Aktualitet

Rrëfim i rrallë i Rikard Ljarjas: Ju tregoj jetën time larg skenës...

Shkruar nga Liberale
Rrëfim i rrallë i Rikard Ljarjas: Ju tregoj jetën time larg

Dashnor Kaloçi

Në shenjë homazhi për ndarjen e parakohe nga jeta të aktorit dhe regjizorit të madh të kinematografisë shqiptare, Rikard Ljarja, i cili u ndërroi jetë mbrëmjen e sotëme nga një sëmundje e rëndë, Memorie.al po publikon një intervistë që ai e ka dhënë disa vite më parë, për gazetarin e mikun e tij, Dashnor Kaloçi.

Vite më parë portreti i tij ka qenë vazhdimisht i pranishëm, si në Kinema ashtu dhe në Televizionin e vetëm të asaj kohe. Madje, aq i pranishëm sa që në vendlindjen e tij, në qytetin e Shkodrës, në ato vite filloi të qarkullonte edhe një barsaletë për të. Kështu, kur dikush e pyeti një shkodran sa vëllezër bëheshin në shtëpi, ai iu përgjigj: “Bashkë me Rikard Ljarjen, bëhemi pesë!”. Ndonëse si shumë barsaleta të tjera që dilnin asokohe në Shkodër, edhe ajo nuk ishte pa gjë brenda, duke e pasur shumë të qartë nëntekstin, prap se prapë ajo anekdotë përcillte një realitet mëse të vërtetë. Dhe ai realitet kishte të bënte me faktin se aktori i famshëm me origjinë nga Shkodra, me lojën dhe portretin e tij të veçantë, kishte pushtuar i tëri si ekranin e kinemasë ashtu dhe atë të televizionit. Por të gjitha këto, së bashku dhe me atë barsaletë, tashmë i përkasin një kohe të shkuar, që e shumta mund të kujtohen vetëm nga një nostalgjik i humorit të famshëm shkodran dhe askush tjetër. Madje, ai ka filluar të harrohet, ndonëse në këtë moshë dhe me po kaq vite karriere kolegët e tij në vende të tjera të botës fillojnë të bëhen të njohur dhe të marrin famë. Të gjitha këto tashmë i ka “përtypur” dhe që prej vitit 2002, kur nuk i dhanë më rrogë në TVSH, ku punonte si Drejtor Artistik, ai e ka ndryshuar pothuaj të gjithë rrjedhën e jetës. Nuk punon më si dikur, nga 10 deri 12 orë në ditë për rolet e filmave, por nga 3-4 orë në kopshtin e shtëpisë së tij në qytetin e Shkodrës, ku shkon vazhdimisht nga dy-tri herë në muaj, për të qëndruar nga tri-katër ditë.

Zoti Ljarja, si e kujtoni futjen tuaj në kinematografi?

Me artin unë jam marrë që në moshën 6-vjeçare, kur dy prindërit e mi, me mendimin për të më dhënë një kulturë të përgjithshme, më kishin futur në rrethet muzikore, për piano. Por edhe pse studiova për shumë vite në muzikë, madje duke qenë një muzikant jo i keq, duke arritur deri në orkestrën simfonike të Prenk Jakovës, si fagotist, kur mbarova gjimnazin më 1960 më doli e drejta e studimit për Matematikë-Fizikë. Natyrisht këtë gjë nuk e pranova, pasi ëndrra ime ishte që të bëhesha aktor.

Ç’lidhje kishit me profesionin e aktorit, kur ju thoni se jeni marrë me muzikë?

Në një intervistë nuk mund të thuhet e gjithë jeta… Në atë kohë që unë isha gjimnazist dhe merresha me muzikë Teatri i qytetit të Shkodrës në muajt e verës jepte shfaqje nëpër fshatra. Për të plotësuar numrin, ata më merrnin mua si muzikant, për t’i shoqëruar gjatë skeçeve të ndryshme. Kështu, ajo gjë më pëlqeu shumë dhe unë mezi prisja të futesha në shkollën e aktorëve, ku, pasi konkurrova, fitova.

Pas diplomimit, cili është roli juaj i parë në kinematografi?

Roli im i parë është mësuesi (Dritan Shkaba), te filmi artistik “Komisari i Dritës”, film që pati shumë sukses, pasi iu bë jehonë e madhe nga shtypi dhe m’u hap rruga për më tej.

Kush ua caktoi atë rol?

Atë rol e fitova me kinoprovë, mes 15 konkurruesve, ku ndër ta kujtoj Guljelm Radojën, Viktor Zhustin e Mark Topollajn. Përveç atij roli, unë ndihmova rastësisht edhe për rolin e priftit, pasi mungonte i madhi Ndrek Luca. Por kur i pa ministri Fadil Paçrami, pëlqeu më shumë atë të mësuesit, duke thënë: “Ky bëka për komisar”.

Gjatë gjithë karrierës suaj, sa role keni në Kinematografi dhe Teatër dhe kë vlerësoni si më të arririn

Sinqerisht që nuk i mbaj mend. Mund të jenë mbi 30 role në Kinematografi dhe po kaq në Teatër. Unë nuk mund të veçoj asnjë rol, pasi të gjitha i kam luajtur me qejf. Është shikuesi ai që jep vlerësime për aktorët.

Ndërsa në kinematografi tashmë jeni i njohur, në Teatër pothuajse jeni i panjohur?

Nga viti 1965 deri më 1973, kur erdha në Tiranë dhe fillova punë si aktor-regjisor në Kinostudio, kam luajtur rreth 30 role në Tetarin “Migjeni” të Shkodrës, ku pjesa më e madhe ishin role kryesore. Por në atë kohë televizioni ishte në hapat e parë dhe kështu që brezi juaj nuk më mban mend si aktor teatri.

Gjatë gjithë karrierës suaj artistike, a keni pasur raste kur jeni ndier vërtet në vështirësi?

Jo, nuk mbaj mend të kem kaluar raste të vështira në karrierën time artistike.

Kur u larguat nga Kinostudio dhe si e keni përjetuar?

De jure nga Kinostudio jam larguar më ’96, kur shkëputa marrëdhëniet financiare që andej, por de facto ajo gjë kishte ndodhur që më 1990, kur Kinostudio nuk kishte më mundësi financiare të bënte filma. Nisur nga ky fakt, largimi im nga bota e flimit erdhi disi i butë, pasi nga aty fillova detyrën si Drejtor Artistik në TV Shqiptar.

Çfarë do të quanit gabim për periudhën e para viteve ’90, kur ju keni qenë në Kinostudio?

Gabim mund të quaj rritjen e përnjëhershme të prodhimit kinematografik nga 3-4 filma, në 14. Mundësia e pakët për ta përballuar atë gjë, solli edhe filma të dobët. Por, në 380 e sa filmat, që janë bërë atëherë, ka vlera të mirëfillta artistike.

Po nga Televizioni Shqiptar kur dhe pse jeni larguar?

Në fillim të 2002-it, kur shkova për të marrë rrogën më thanë se nuk kisha rrogë për të marrë. Sipas një nëpunëseje, isha larguar me dëshirën time. Pas kësaj u largova pa u ankuar tek asnjeri, pasi e kam respektuar gjithnjë shtetin. Me largimin nga TVSH, mbas disa kohe, unë dola në pension.

Nuk e vuajtët largimin në atë mënyrë?

Jo, vetëm më bëri përshtypje etika me të cilën u sollën.

Me siguri merrni pension të veçantë, si artist?!

Jo, se nuk jam “Artist i Popullit”, jam vetëm i “Merituar”. Paska ca ligje…

Që nga ajo kohë kur dolët në pension e aktualisht me çfarë merreni?

Shumë pak me thashetheme…Vazhdoj historinë e lashtë të të shkruarit, pasi përveçse si aktor e regjisor në 12 filma, kam shkruar herë pas here edhe skenarë që janë bërë filma. Gjatë gjithë jetës kam shkruar.

Pse nuk keni botuar?

Për njëqind e një arsye, nuk kam botuar.

Po librin “Në një humbëtirë këtej rrotull” pse e botove?

Po për njëqind e një arsye.

Mund të na thoni një…?

Në dorëshkrim, atë libër e kishin lexuar disa miq të mij, të cilët më kërkuan ta botoja.

Përse nuk botoni përsëri?

Kam frikë.

Nga kush?

Më shumë nga vetja.

Po përveç shkrimeve me çfarë merreni?

Ku e di unë… Shkoj në Shkodër, tek shtëpia ime, dhe mbjell qepë, hudra, tulipanë, trëndafilë etj. Në kopshtin tim punoj nga katër-pesë orë, pasi më merr malli të shkel në tokë zbathur.

Po të të thërrasin përsëri në role, a do pranosh?

Varet nga nga roli, nga regjisori dhe nga teatri, sepse sot unë nuk kam më kohë të vrapoj pas një grushti parash dhe të turpërohem.

Si i vlerësoni filmat shqiptarë të pas viteve ’90?

Nuk i kam parë, sepse nuk janë shfaqur për publikun

Ljarja: Sot njerëzit më pyesin, akoma në shtyllë ti?

Aktori i famshëm i kinematografisë shqiptare, Rikard Ljarja, që dikur pati pushtuar ekranet e kinemasë dhe televizionit, që prej fundit të viteve ’90-të, kur Kinostudio “Shqipëria e Re” pushoi së prodhuarai filma, nuk ka marrë asnjë rol si aktor në kinema. Megjithatë, ai thotë se: “Biçikleta dhe profesioni nuk harrohen kollaj”. Ka vënë në skenë shfaqje në Teatrin Kombëtar, dhe në atë të Prishtinës, dhe ka interpretuar edhe si aktor në skenë. Ka bashkëpunuar edhe me IFEF (shoqatë amerikane) për një skenar. Po kështu, para disa vitesh ai bëri një reklamë brilante për AMC-në, aq sa edhe sot ai thotë se shumë nga njerëzit, që e njohin apo nuk e njohin, e ndalojnë në rrugë dhe i thonë: “Akoma në shtyllë ti…”?! Madje, ata e pyesin pse i ka munguar prej kaq vitesh skenës dhe ekranit e i kërkojnë që të dalë përsëri atje, si dikur,…, sepse u mungon./Memorie.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH