Aktualitet

Roland Bejko, për autobusët falas dhe kalimet nëntokësore të Këlliçit: Premtime për të bërë karagjozin në fushatë

Shkruar nga Liberale
Roland Bejko, për autobusët falas dhe kalimet nëntokësore

Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, Roland Bejko, tregoi arsyen pse vendosi të kandidonte për Tiranën, shpalosi vizionin e tij, dhe u bëri thirrje qytetarëve të bëjnë dallimin mes atyre që bëjnë sikur zihen për 30 vite, por në fakt, janë bashkë, thjesht luajnë teatër me popullin, me qëllimin e vetëm  për t’u pasuruar në kurriz të tij.

Në fakt më pëlqejnë sfidat. E kam bërë këtë në Gjirokastër në ditëlindjen e Enverit, kur u çuan studentët në protestë. Në ’97 kur gjithçka ishte rrëzuar dhe askush nuk guxonte të përmendet emrin e Sali Berishës, sidomos në jug. Jo më pastaj të ngrinte një parti fituese, ose konkurrente siç ndodhi në vitin 2001, kur me pak vota u ndamë në balotazh me PS-në. Sfida tjetër ka qenë në 2014 kur lashë Tiranën dhe u bëra kryetar lokal për ta ngritur edhe një herë PD-në në jug. Kështu që sfidave nuk u kam ikur kurrë”, tha Roland Bejko. “Kisha edhe një avantazh sepse isha sekretar i pushtetit vendor dhe e njoh pushtetin vendor”, shtoi ai më tej.

Lidhur me zhvillimin kaotik të Tiranës, Roland Bejko, tha se çfarë do të ndryshojë për kryeqytetin nëse qytetarët do t’i besojnë drejtimin e bashkisë. Ai e quajti kaotike ndërtimet që bëhen në Tiranë, betonizimin e kryeqytetit, ndaj edhe jo më kot fushatës i ka vënë sloganin “Frymëmarrje për Tiranën. - “Jam për këto ndërtime por jam për ndërtime në zona të dedikuara. Ka standard dhe standardi duhet ruajtur me ndërtime uniforme, me qëllim që të ketë një pamje horizontale të qytetit”, theksoi Bejko. - “Ne nuk jemi të prirur sot të prishim kullat që janë ngritur”, shtoi ai, ndërsa pranoi se shumë ndërtues ndërtojnë kate mbi lejet që u janë dhënë, në mënyrë krejt paradoksale.

Sapo shpalli kandidaturën për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Belind Këlliçi u bëri dy premtime ndër të tjera, qytetarëve, transporti publik falas dhe kalimi nëntokësor. Këto propozime, për rivalin e Këlliçit, Roland Bejkon, janë premtime koti.

I pyetur nëse ka ndonjë projekt për autobusët, Bejko tha se, “nuk kam asnjë shpikje. Siç e kanë zgjidhur vendet e tjera të Perëndimit, ta zgjidhim edhe ne. Të çlirosh trafikun nuk mjafton vetëm një variant. Trafiku duhet çliruar në origjinë. Të japim disa shembuj. Kur thashë do ta bëjmë si në Perëndim, falë teknologjisë mund të realizohet një linjë autobusësh duke nisur nga I Transporti. I Transporti është rrjeti elektronik i transportit që do të thotë se nëse shkoj në një stacion autobusi, aty do të kem tabelën me minutat kur vjen autobusi, kur niset, në çfarë stacioni është. Nuk kushton shumë. Do të ketë atje hartën dhe oraret e afishuara të autobusit për të gjitha linjat”, tha Bejko, duke shtuar se në kohën e pikut do të shtohet numri i autobusëve. Por që të shtohen autobusët duhet të lirohet transporti i mjeteve të tjera.”

Bejko shprehet se i kanë thënë të premtojë kalim nëntokësor, për të marrë vota, por sipas tij, ky është një premtim koti, budallallëk.

 “Tirana nuk ka shumë makina, por ka kaos të qarkullimit. Kalimi nëntokësor i Belindit është kot, budallallëk. M’u propozua dhe mua, por nuk e thashë. Më thanë para Këlliçit që thuaje se do fitosh vota. Do ta studioj mirë dhe po të bëhet do ta them. Po nuk do dal të bëj karagjozin në fushatë. Nëse them dy gjëra sot, ai që do vije nesër t’i marrë dhe si propozime, se nuk janë propozimet e mia, por të specialistëve të fushës”, u shpreh Roland Bejko.

Bejko përmendi edhe lënien në harresë të zonave rurale dhe periferike të kryeqytetit. Kandidati demokrat për Tiranën shtoi se ato zona, sidomos fshatrat e Tiranës para se të braktisen dhe të boshatisen,  do të jenë në fokus të zhvillimit, përmes turizmit dhe politikave të shëndosha në sektorin bujqësor.

I pyetur se përse ka kaluar përtej Tiranës në fushatë, duke akuzuar tre drejtuesit kryesorë të politikës shqiptare në dy dekadat e fundit, Roland Bejko, dha këtë përgjigje.

“Unë vërtet prezantoj ofertat lokale dhe vizionin tonë për bashkinë e Tiranës. Por mbaj edhe një peshë politike. Pse?  Sepse për çdo problem ne gjejmë duart e oligarkisë politike, e cila përbëhet nga Edi Rama, Sali Berisha dhe ilir Meta. Këta të tre e kanë zënë të gjithë skenën e politikës, bënë edhe marrëveshjen e 2008 për ta bipolarizuar politikën shqiptare, dhe ai që merr pushtetin, i merr të gjitha”.

“Njerëzit e të dy palëve, se Meta dhe Berisha janë bashkë, janë të përfshirë në llokmat, në territorin e Tiranës dhe të Shqipërisë. Kanë të njëjtët oligarkë financiarë me të cilët ndajnë paratë, pasuritë, dhe shumojnë paratë e tyre, dikush me punë të ndershme, por dikush edhe me korrupsion”, theksoi kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës.

Si një dallim thelbësor me kundërshtarët e tij politikë, Roland Bejko lëshoi sfidën dhe pyeti: Shihni se kush na mbështet. Edhe deputetët tanë janë të pastër, pa asnjë akuzë, me përvojë akademike dhe profesionale”, duke u bërë thirrje qytetarëve të bëjnë dallimin, në radhë të parë për veten dhe të ardhmen e tyre, nëse duan të jetojnë në vendin e tyre, si qytetarë të Europës.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH