Aktualitet

Robi i lartësive, romani Ermir Nikës që nis me kujtimet e fëmijërisë

Shkruar nga Liberale
Robi i lartësive, romani Ermir Nikës që nis me kujtimet e

Përgjegjësi i Departamentit të Arteve të Aplikuara në UET Ermir Nika, rrëfen mbi librin Robi i Lartësive i cili flet mbi një inxhinier kinez që humbi jetën për ndërtimin e antenave në vitin 1971 në malin e Dajtit.

Universiteti Europian i Tiranës është një prej universiteteve, emri i të cilit është ngritur dhe ringritur në mënyrë fluide. Ai është gjithmonë objektiv në pasqyrimin e arritjeve të tij,të cilat e bëjnë atë akoma dhe më të pasur, qenësishëm, konstruktiv për sytë e studenteve dhe jo vetëm. Libri “Robi i lartësive” me autor përgjegjësin e Departamentit të Arteve të Aplikuara Dr.  Ermir Nika një pjesë e të cilit është përkthyer në Rumani në vitin 2019 dhe qe pritet të botohet në fund të janarit 2020. Profesor Ermir Nika si autor i librit tregon me shumë mbi subjektin e tij.Libri përmban një subjekt të vecantë ,i cili lidhet me jetën e një inxhinieri kinez që ka vdekur në Shqipëri në vitin 1971 që quhet. Ai ka qenë një djalosh që ka ngritur antena televizive në të gjithë Kinën dhe jeta e tij u ndërpre ne Shqipëri . Kam qenë shumë i vogël në kampet e  pionerve të malit të Dajtit ku aty ende kishte ngelur legjenda sikurse dhe hija e Chen Pao Y-së. Ai është varrosur në Shqipëri ,ka ngelur këtu dhe kur ngrej kokën tek antena duket sikur është hija e tij.është një shtysë që mua më ka mbetur në mendje që para 10 viteve dhe prandaj shkrova skenarin.

Shkruajta skenarin sepse mendova se do merte trajtën e një filmi por ndodhi e kundërta, mori trajtën e nje romani te cilit i vendosa emrin “Robi i Lartesive” thekson profesor Ermir Nika. Me pas ai na dëfton se Marios de Bresku ,albanologu i njohur duke parë një artikull që ishte shkruar për këtë roman i cili është ende në shtyp i kishte kërkuar disa fragmente për ti botuar dhe për ti përkthyer në një revistë shumë prestigjioze që është në Rumani “Lumina” dhe para disa ditësh u publikuan me gjithë një biografinë e tij të shkurtër dhe me një poezi.Njëkohësisht radioja e jashtme  e Kinës i ka kushtuar nje rëndësi të vecantë këtij romani.Nuk është thjesht një histori njerëzore,nuk është e fotografuar,aty është një trill artistik,është një mister që në njëfarë mënyre është marëdhënia e Kinës me ish-Bashkimin Sovjetik.Të dy këta personazhe vijnë nga përvoja të ndryshme dhe fillojnë dhe rrëfejnë jetët e tyre për ti bashkuar në majën e Dajtit.Si autor i 9 librave ai na tregon dhe lidhjen e ngushtë me albanologet e shumtë ,të cilët mundësuan dhe përkthimin e një pjesë të librit të tij në Rumani ,të njëjtët të cilët kanë punuar dhe me vepra të shkrimtarit e shquar Ismail Kadare.Libri aktualisht ndodhet në shtyp për të cilin po probangadohet në mënyrë masive edhe pse ai ende ska dal ne dritë.

Pjese nga romani “Robi i Lartesive”.

Mbrëmjet binin gjithmonë të njëjta, sa që ndonjëherë ngjante sikur përsëriteshin me po atë kolorit, zbehtësi e pipëtima të mekura nëpër largësitë ku digjeshin muzgjet e përndjekur nga yjet. Porsa bjerrej drita e dhomës, sodisja përmes perdes së lëshuar, e cila më fanitej sikur mbulonte botën, ashtu si në skenat e ndërtuar në periudhën antike anës së shpateve, ku janë luajtur dramat dhe komeditë njerëzore, aty ku si padashur shprisheshin vështrimet e ngurta të të pagjumëve. S’di pse, përsëri më shpërfaqet kjo skenë, mbi atë plate të ndërkallur në imagjinatën time të sëmurë, të përshkuar kryq e tërthorë nga aktorë a kalimtarë të rastit. Si i hedhuri nga një rrymë e beftë po gjendesha edhe unë atje në premierën e shumëpritur, shpërfytyruar në masën e hijes së rënduar nga lagështia, përfund kupës qiellore të përmbysur me vrull, ku nuk fekste asnjë yll. Shfaqja nuk arriti të jepej deri në fund, sepse unë nuk kujtoja dot tekstin dhe kështu më përcollën të mbuluar me pëlhurë mes britmave e revoltës së spektatorëve për të më lëshar në këtë kthinë të mysët.

Të këputur, sytë e mi puliteshin nga duhma e nikotinës, shtjellur diku përtej një grimase të padukshme, kur një siluetë e turbullt gruaje shfaqej ndaj të ngrysur tek hynte vjedhurazi në ambientet e komandës. Supeve përherë hidhte një mushama të gjelbër që i lëshohej puhijshëm deri në fund të këmbëve. Kjo mbulesë e rëndë fshihte paksa formën njerëzore, mënyrën e të ecurit, fytyrën, duke i dhënë trajtën e një krijese misterioze, gati heretike.

Në pamje të parë, të krijohej përshtypja e ndonjë mantenute të rëndomtë që hynte e dilte në dhomat ku qëndronin shefat e repartit dhe shfrytëzimi seksual i tyre edhe pse i dënueshëm, nuk përbënte ndonjë fakt që nuk mund të merrej me mend. Kurrsesi s’duhej të flisja por rrija e vëreja deri sa ky episod mbaronte tek mendoja shpërfillshëm se ky lloj raporti është i vjetër sa bota, pavarësisht epokës dhe rendit shoqëror që mbizotëron njerëzimin. Mirëpo... gjithmonë ekziston kjo por, dyzimi ku përsillen ashtu si fjollat e tymit në eter, mendimet gjer sa ndalin në pikën më të errët. Në atë pikëtakim, s’di pse ngrinin krye disa piketa dyshimi që nuk përkonin aspak mes tyre, në cilindo kënd që mund ta vërtisje arsyetimin. Diçka nuk po shkonte mbarë.

Pikësëpari, reparti ishte objekt i një rëndësie të veçantë e për rrjedhojë, mbikëqyrja dhe disiplina kryheshin në masat më të rrepta. Së dyti, prania e personave të huaj në këtë zonë ushtarake do të duhej ta rriste edhe më tepër sigurinë dhe shkallën e vigjilencës nga trupat e dislokuara në këtë zonë rreptësisht të ndaluar për t’u kaluar prej kujtdo. Duke radhitur dhe shkartisur këto argumente të renditura e të ndërthurura vetvetishëm mes tyre, kjo formulë më ndikonte për të zhveshur çdo vijë llogjike që do të mund të justifikonte marrëzinë e stisur, për të marrë një femër nga Tirana në pikën më të lartë dhe të vrojtuar të malit të Dajtit, të yshtur kinse, apo thjesht nga ngasja për të bërë seks në këtë majë të zhveshur, ku si për ironi të gjithë kësaj, na ish montuar rrjeti më i pazakontë i aparaturave marrëse dhe transmetuese me valë të gjata dhe të shkurtra.

Edhe pse gjykimet vinin të ngatërruara, nuk arrin dot të më bënin lëmsh dhe të më shpështillnin boshtin llogjik të gjithë asaj që po luhej në prapaskenë. Në këto rrethana, çdo alibi që do të përligjte praninë e gruas së veshur me mister, e cila depërtonte në brendi të asaj zone ushtarake vetëm e vetëm që të zgjonte ngasjen dhe mëkatin e shfrenuar, binte pa më të voglin dyshim. Atëherë kush qe në të vërtetë gruaja e natës me imazh të fshehur nën petkun luftarak? Me këtë dilemë mundonjëse, që më pati zënë përfund në ato ditë dhe net të ngarkuara me pasiguri, nuk mundesha të përballoja deri në kthjelltësi, kurrfarë hamendësimi. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH