Pas më shumë se 4 muajsh pas ngjarjes së rëndë që shokoi mbarë opinionin publik, Blerta Josifi, rrëfen tragjedinë e madhe, ku humbën jetën nëna dhe motra e saj, Zhaneta dhe Anisa. Blerta tregoi çaste nga e kaluara e saj në Përmet, si dhe atë se çfarë bën tani, pasi humbi nënën dhe motrën.
“Dita ime tani është normale. Dal. Jam me të afërmit e mi. Po kërkoj për një punë. Në spital u gjenda mes njerëzish që u kujdesen mirë për mua, ndenja rreth një muaj në spital, tani vazhdoj akoma me kurim. Dita ime tani, bëj punë shtëpie, rri me të afërmit, po mësoj anglishten.
Ne kemi qenë vajza të gëzuara, e donim jetën, çfarë ndodhi më pas ishte fatkeqësi. Me kishën u lidhëm 13-14 vjeç, kemi pasur përkushtim të madh, e kishim marrë seriozisht, nuk shkonim sa për të kaluar kohë. Pastori i Kishës Ungjillore në Përmet dhe të tjerë si dhe shoqja ime e ngushtë ishim një grup i mirë.
Isha 18 vjeç, kur humbëm babin, këtu nuk na pëlqeu, Tirana kishte shumë zhurmë, edhe këtu shkuam në kishë ungjëllore. Unë tani bëj 20 vjet si besimtare që në vitin 2001. Ne u izoluam se do donim të ndiqnim besimin për pak kohë.
Nuk është e vërtetë që na tërhoqi mamaja, unë dhe Anisa e benim në mënyrë autodidakte, në fillim menduam ta bënim vetëm për pak kohë. Ne lexonim shumë. Unë u izolova e para, por jo aq drastike sa Anisa, Anisa e nisi shumë drastikisht. Gjërat ndodhën dhe s’di ta shpjegoj , kam pyetje dhe vetë që s’di t’i shpjegoj.
Kemi besuar deri në fund që Anisa mund të rikthehej sërish tek ne. Në maj vendosëm që të mos dilnim për të blerë ushqime, në qershor nisëm agjërimin si një lutje që Zoti të na dëgjonte. Sepse edhe Anisa kishte shumë dhimbje dhe vuajtje”, rrëfeu Blerta në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel.
Ngjarja ndodhi në 2 korrik, në një banesë në zonën e Kombinatit u gjetën të pajeta nënë e bijë, Anisa dhe Zhaneta Josifi, ndërsa e mbijetuara e vetme ishte vajza tjetër Blerta Josifi. Viktimat kishin humbur jetën pas ditëve të tëra pa u ushqyer, me arsyen për t’u ringjallur.