Letërsi

“Rrathë të brendashkruar”, një Maratonomak me mantel Sizifi, por...

Shkruar nga Liberale

Shqiponja Axhami Trota

Kur mora në dorë librin “ Rrathë të brendashkruar”, akoma pa lexuar faqen e parë ndjeva një ndjesi frike. Nuk e shpjegoj as vetë sesi më ndodhi, por m’u kujtua vetja, kur isha vetëm 10 vjeç. Kishim një tryezë në formë rrumbullake me ngjyrë të kuqe. Tryeza nga pas kishte disa sirtarë me libra( të vëllait tim). Unë rrëmoja në to ngutmas, vëllai disa herë më kishte thënë të mos i lexoja (nuk ishin për moshën time). Gjithsesi zgjidhjen e gjeti ime motër, e mbuloi me një mbulesë më qëndisma, që vinte deri në fund te dyshemesë. Kështu që të hyje në sirtarët pas saj, u bë e vështirë. Mund të zhubrosje mbulesën dhe të thyeje një kavanoz me trëndafila sipër saj, për t’i arritur librat. Ishte mësimi i parë që mora se nuk ishte e lehtë t’i arrija librat…

Ndoshta nga titulli “Rrathë të brendashkruar” a nuk e di pse, por për disa minuta përpara se ta shfletoja librin, humba. Ndjej të them, se në fund të leximit e zbulova lidhjen instiktive që më ktheu prapa në kohë, tek ajo tavolinë rrethore …

1. “Jemi ne, dhe jo statujat!”  ( Cikli i katërt)

Duke më krijuar imazhin e një rrethi që nuk ka fillim dhe fund, nisa ta lexoj këtë libër nga fundi.

M’u shfaqën “Alpet”. Udhëtimi i njeriut, poetit, ka një mision që ngjet me misione hyjnore, por që lëndohet në rezonancat fatkeqe të të kundërtave. Ky udhëtim ka derivat një vetmi të madhe, tek e cila gjithsesi ndihen forcat e mëdha të delirit. Ti mbetesh një gur, (me gur ndërtohen kalatë, urat, qytetërimet…). Një gur në bardhësinë marramendëse, shoqërohet nga një masë amorfe, kryeneçe ndaj mjeshtrave të ligë dhe që ngjit vetëm në duart e muratorëve të denjë. Ky do të ishte misioni i përkyer i poetit, i artit; vënia në shërbim të së mirës, së bukurës, vërtetësisë së vërtetë.

Por tani që arrite ndien vetminë e madhe.

Alpet qenkan vetmi. Tani që je më afër qiejve,

…Tani që ti je vetë një pjesë e Alpeve,

Një gur në bardhësinë marramendëse

Një gur për t’u përdorur jo nga muratorët e ligë,

Pa arritur në alpe udhëtimi i tij ka qenë kërkues. Ai gjerb herë pas here mbi enigma, të cilat përpiqet t’i arsyetojë, t’i argumentojë. Ai është humbës dhe fitues njëkohësisht, shkurt ai është njeri. Të qenurit i thjeshtë në të përbërën më absolute është kriter i poezisë së vërtetë. Përmes detajeve të thjeshta, poeti kumton të përbërën, duke u orvatur t’i ofrojë vetes dhe njerëzimit, atë që është e vërtetë. Ai di, por jo pa qëllim, në formën e lutjes, pyet…

Ndaj, ju lutem , prapë ju pyes;

Mos ka gjetur kush një botë?

Bota e tij ka nisur të krijohet herët, në rrethana jolehtësuese, që në fëmijëri. Në lojërat e trishta të imitimeve me shpata, në lojërat ku imitonin mbretëritë, luftërat…

Kjo botë i krijohet mes dy paraleleve, të tij dhe të të rriturve. Ai vonë do e kuptojë që në këto lojëra lëvrinte një e vërtetë e përvëluese( loja me historinë). Ndaj poezitë në këtë vëllim bashkojnë me një lakore të gjithë elementët e një lëvizje, hierarkia e së cilës herë qëndron vertikalisht dhe herë përmbyset.

Ku ta dinim se të rriturit na shihnin me trishtim

Vetëm e vetëm se loznim me historinë?

Ky udhëtim me një lojë shpatash të ndryshkura duke lozur me vetë historinë, do të ishte i mundur , i pamundur, i trishtë dhe i bukur njëkohësisht. Njeriut të rritur në këto rrethana do t’i duhet të presë një jetë që të kuptojë se në këtë botë nuk kanë rëndësi statuset, nuk kanë rëndësi ndarjet, nuk kanë rëndësi kornizat. Rëndësi ka vetëm e bukura, e vërteta, deliri, liria. Në poezinë “Dialog i pamundur”, gjejmë atë që është një preokupim i zakonshëm i këtij poeti, subjektivizimi i konceptit të kohës. Koha pa fillim dhe pa mbarim. Vdekja e të jatit ka bërë që ia të arrijë një ditë të jetë në një moshë të barabartë me atin, duke e ftuar atë në një udhëtim romantik (shohim hënën, lahemi në lumë, peshkojmë, lavdërojmë, i thurim himn vdekjes). Kjo poezi është Anti-Frojdiste, po aq sa ç’është Antifrojdist “Hamleti”. Babai është modeli i domosdoshëm i burrit!

…E di që nesër ai do të jetë i ndrojtur para meje,

si para një njeriu më të madh në moshë,

Dhe do të kërkojë që të vdesë prapë.

Ndjeshmëria ndaj një brezi që ditën të duan në përjetësi dhe ecin moskokëçarës në një botë gati të huaj, të mbushur me hipokrizi, i jep vëllimit nuanca nostalgjie. Një nostalgji që nuk ka të bëjë me thjesht nostalgjinë naive, por thellë-thellë me një thirrje drejtuar të tërës.

Fare rastësisht i pashë

Këtë mbrëmje të kapur për dore.

Nuk donin t’ia dinin për asnjeri;

Qenë tepër, tepër pleq të dy.

Më të bukurit ishin nga të gjithë të tjerët,

Askush nuk guxonte të barazohej me ta.

Edhe në momentet e imagjinatës skajore dhe meditimit, poeti prapë sjell bindshëm perceptimin e thellë filozofik të qasjeve. Veprime të thjeshta të jetës, bartin një peshë të madhe. Të kthesh të thjeshtën në të përbërë, është po prapë veçori e poezisë më të mirë bashkëkohore:

Dy-tre ujq i ulëritën llambës së dhomës

– konfuzion i natyrshëm me hanën.

Një ortek m’u afrua për ta përdorë si nënkresë,

Ndërsa kaprojt’ filluan të ndjekin në TV

Lajmet ma të fundit me të vrarët dhe bursën.

Në mëngjes herët, si të thuash, me gjelat e parë,

Ikën. Pa thënë lamtumirë, madje pa kthyer kokën pas.“

“Jemi ne, jo statujat”, është rrënja dhe sythi prej të cilave rrjedhin të gjitha poezitë e mëpastajme, si kërcej, si degë, si frut (një frut i përjetshëm, majë alpesh).

Në vetëm disa vargje, shfaqet gjithë jeta jonë, dëshirat, idilet , zhgënjimet, pritjet ( duke pritur prapë kthimin e argonautëve). Statujat ngrihen për të lavdishmit, por mbeten gjithsesi imitime. Ngritja dhe thërrmimi i tyre jemi ne, të lavdishëm a të palavdishëm, nuk ka rëndësi. Të gjithë të dorëzuar enigmës; jetimit të një jete tjetër.

Nuk janë statujat që thyhen në copëza. Jemi ne.

Në fragmente ëndrrash, dashurish, luftërash, urrejtjesh,

Hedhur në cepa kontinentesh, duke pritur prapë kthimin e argonautëve;

Me këmbët në lumin Drin dhe me torson e zhytur në thellësitë e Paqësorit,

Shohim sirenat e detit pa arritur kurrë të dëgjojmë këngën e tyre,

Shohim nekrologjitë në mure pa i parë kurrë të vdekurit.

Nuk dua të hyj në analiza të tjera më të thella që u takojnë kritikëve, por poezitë e këtij vëllimi janë poezi të perceptimit duke zhbiruar deri ne sinapset më të fjetura, ndërgjegjen.

Në poezitë e këtij vëllimi, cilido lexues qoftë ai, i thjeshtë, qoftë elitar, mund të nuhasë dhe të marrë përçimin e një mesazhi filozofik, por jo në mënyra imponuese, por me mënyrën më njerëzore; të bërit e momentit dhe të qasjes më të thjeshtë, Art.

“Ne kemi artin për të mos humbur nga e vërteta”. Kjo e fundit është e shëmtuar, por kur sillet mjeshtërisht dhe me një qasje krejt unike, të shtyn ta njohësh.

Këtë libër mund ta fillosh në cilindo kapitull, në cilëndo poezi dhe do ndjesh vorbullën e disa rrathëve që të tulatin në të gjitha kthinat e jetës.

Ndaj u binda, përse, kur lexova titullin, “ Rrathë të brendashkruar” ndjeva atë ndjesi që kam ndjerë dikur përpara gjësë së rrumbullakët me emrin tavolinë, që prej frikës së futjes në labirintet e saj më shpëtoi motra me mbulesën me qëndisma , ndërsa nga “Rrathë të brendashkruar” nuk të shpëton askush, përveç një leximi i vëmendshëm, përmes arsyetimit dhe bindjes së skajshme që ia vlen.

