Aktualitet

Rojës së gardës i bie të fikët pranë arkivolit të Elizabetës

Shkruar nga Liberale
Rojës së gardës i bie të fikët pranë arkivolit

Dhjetëra mijëra britanikë dhe jo vetëm që prej ditës së djeshme presin për orë të tëra pafund në radhën e pelegrinazhit popullor të trupit të mbretëreshës Elizabeth në Pallatin e Westminsterit, për të nderuar monarken që i kushtoi 7 dekada të jetës së saj fronit të Mbretërisë së Bashkuar.

Ashtu siç është e natyrshme në kushtet e pritjeve të gjata, lodhja është e madhe, por edhe dëshira e njerëzve për t'i dhënë lamtumirën mbretëreshës së tyre.

Lodhja nuk është e pranishme vetëm te njerëzit, por padyshim edhe te rojet që qëndrojnë rreth e sipër platformës ku është vendosur që prej ditës së djeshme arkivoli i Elizabetës. Këto roje i përkasin tre trupave të ndryshme ushtarake që shërbejnë si truproja të monarkut dhe roje të pallatit.

Sipas Daily Mail, e cila publikon videon përkatëse, njërit prej këtyre rojeve i ka rënë të fikët mbrëmë, duke rënë me fytyrë përtokë në dyshemenë e gurtë të sallës së madhe.

Pak çaste përpara se të rrëzohej në dysheme, burri dukej se nuk ishte në gjendje të ngrihej përsëri në këmbë dhe kishte zbritur për pak kohë nga platforma përpara se të kthehej në vendin e tij. Ngjarja ndodhi teksa kishte filluar ndërrimi i gardës dhe, sipas gazetës britanike, transmetimi i drejtpërdrejtë nga dhoma e Westminsterit u ndërpre për disa minuta pasi policia nxitoi për të ndihmuar burrin./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH