftueshme për të mëkëmbur një krahasim ekstrem, pasi kishte një lidhje për fat jo të mirë me krahasimin. Por, Gjyshoja qe njeri me dritë dhe i komunikueshëm, shumë gazmor. Fakti që të gjithë e shihnin si në zgrip të ekzistencës e bënte edhe më delikate gjendjen dhe raportin e të tjerëve me të. Nuk më kishin zënë sytë një nemitje kaq të ngulitur në të gjithë qenien e tij, saqë më vinte keq qoftë edhe kur e sillja ndërmend. Një person që më dukej krejt pa vese, si pamundësi e njeriut që vetëndërton dita më ditë ekzistencën. Kurse gruaja e tij, Mysereti, qe një grua mjaft e shëndetshme, gazmore dhe e gjallë.

Të rrahurat e rrobave me pirajkë ishte artikulimi i përjavshëm i grarisë. Ishte një akt që lidhej me instinkte tipike natyrore. Për çudi ndihesha i cytur nga ky lloj gjestikulimi trupor i grave më të reja të shtëpisë, të cilat shquheshin për një hare të allasojtë. Dukej si një film dëng me karaktere dhe ngjyra nga një shtresë krejt heterogjene origjinash shumë prekëse, se si në një banesë të veçantë ziente jeta me të gjitha aromat e saj.

Më ishte ngulitur në mendje një skenë e tillë dhe mjaft skena të thjeshta plot kurm e palcë njerëzore, që më bënte një përshtypje të jashtëzakonshme.

***

Diçka abstrakte bënte pjesë te melodia e butë që përhapej në formë valësh. Ishin të dielat e fëmijërisë së largët, të bukura e të pezullta, që vareshin në ndërgjegjen time plot lumturi të pashqitshme, të përputhura si retë në qiell – jehonë harmonie.

Një lloj lëngu njerëzor, si rezervuar lumturie, me aroma të largëta trëndafilash e jargavanësh.

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back