2."Prilli i zemrave tona” ( Cikli i Tretë )

E varur me kokë poshtë si një lozë kryeneçe kungulli vazhdoj të lexoj përsëri mbrapsht “ Rrathë të brendashkruar”(domethënë pas ciklit të katërt, të tretin), “Prilli i zemrave tona”. Gjithë jetën shumë gjëra i kam bërë mbrapsht (kodrinën me boronica e vilja nga maja drejt fundit). Ndjej të them me sinqeritet, se këtë libër duhet ta lexojë çdokush prej nesh që pretendon që ka lindur poet, ose do që të bëhet i tillë. Kjo bindje m’u përforcua edhe më shumë pas ciklit “Prilli i zemrave tona“, ku duket qartë dhe vjen si një breshëri meteorësh, një tufë këngësh mbi dashurinë. Në secilën prej poezive ndihet një kahje e veçantë e përjetimit të ndjenjës, duke i dhënë kësaj të fundit përmasa të jashtëzakonshme. Në prillin e poetit gruaja dhe dashuria për të, jetohen në kufij të paimagjinuar. Dashuria bëhet dhe ribëhet me mijëra herë, duke sfiduar timbrin e fjalës së përjetshme me një timbër akoma më të fortë të pavdekshëm.

Kompleksi fatkob i kësaj bote, parashikimi i orakujve, labirinthi i padeshifruar i krijesave të detit, janë të papërfillshme për poetin. Ai i sfidon ato duke e bërë dhe libër dashurinë e tij. Edhe pse kjo dashuri, për të është e përcaktuar nga orakujt lart, si një profeci dhe plagë.

O grua që të ndesha në fatkobin e kësaj bote,

Veç dashuria nuk mund të parashikohet dy herë nga orakujt prapë.

Dhënë përmes shkallëzimit herë rritës, e herë zbritës, rrathët e dashurisë në këtë cikël përshkojnë trajektore të mahnitshme, nga shkuma e detit, tek livadhi me pemë, tek lulet pa forma gjeometrike, gardhe të padukshme, kuaj, kalorës, etj. Çdo segment i këtij shkallëzimi ka një rëndësi dhe peshë të veçantë në të kuptuarin e thelbit të poezive. Për poetin ky livadh është arenë e përjetshme lufte, pa humbës dhe fitues, sepse ai është i bindur që do të jetë gjithë jetën një kalorës i çmendur, i destinuar përjetësisht të presë betejën e fundit.

Qëndrojmë përballë njëri-tjetrit, të përzënë që të dy nga Parajsa,

Të gatshëm për betejën e madhe ku nuk ka asnjë humbës,

Në Ferrin tokësor të dashnisë, në livadhin tënd me pemë si poema të lexuara!

Poezitë e këtij cikli i kalojnë përmasat e njerëzores. Dhimbja dhe mungesa, për poetin i kalon kufijtë e përditshmërisë së çdo lloj mungese, duke i dhënë kahjen më të fuqishme, atë të mbinjerëzores : zotave.

Po kështu zotat e lashtë hutueshëm do ta kenë ndier humbjen

Pasi e krijuan botën.

Duke treguar dialogje me personazhe mitikë, zota, orakuj, qenie mitologjike. Duke pikturuar me fjalë peizazhe të magjishme, përmes një leksiku të përzgjedhur dhe me peshë, rrethohesh nga panorama e një bote, të një kalorësi që ka udhëtuar gjatë dhe di fort mirë se si t’i japë nuanca dhe perceptime filozofike vargut, pa e sforcuar atë.

Fati

Më thotë Ovidi,

Nuk e ka jetën e gjatë.

…Nga malet mistike të kujtesës zbret trishtimi!

Askush nuk shkon gjëkundi, nuk ka asnjë cak.

Përmendja e personazheve historikë i jep prapë një orvajtje ndryshe të perceptimit të dashurisë. Lavditë u mbeten fitoreve të luftërave , mbretërive, sundimeve, por për poetin lavdia e aktit të dashurisë është e mjaftueshme.

Vënia e dy paraleleve, mes një personazhi historik si Napoleoni, me dashurinë, është një gjetje tipike në këtë cikël me poezi. Asnjë pushtet nuk ka forcë më shumë se një dashuri e vërtetë, e cila në çdo rrethanë krijon ishullin e saj të shpëtimit.

Nuk erdhëm në Korsikë të joshur nga lavdia e Napoleonit;

Lavdia e aktit të dashurisë është e mjaftueshme. Të mbrojtur nga ujërat

Lakuriqësia jonë është më e shkujdesur, më pak e kompromentuar.

Për poetin, heroi lirik dhe dashuria e tij shkojnë përtej çdo perceptimi dhe imagjinate deri në kufijtë e rikrijimit të botës. Rrallëkush deri më sot i ka dhënë një forcë kaq të madhe dashurisë, duke e shtegtuar atë nga shkuma e detit, livadhi, orakujt, zotat e deri tek varka e Noes. Të rikrijosh botën në emër të dashurisë, ky është misioni i artit të vërtetë.

Askush nuk na vë re këtë radhë.

Zemë vend në dhomën më të madhe të varkës së Noes,

Gati të fillojmë krijimin e botës.

Dashuria në këtë cikël injoron dhe konceptin kohë. Dashuria, ashtu si Vdekja, është të rënit jashtë Kohe. Sepse Koha është për Poetin një gardian që e survejon dashurinë, një gardian burgu i paragjykimeve a gjykimeve të njerëzve të një kohe, a një gardian i kufizimeve kalendarike ditë-natë, muaj-vite, moshë e vjetër a moshë e re, përpjeka patetike e njeriut për ta kontrolluar dhe mbajtur kohën me anë të Orës dhe Kalendarit, për të mos folur për zinxhirët e kohnave ideologjike (koha e jonë, koha e tyre, kohë mizore, kohë e lumtur, kohë lirie -kohë shtypjeje), kur vetë dashuria i përket të gjitha kohërave, dhe në çastin kur dashuria zhbëhet, të dashuruarit bien, rrëzohen në Kohë, i nënshtrohen prapë gardianit të burgut-Kohë, po ashtu si dhe ai i burgosuri që ka arritur të arratiset nga burgu dhe ka shijuar lirinë, kapet dhe rikthehet në qelinë e vet të zymtë…

Mos pyesni për vitet, për muajt dhe javët,

Dashuria na kish mbajtur sa larg kësaj bote,

Derisa një ditë ramë në kohë, larg nga njëri-tjetri,

Me kalendarët dhe orët që na përgjojnë nga çdo qoshe.

Për të çuar deri në kahjet më të kthinta forcën e tij në emër të dashurisë, autori në labirinthet e udhëtimeve të dëlira që bën heroi i tij, e kryqëzon atë përballë abstraksioneve të fenomeneve natyrore që ai u jep gjuhën e njerëzve. Një kulm tjetër i artit poetik të kësaj vepre është Njeriu i dashuruar, i cili natyrshëm kthehet në simboliken e vetë Krishtit, në kryqëzimin e qenies njerëzore sa herë që ai dashuron, është mbajtja e kurorës me gjemba vënë mbi kokën e të dashuruarve, prej armiqve të përjetshëm të dashurisë; meskinët, të tredhurit e përjetshëm, filistinët, ata që kurrë nuk e njohin për vete dashurinë :

Pëllëmbët e mia të gozhduara, kurorën me gjemba që mbaj mbi krye,

Pa më shkuar ndër mend që ta heq. Buzë Oqeanit Paqësor më arrijnë ca dallgë

Që rënkojnë në një gjuhë njerëzish.

E tëra e dashurisë së këtij cikli është një engjëll që vërtitet në rrathë të brendashkruar, jashtëshkruar, duke krijuar përmes finesës dhe bindjes orbitën e udhëtimit të kësaj jete.

Vërtitet në rrathë të brendashkruar, jashtëshkruar.

Na ka parë disa herë duke mbushur stilografët

Me ëndrrat e kalimtarëve të çastit, me fjalët tona sekrete,

Për të thënë këngën e trubadurëve për Dashurinë dhe Luftën.

Prilli është më mizori i muajve/ lind zambakët nga tokë e vdekur( TS Eliot), ndërsa prilli i këtij cikli u jep frymë dhe ekzistencë dhe gurëve:

Skulptor, kur të gdhendësh tash me daltën tënde,

Mos godit me forcë, se jam brenda në gurë!

Duke zbritur nga lozë e kungullit dhe duke u përpjekur t’i kthehem për së mbari kodrinës së boronicave, kujtoj dhe i bindem dhe më shumë fjalës së tim eti që më thoshte, “përpiqu të marrësh diçka nga çdo njeri që është qoftë dhe një ditë, më i madh se ti”.

Ky libër është një libër i madh dhe i mençur.

(Ky shkrim është një fragment i shkëputur nga një studim i poeteshës Shqiponja Axhani Trota për librin ‘Rrathë të brendashkruar” të autorit Rudolf Marku, botim i “Onufrit” 2020.) /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH