Kryesore

Robelli: Marrëveshja e Uashingtonit ‘show elektoral’ i Trumpit

               Publikuar në : 11:28 - 07/09/20 liberale

Gazetari i njohur nga Kosova, Enver Robelli, duke analizuar për Euronews Albania marrëveshjen e Uashingtonit e përkufizoi atë si “show elektoral” të Donald Trump, duke nënkuptuar se ajo nuk i dha Kosovës atë që kërkonte prej dhjetëra vitesh, njohjen e pavarësisë nga Serbia.

Ai tha se në tërësi Trump i ka trajtuar çështjet politike si spektakël dhe përgjithësisht nuk ka pasur rezultat në zgjidhjen e konflikteve, mirëpo së fundmi ai duket se po i kërkon marrëveshjet më shumë për të bindur elektoratin ta votojnë sërish në zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Trump është shquar si prishës i marrëveshjeve ndërkombëtare, nuk ka arritur sukses me Korenë e Veriut, në rastin e Iranit ka qenë një hap përpara luftës, si rezultat ai shkarkoi nga puna këshilltarin e tij për siguri kombëtare John Bolton, është përpjekur të nënshkruajë marrëveshje të shpejtë me talebanët në Afganistan në mënyrë që t’i kthejë më shpejt ushtarët amerikanë në shtëpi dhe kështu t’ua paraqesë votuesve këtë si sukses… por të gjitha këto nuk kanë qenë rezultate të mëdha,” – analizoi Robelli teksa përmendi si pozitive vetëm vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Më tej Robelli foli për marrëveshjen e Uashingtonit nënshkruar nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë pas më shumë se 12 muajsh ndërmjetësime intensive nga i dërguari i posaçëm i Trump, Richard Grenell.

“I ngarkuari i tij [Trumpit], për dialogun Grenell, është përpjekur për disa muaj, në mënyrë intensive, që shefit të tij t’ia prezantojë një dhuratë të vogël në tavolinë në mënyrë që Trump të ketë arsye për të shkruar diçka në Twitter sepse, siç dihet mjeti kryesor diplomatik i Trumpit janë 240 shkronjat e Twitter-it për të treguar botën në mënyrë sa më të thjeshtë të mundshme, ndaj dhe marrëveshjen me Kosovën ai nuk mund t’ia shiste opinionit amerikan dhe zgjedhësve të tij si një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhej që aty të futej edhe Lindja e Mesme, Izraeli dhe të bëhej gjithfarë gjimnastike gjuhësore që të thuhet ‘ja një vend mysliman po njeh Izraelin’ thua që Kosova kishte problem me Izraelin, dhe tanimë ndërroi mendjen dhe po e pranon Izraelin, e kundërta, Izraeli refuzonte ta pranonte pavarësinë e Kosovës për shkak të problemeve të brendshme në fqinjësi me çështjen e Palestinës,” – komentoi Robelli nga ana e komunikimit me publikun mënyrën se si u paraqit marrëveshja.

Sipas gazetarit Robelli, përveç ndonjë diplomati të njohur, në dhomën e dialogut në Shtëpinë e Bardhë nuk ra në sy ndonjë përfaqësues i lartë i Departamentit të Shtetit, apo ekspertë që kanë njohuri për Ballkanin.

“Philip Reeker nuk ishte aty, nuk ishte Matthew Palmer… nuk kishte zyrtarë të Departamentit të Shtetit, të cilët me dekada janë marrë me Kosovën dhe e njohin situatën në rajon, nuk ishte as ambasadori amerikan në Prishtinë, nëse nuk gaboj… ndaj ky ishte një show personal i familjes Trump, që e ka organizuar me zotin Grenell, i cili është një diplomat, jo diplomatik, i cili si fillim ka ambicie personale për t’u bërë ministër i jashtëm në qeverinë e ardhshme të Trumpit, gjithmonë nëse idhulli i tij, Trump fiton zgjedhjet më 3 nëntor,” – shtoi më tej Robelli.

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back