Grupimi i “Rithemelimit” i PD-së dhe LSI kërkojnë mocion me debat urgjent në Kuvend lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama mbi negociatat për në BE. Rama tha se nëse negociatat nuk hapen brenda presidencës franceze do të kërkojë ndarjen nga Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut.
Duket se grupimi i drejtuar nga ish-kryeministri Berisha dhe LSI janë duke vpruar në të njëjtën linjë politike.
Në kërkesën dërguar kryetares së Kuvendnit, Lindita Nikolla, Grupi i Rithemelimit dhe LSI e konsiderojnë deklaratën e Ramës anti-europiane dhe keqdashëse në dëm të integrimit të Shqipërisë në BE.
Deputetët që kanë firmosur mocionin janë Petrit Vasili, Erisa Xhixho, Monika Kryemadhi, Tritan Shehu, Edmond Spaho, Oerd Bylykbashi, Belind Këllici, Edi Paloka, Flamur Noka, Sali Berisha.
Në letër ata kërkojnë mbledhjen e Konferencë së Kryetarëve që të vendosin më 16 maj një seancë urgjente parlamentare pikërisht për të diskutuar këtë çështje.
“Zonja Kryetare, siç është bërë e ditur nga mediat, Kryeministri Edi Rama sot në Bruksel është shprehur: Ndërkohë, besoj që të gjithë e kanë të qartë që kjo situatë nuk mund të vazhdojë më gjatë. Megjithatë, ne do të ndryshojmë menjëherë kurs, siç e kemi thënë dhe siç e kemi marrë nga Këshillimi Kombëtar në rast se nuk do të kalojë në fazën tjetër vendi ynë për t’u ulur formalisht në tryezë për negociata”.
Ne, si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, e gjejmë këtë deklaratë të Kryeministrit Edi Rama skandaloze, turpëruese e keqdashëse, në dëm të të ardhmes europiane të qytetarëve shqiptarë.
Neni 98, pika 2 e rregullores kërkon mbledhjen brenda tre ditësh të Konferencës së Kryetarëve nga ana e Kryetares së Kuvendit për vendosjen e datës së zhvillimit të mocionit në seancë plenare.
“Por meqenëse bëhet fjalë për një çështje të një rëndësie jetike për të gjithë qytetarët shqiptarë, kërkojmë nga ana juaj mbledhjen URGJENTE, brenda ditës së premte datë 13.05.2022 të Konferencës së Kryetarëve dhe thirrjen e Parlamentit në seancë plenare të jashtëzakonshme ditën e hënë datë 16.05.2022 ku të debatohet rreth çështjeve të integrimit Europian dhe të shprehet edhe një herë vullneti për rrugën pro europiane të Shqipërisë në BE”, thuhet në kërkesën e tyre drejtuar Kuvendit.
Kujtojmë se mbi gjysma e deputetëve të PD-së e kanë refuzuar “Rithemelimin”, ndërsa grupimi i drejtuar nga Berisha dhe LSI kanë zyrtarisht të jenë një opozitë tjetër paralele në Kuvend.