Kryesore

Roland Gjoza: Libra me franga ari për hallën e pamartuar

               Publikuar në : 11:09 - 12/08/19 LP

Kandidati për çmimin “Kadare” 2019 vjen në një rrëfim për librat e zemrës

Aktualisht, cilët libra keni për zemër?

Bibla, tregimet e Çehovit dhe Mopasanit, “Pedro Paramo” e Juan Rulfos, “Lëkura e Shagrenit”, e Balzakut, “Njeriu që shiti hijen”, e Adelbert von Chamisso, poezitë e Traklit dhe Pessoas.

Cili është për ju romani më i mirë i të gjithë kohërave?

“Ana Karenina, e Tolstoit.

Cilët janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Çehov, Mopasan, Pirandelo, Kafka, Borges, Turgeniev, Paustovski.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseiste, kritike, gazetare, apo poete, quani si shkrimtarët më të mirë për sot?

 Umberto Eco, Borges, Kundera, Kadare.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni. Dhe çfarë nuk lexoni?

Më pëlqen të lexoj gjithçka që mban emrin letërsi; romane, tregime, ese, poezi. Le të jenë shkruar edhe në format më klasike, le të vijnë erë vjetërsi, për mua ka rëndësi arti i madh brenda tyre. Nuk e ndjek modën, që po prish ekuilibrat. Dhe te një hajk kinez i shkruar shekuj para Krishtit, unë mahnitem me artin fin, të papërsëritshëm dhe kumtet e mëdha të përjetshëm, që mbahen me aq elegancë, pa rëndesë, nga vetëm tri vargje. Kur them më pëlqen më shumë poezia, kam një pendesë për tregimin. Po të bëhem më i fortë, që realisht nuk jam, do të thosha, poezia. Po më mbyt pendimi gjithsesi.

Nuk lexoj kritikë. Se si më duket, kam një si ndjesi perverse prej tyre. Shpesh në to zbuloj një hakmarrje për shkrimtarët.

Çfarë librash mund të na befasojnë po të gjejmë në raftet tuaja?

 Bibla e përkthyer prej Kristoforidhit, e shtypur me germa ari. Një ekzemplar i rrallë, që dikush ia kishte çuar babait në dyqan në Pazarin e Vjetër. Ikona e Onufrit, e brejtur nga krimbat. Virgjëresha Shën Mëri me Krishtin foshnjë në krahë. Ikonë origjinale, e blerë nga im gjysh që kishte kishë në shtëpi, në Berat. Ai ishte libër për mua në fëmijëri, për të kuqen magjike dhe veçanërisht sytë e Shën Mërisë, si sytë e nënës sime, ku unë lexoja çuditërisht histori që i shpikja. Gjithashtu mund t’iu befasojnë shumë libra të vjetër, që i blinte babai me franga ari për hallën e pamartuar, që të dukej e shkolluar përpara mëtuesve që shkonin e vinin. E pamartuar vdiq, po librat mbetën. Dhe një bllok në formë libri i gjetur në rrugë. Ai është i mbushur me poezi të mahnitshme të një vajze, që më lutet të mbetet e panjohur. Ajo nuk do që poezitë e saj të botohen, ngaqë pakti me të shoqin ka qenë që ajo të mos merrej kurrë me poezi. Dhe unë di t’i mbaj premtimet.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Janë dy: Ana Karenina e Tolstoit dhe Irene Forsajt e Gollsuorthit.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Më çonin këmbët vetë te libraritë, sidomos tek ajo e madhja, pranë Estradës. Krejt fillikat dhe vonohesha shumë. Librat e shkollës më dukeshin të mërzitshëm. Kisha kërkesa të çuditshme. Më kujtohet një herë te Biblioteka e Pallatit të Pionierëve në Tiranë, kërkova “Sagën e Forsajtve” të Gollsuorthit. Isha a s’isha 13 vjeç. Bibliotekarja më kundërshtoi. Jo, jo, tha e çuditur, nuk është për ty. Fati im që aty ishte dhe i shoqi, një piktor i njohur: “Ai po këmbëngul, jepja!”, tha ai. E mori vetë nga rafti vëllimin e parë dhe i tha asaj të bënte veprimet. Kur e rilexova në fakultet, dija gjithçka. Në atë kohë lexoja Mopasanin, mbaj mend që dilja në rrugicë dhe ua lexoja me zë të lartë shokëve. S’më hiqet nga mendja zonjusha Perlë.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Shumë herë. Në shkollë të mesme, te “Petro Nini”… më përjashtuan dy ditë se më kapën duke lexuar “Zonja me kamelie” të Dymait të ri. Ndërsa në fakultet duhet të lexoja “Murtajën” e Kamysë, “Idiotin” e Dostojevskit, apo “Shakaja” e Kunderës brenda natës. Ata libra vinin nga Kosova dhe kalonin nga një dorë te tjetra në mënyrë klandestine.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

“Vërshimet e lumenjve”, të Paustovskit dhe “Bukuroshet e fjetura”, të Kavabatës.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë, ose është më kuptimplotë për ju?

Romani “Zero”.

Po qe se do t’i kërkonit Kryeministrit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

Përrallat e Andersenit, veçanërisht “Rrobat e mbretit”!

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Ismail Kadare, Faslli Haliti, Moikom Zeqo.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë? Për cilin libër mendoni se duhet t’iu kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

Jetojmë në kohën e biznesit agresiv. Ka imponim në çdo gjë, aq sa nganjëherë të duket vetja artificial. Moda është bërë ligj. Dhe është një rreth në hije që përgatit gjenitë e ardhshëm. Mogulet e artit. Po të shikosh biznes dhe art, kjo është paradoksale për artistin dhe krejt normale për tregun. Kërkesë, ofertë dhe në art. Ka kaq shumë libra sot dhe vdekje librash po kaq shumë. Kujton një Balzak, një Hygo, apo Stendal dhe të duket mjerane një pjesë e madhe e fushës së botimeve sot.

Bestseller që rekomandohen nga gazeta prestigjioze “The New York Times”, kundrejt parasë, natyrisht, se kjo hyn në sferën e reklamës, bestseller që lexohen të shtyrë prej një propagande të shfrenuar, që tek e fundit nuk sjellin asgjë të mirëfilltë në letërsi. Histori pikante, drithëruese, që bëhen menjëherë filma. Po art? Art s’ka. I gjen nëpër sedilje trenash këto libra, në stola parqesh, në rrugë, që shiten pas furisë së suksesit, me cent. Ndërsa shkrimtarë të vërtetë si David Foster Wallace, Don DeLillo, Thomas Pynchon, kalojnë nga universitet me emër, nga sfera të epërme për te lexuesi elitar. Asnjë libër të tyre s’gjen andej këndej nëpër Nju Jorkun ku kaloj përditë. Por famën e vërtetë e gëzojnë mizat njëditëshe të letërsisë. Kohët e fundit “Nobeli” ka qenë shumë zhgënjyes. Që prej Gabriel Garcia Markesit, shumë pak shkrimtarë të “Nobelit” kam lexuar me aq kënaqësi. Kjo ndodh dhe me letërsinë shqipe. Duhet të kesh post apo para që të gëzosh famë të menjëhershme.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Nuk e di. Ndoshta kur të bëhem i vetëdijshëm që jam shkrimtar.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Më shumë te klasikët, ndonëse kam prirje postmoderniste. Të lexoj, dua me shumë, të shkruaj ndjek frymën postmoderniste, që e kam të brendshme. Janë një mori librash që vetëm t’i kujtoj, edhe në grahmë të jem, me ngjallin. Shekspir, Wollt Witman, Migjeni, Çehov, Mopasan, Tolstoi, Balzak, Flober, Hygo, Stendal, Heminguej, Pirandelo, Turgeniev, Gogol, Dostojevski, Teodor Drajzer, Xhon Steinbek, Uilliam Folkner, D. H. Laurence, Jonatan Safran Foer, F. Scot Fitzgerald, Bukovski, Seline, Silvia Plath, Emily Dikinson, Pound, Elioti, Esenini, haiku kinez e japonez, Bibla, gjithmonë i rikthehem asaj. Janë shumë. Janë dhe pesë a gjashtë herë kaq. Po gjithmonë një minorancë në mes të miliona librave të kotë e të mërzitshëm, që i ngre lart me zulme e bujë moda. Kjo është fatkeqësia, moda, që gjithmonë rrezikon talentin.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Një pjese të librave të shkrimtarit tim të dashur Filip Roth, pjesa e dytë e “Shpirtrave të vdekur” të Gogolit, që ai e dogji, tragjeditë dhe komeditë e antikitetit grek që humbën.

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Tregimin modern amerikan duke vazhduar me Raimond Carver, Çehovin e tregimit të sotëm amerikan./Gazeta Liberale

 

 

(Visited 84 times, 1 visits today)

Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *