Kryesore

Ripajtimi i brishtë

               Publikuar në : 11:43 - 28/10/19 Suadela Balliu

Marrëdhëniet e ftohura mes dy liderëve të majtë, duket se po gjejnë rrugë përmirësimi tashmë si dy krerë shtetesh. A ka ndryshuar mendim Albin Kurti se kryeministri shqiptar nuk është për shkëmbim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë dhe si e po kërkon të afrohet ai me udhëheqësin e dialogut me Beogradin.

A po përpiqet Kurti të ngrejë ura bashkëpunimi me homologun e tij shqiptar apo gjithçka mbetet në kuadrin institucional? A do ta pranojë propozimin e Ramës për ministra shteti dhe kush nga të dy do ta rimarrë tezën e bashkimit kombëtar?

Suadela Balliu

U desh vetëm një bisedë disa orësh, që kryeministri i zgjedhur i Kosovës të bindej se kryeministri shqiptar nuk ka qenë kurrë mbështetës i idesë për shkëmbim territoresh mes Prishtinës dhe Beogradit. Të paktën kështu deklaroi Albin Kurti një ditë pas takimit të së premtes me Edi Ramën në kryeministri.

Motivi i ftohjes mes dy liderëve të majtë kishte ardhur, siç zbuloi në një intervistë pak ditë më parë vetë Kurti, si shkak i mbështetjes që kryeministri Rama i dha presidentit Thaçi vitin e kaluar, ndërsa “Vetëvendosja” protestonte kundër Thaçit me moton “ një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”.

“Pazaret e Thaçit dhe të Vuçiçit,  nuk do t’i paguajmë ne”, deklaronte shtatorin e një viti më parë Albin Kurti, ndërsa nga mediat e Kosovës kryeministri Rama është kritikuar edhe për miqësinë e tij me presidentin serb, bashkë me të cilin së fundi organizoi edhe takimin në Novi Sad mbi Shengenin Ballkanik.

Në kostumin e ri si kreu i qeverisë së ardhshme të Kosovës, Kurti duket i gatshëm t’i përmirësojë marrëdhëniet me homologun e tij shqiptar dhe takimi i pak ditëve më parë ishte ura e parë.

“Ne nuk kemi pasur marrëdhënie të çrregulluara. Ne jemi njerëz të ndryshëm, jemi politikanë të ndryshëm dhe duam të bashkëpunojmë në mënyrë që, mospajtimet që kemi kurrsesi nuk bën që ta rrezikojnë bashkëpunimin tonë. Meqenëse fundja ne nuk jemi dy persona të veçantë por jemi dy funksione për të cilën qytetarët tanë presin që do të bashkëpunojmë”, do të shprehej Kurti, të cilin në Tiranë pas festimeve për fitoren në zgjedhjet e parakohshme e solli pjesëmarrja në Samitin për Paqe në Europën Juglindore, organizuar në kryeqytetin shqiptar.

Kishin kaluar 14 muaj, do të zbulonte Kurti, nga takimi i fundit me kryeministrin Rama i cili me gjasë i takon verës së kaluar, në rezidencën qeveritare në Dhërmi.

“Kemi diskutuar për shumë gjëra, për aq shumë gjëra jemi pajtuar, sepse jemi bashkë në forumet ndërkombëtare të partive simotra. Por për këtë gjë për mua ka mbetur pak enigmatike se si bëhet që ai nuk shkëputet dot prej aventurës së Presidentit, prej akrobacionit të tij të rrezikshëm për shkëmbim territorial”, zbulonte Kurti për gazetarin Blendi Fevziu pak ditë më parë, ndërsa pas takimit të fundit me Ramën deklaroi para mediave shkurt dhe prerë se “kryeministri nuk është për shkëmbim territoresh”. Të njëjtën deklaratë, Rama e bëri dhe në mesjavë në “Opinion”, të Blendiu Fevziut.

“Biseduam për çështje të cilat i kemi të përbashkëta, por gjithashtu edhe për çështjet në dy shtetet tona. Duam që edhe në aspektin e politikës së jashtme dhe në aspektin e ekonomisë të bashkërendohen sa më shumë Kosova me Shqipërinë sepse efekti sinergjik që mund të kemi natyrisht që, nuk është i shfrytëzuar sa duhet”, do të vijonte Kurti në zbardhjen e takimit për të cilin kryeministri Rama u mjaftua vetëm me postimin e një fotografie, ku shfaqej edhe aktori i njohur francez Gerard Depardeiu, i cili megjithëse nuk kishte lidhje me temat që i lidhnin dy politikanët ndodhej në Shqipëri për xhirimet e filmit “Unë dhe Millosheviçi”, të regjisorit kosovar Arben Kastrati. Përkim që nuk do t’i shpëtonte akuzave të ish-kryeministrit Haradinaj, të cilin Rama tha pak ditë më parë se do ta padiste për shpifje. Përmes këshilltares së tij, Haradinaj do të thoshte se fotografisë i mungonte edhe miku tjetër i Millosheviçit, Nobeli i Letërsisë për 2019-ën, Peter Handke.

Kurti ka folur pëër krijimin e sa më shumë urave mes dy shteteve, ndërsa të parat me qeverinë e re të Prishtinës, u përpoq t’i hidhte kryeministri Rama.

Në konferencën për shtyp të 18 tetorit, pas dështimit për çeljen e negociatave me BE-në, kryeministri Rama zbuloi se së shpejti do të takohej me Albin Kurtin dhe se do t’i propozonte atij caktimin e një ministri ministri Shteti nga të dy vendet, si një pikë referimi për marrëdhëniet dy palëshe.

I akuzuar se kishte marrë pjesë në në takim për Shengenin Ballkanik, ku përjashtohej Kosova, Rama do të sqaronte se nuk bëhej fjalë për një firmosje marrëveshjeje mes tre shteteve që morën pjesë dhe se Kosova, ishte e ftuar në takimin e radhës në Ohër, këtë nëntor, nëse do të kishte formuar qeverinë.

Për këtë, Kurti nuk e ka fshehur skepticizmin. “Pres ta shoh një tekst se çfarë saktësisht nënkupton ai, se më shumë më ngjan me ide, sesa projekt në letër”.

I pyetur për këtë çështje, gjatë festimeve të fitores në Tiranë, kryeministri i ardhshëm i Kosovës do të paralajmëronte të bënin kujdes nga Serbia.

Kurti do të thoshte se mes gjashtë vendeve të paintegruara me BE-në, vetëm Kosova nuk ka liberalizim të vizave, ndërsa kryeministri Rama pak ditë më parë ka akuzuar ish-kryeministrin Haradinaj si fajtor, pasi e dogji mundësinë duke mos hequr taksën 100 përqind ndaj mallrave serbe.

Ndonëse është treguar lakonik rreth propozimit të kryeministrit Rama mbi dy ministrat e shteteve, duke thënë se takimi i parë ishte diskutim rreth çështjeve ku do të bashkëpunohet dhe organigramat e qeverive vijnë më vonë, mediat e Kosovës shkruajnë se Kurti do ta pranojë idenë e kryeministrit shqiptar për dy ministrat.

Ideja e kryeministrit Rama vjen si tërheqje pas deklaratave të tij, por edhe të presidentit Thaçi nga ana tjetër, mbi hapjen e kufijve mes dy vendeve dhe një bashkim të mundshëm mes dy vendeve. Ishte kjo karta kërcënuese pas zhgënjimit që liderët shqiptarë nga të dy anët e kufijve kishin me zvarritjen e dialogut Kosovë-Serbi nga BE dhe atij më të fundit nga takimi i Berlinit këtë prill, ku Kosova nuk mori dot premtimin për liberalizim vizash veç përpjekjeve për të varrosur atë që u njoh si “plani amerikan” për korrigjim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë.

Rama, i cili fliste më parë se ishte partizan i bashkimit të shqiptarëve në familjen e madhe të BE-së, e përdori shpesh vitet e fundit idenë e bashkimit kombëtar, që bashkë me Thaçin morën një nga pikat themelore të programit të “Vetëvendosjes” mbi bashkim kombëtar.

Ide që u duk se nuk ishte biseduar mes dy liderëve ditën e premte, ose të paktën Kurti nuk preferoi ta zbulonte për mediat. Por të dy politikanët në retorikën e tyre janë tërhequr nga ideja. Kryeministri Rama, pohoi perspektivën e integrimit europian, duke mohuar çdo alternativë tjetër që do të bënte kthim hapash pas në rrugën e Shqipërisë, ndërsa Albin Kurti e ka fokusuar energjinë e qeverisë së re në ndëshkimin e “hajnave” në majat më të larta të pushtetit, por edhe udhëeqjes së bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, të ngrira tashmë prej muajsh.

Prezantimi i tarifës doganore me 100 përqind nga ish-kryeministri Haradinaj, pasi Beogradi vuri veton që Kosova të mos përfshihej në “Interpol”, u komentua si përvetësim të kartës nacionaliste të Vetëvendosjes, por pas fitores së zgjedhjeve të parakohshme Kurti ka folur për reciprocitet me Serbinë, i painteresuar për taksën e vendosur nga Haradinaj. Reciprociteti për të cilën flet kryeministri i ardhshëm, ka në bazë kthimin me të njëjtën monedhë Serbisë, duke mos parë në horizont lehtësim të masës, nëse Serbia nuk njeh targat apo dokumentet e mallrave kosovare.

Nëse mes liderëve politikë të këtej e andej kufirit ishte vënë re një aleancë e kryqëzuar Thaçi-Rama dhe Meta-Haradinaj, ku nuk mungonin kritikat dhe thumbimet në deklarata, Albin Kurti ka në Tiranë bazën e tij të konsoliduar me Vetëvendosjen që tashmë është regjistruar si organizatë jo qeveritare dhe jo pak simpatizantë që e shohin Kurtin si modelin e ri të politikanit që ka nevojë Shqipëria.

Megjithëse drejtuesit e qendrës Vetëvendosje në Tiranë, thonë se synimet e para nuk janë ato të një lëvizje politike, themelet e programit të saj nuk ndryshojnë nga partia VV, duke pasur parësore bashkimin kombëtar, por edhe idetë e majta si promovimi i modelit ekonomik bazuar mbi shtetin zhvillimor dhe drejtësia e mbrojtja sociale.

Hyrja e Vetëvendosjes në terrenin shqiptar këtë prill u pa si një alternativë për të mbushur vakumin e krijuar nga dalja prej sistemit e një prej partive më të mëdha tradicionale si PD, pas djegies së mandateve.

Si një parti jashtë sistemit, Vetëvendosja tregoi në disa zgjedhje në Kosovë se gëzon mbështetjen e votuesve, duke kulmuar në fitoren e zgjedhjeve të parakohshme por që pritet të finalizohet vetëm pas arritjes së një koalicioni me LDK-në. Së fundi, Kurti ka pohuar se nuk sheh pengesa për bashkëpunimin me LDK-në dhe se së shpejti do të takohet e liderin e saj, Isa Mustafa, me të cilin nuk ra dakord para zgjedhjeve për emrin e kryeministrit.

Në Tiranë, për ata simpatizantë të së majtës që përfaqëson Kurti, i etiketuar shpesh si neomarksist por që ai vetë e sheh qasjen e partisë së tij si socialdemokraci, mund të ishte lideri i dëshiruar në një kohë kur të majtët në Shqipëri për shkak të historisë, përpiqen të tingëllojnë më të moderuar. Për Ramën, Kurti më shumë sesa bashkëpunëtori i ardhshëm me të cilin po arnon marrëdhëniet e krisura për shkak të Thaçit mund të përbënte kërcënim. Me pushtetin e dhënë nga qytetarët e Kosovës, Kurti mundet t’i artikulojë nga një tjetër pozicion veç atij opozitar idetë e tij si për bashkimin kombëtar edhe atë të shtetit të madh zhvillimor. Por me presionin ndërkombëtar, nga ShBA që kërkon sa më shpejt arritjen e një marrëveshjeve mes dy shteteve dhe BE-në nga ana tjetër që nocionin e bashkimit etnik e sheh si rrezik potencial në Ballkan, gjuha e qeverisjes së Kurtit pritet të jetë më e moderuar. Ashtu qe në fakt, që në fjalimin e tij të parë, pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit, kur vetëvendosësi tha se do të kishte bashkëpunim të fortë me partnerët e huaj dhe gjatë fushatës ishte kujdesur të theksonte se i njihte simbolet e Kosovës.

Sfida e madhe që e pret Kurtin është ajo e bisedimeve Kosovë –Serbi, ku kryeministri Rama më herët ka qenë i afërt në dialogun Thaçi-Vuçiç dhe i akuzuar se ka qenë ai ideatori fillestar i idesë për shkëmbim territoresh. Me specifikën dhe rëndësinë që paraqet për të ardhmen e dy vendeve, por edhe në mbajtjen e premtimeve me të cilat Kurti erdhi në pushtet, pak do t’i ngelet, të paktën në një mandat, të artikulojë platforma të qarta mbi bashkimin kombëtar e në të njëjtën kohë të ruajë marrëdhëniet e mira me partnerët strategjikë ndërkombëtarë. Kurti ka zbuluar se do të takohet me pasuesin e Mogherinit, Josep Borell për të përaktuar parimet mbi të cilat do të ngrihet dialogu i ardhshëm, që pritet me gjasë të nisë pas zgjedhjeve të pranverës në Serbi. Vetë Borell ka bërë të ditur se punën si shef i politikës së jashtme të BE-së do ta nisë me vizitën në Prishtinë, i ashpër në gjuhën e tij se nëse Kosova nuk njihet nga vende si Kina, India apo Rusia, ajo kurrë nuk do të jetë shtet i plotë. Për Borell është prioritet rinisja e bisedimeve mes dy vendeve. Me marrjen në dorë të bisedimeve mes dy vendeve, ku sipas Kurtit Serbia duhet të bëjë më shumë lëshime sesa Kosova, roli i presidentit Thaçi zvogëlohet. Partia e tij i ka humbur zgjedhjet, ndërsa Kurti bën thirrje që presidenti të dorëhiqet.

Por a do të thotë ripajtimi mes Ramës dhe Kurtit, prishje të marrëdhënieve mes të parit dhe Thaçit? A është bashkëpunimi me kryeministrin e ri përpjekje për të mbushur boshllëqet nga qeveria e vjetër, me kreun e të cilit kryeministri shqiptar i kishte marrëdhëniet haptazi të këqija?

Pas fitores së Vetëvendosjes, edhe kryeministri Rama do të fliste rreth marrëdhënieve mes Albin Kurtin, duke mos i kursyer thumbat se nuk bën politikë me marrëdhëniet personale.

“Unë me Albini kam pasur në vijimësi komunikim, kur s’kam qenë dakord ia kam thënë, kur s’ka qenë ma ka thënë, por ndryshe nga ai, unë nuk bëj politikë me marrëdhëniet personale dhe me bisedat që shkëmbejmë më njëri-tjetrin. Më vjen mirë që ai të marrë përgjegjësin e kryeministrit dhe t’i jap Kosovës energjinë dhe freskinë që kanë kërkuar prej tij ata që e kanë votuar”, do të shprehej Rama në një intervistë pak ditë pas zgjedhjeve në Kosovë.

Kurti thotë se pret që pas certifikimit të rezultateve, presidenti i Kosovës, për të cilin thotë se do të ishte në të mirë të popullit të dorëhiqej, do duhet t’ia japë atij mandatin “që në fund të bëjë dhe ai një punë të hajrit dhe unë të formoj koalicionin e ri qeverisës për 15 ditë”, do të shprehej kryeministri i ardhshëm. Sesi do të ndryshojë dinamika e marrëdhënieve mes Ramës dhe Kurtit dhe dy qeverive, ku sfidat do të adresohen përmes ministrave të shtetit propozuar nga kryeministri shqiptar, kreu i qeverisë së ardhshme të Kosovës ka pohuar se tradita e

e mbledhjeve të përbashkëta të qeverisë Shqipëri-Kosovë do të vijojë. Por ndryshe nga kryeministrat apo presidentët e mëparshëm të Kosovës, prania e Kurtit në Tiranë do të jetë gjithnjë e më intensive, ku vetëm në pak ditë pas zgjedhjeve e ka vizituar dy herë kryeqytetin dhe më shumë sesa një homolog, gjasat janë të sjellë në Shqipëri një ofertë politike, që mund të tronditë bazat e elektoratit, siç bëri në Kosovë.

Kurti: Me Ramën u ftohëm pasi mbështeti Thaçin

Në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti foli edhe rreth marrëdhënieve me kryeministrin Edi Rama, që sipas tij u ftohën pasi ky i fundit mbështeti presidentin Thaçi kur Vetëvendosje protestonte kundër tij më 29 shtator të 2018-ls.

Blendi Fevziu: Si janë raportet tuaja me Kryeministrin e Shqipërisë?

Albin Kurti: Raportet i kemi pasur shumë të mira, tash nuk mund të them se i kemi shumë të mira, por unë dua t’i përmirësoj ato për shkak se ne nuk jemi persona të veçantë, por krerë shtetesh.

Blendi Fevziu: Pse u prishët me Edi Ramën?

Albin Kurti: Besoj se kjo ka ardhur si rezultat i afërsisë së tepruar të Kryeministrit me Presidentin e Kosovës, në një kohë kur në Kosovë u zhvillua protesta më e madhe në Kosovën e pasluftës pikërisht kundër Presidentit. Ishte protesta e 29 Shtatorit të vitit të kaluar, me parullën “një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”. Ai më pas mbështeti presidentin e Kosovës.

Blendi Fevziu: Keni pasur bisedime private për këtë çështje me Ramën?

Albin Kurti: Jam takuar me të në Dhërmi, në rezidencën qeveritare, kemi diskutuar për shumë gjëra, për aq shumë gjëra jemi pajtuar, sepse jemi bashkë në forumet ndërkombëtare të partive simotra. Por për këtë gjë për mua ka mbetur pak enigmatike se si bëhet që ai nuk shkëputet dot prej aventurës së Presidentit, prej akrobacionit të tij të rrezikshëm për shkëmbim territorial.

Blendi Fevziu: A ka ardhur ftohja juaj për shkak të interferimit tuaj në politikën shqiptare? Nga zërat për krijimin e LVV në Shqipëri.

Albin Kurti: Nuk ka të bëjë me atë, jo fare nuk ka të bëjë me atë.

Blendi Fevziu: Do të takoheni shpejt me Ramën?

Albin Kurti: Po.

Blendi Fevziu: Po me presidentin e Shqipërisë?

Albin Kurti: Po.

Blendi Fevziu: Keni raporte të mira me Presidentin Meta?

Albin Kurti: Po kam raporte të mira, kam shumë kohë që se kam takuar.

Rama: Ndryshe nga Kurti, nuk bëj politikë me marrëdhëniet personale

Kryeministri Edi Rama ka folur nga Novi Sad i Serbisë, për marrëdhëniet e tij me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.Në një intervistë për Idro Seferin, Rama është shprehur se me Kurtin ka pasur komunikim të vazhdueshëm, por sipas tij, lideri i Vetëvendosjes bën politikë përmes marrëdhënieve personale dhe biseda që ata kanë shkëmbyer mes tyre.

“Unë me Albini kam pasur në vijimësi komunikim, kur s’kam qenë dakord ia kam thënë, kur s’ka qenë ma ka thënë, por ndryshe nga ai, unë nuk bëj politikë me marrëdhëniet personale dhe me bisedat që shkëmbejmë më njëri-tjetrin. Më vjen mirë që ai të marrë përgjegjësin e kryeministrit dhe t’i jap Kosovës energjinë dhe freskinë që kanë kërkuar prej tij ata që e kanë votuar”,-tha Rama.

Rama ka folur gjithashtu dhe për marrëdhënies mes tij dhe Presidentit të Serbisë Vuçiç. Gazetari Idro Seferi është kujdesur që t’i vërë në dukje Ramës se jo të paktë janë ata që e kritikojnë për një “lidhje” të ngushtë mes tij e Vuçiç. Rama thotë se jo pak herë është lënduar nga këto “gënjeshtra, abuzime e shpifje”. Rama ka hedhur poshtë sërish pretendimin që e afishon politikën e tij kah atyre eksponentëve që kërkonin të zbatonin idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë.

Këshilltari i Haradinaj: Fotos me Depardieu, i mungonte miku i Millosheviçit

Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit në largim të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi shefi i ekzekutivit në Shqipëri, Edi Rama, publikoi një fotografi me Albin Kurtin, kandidat për kryeministër të Kosovës nga radhët e partisë që doli e para në zgjedhje, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe me aktorin francez, Gerard Depardieu, i njohur si mik i afërt i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Matoshi thotë se fotografisë së Kurtit, Ramës dhe Depardieut, që e cilëson si mikun e Vladimir Putinit i mungonte edhe adhuruesi i Sllobodan Millosheviqit, austriaku Peter Handke, i cili mori çmimin Nobel për Letërsi. Halil Matoshi kritikon Ramën për deklaratat kundër Haradinajt.

“Porse, fitografia familjare e Edvinit dhe Albinit (Siç!?) me aktorin francez, nuk e plotëson mozaikun pa Peter Handken, mikun tjetër të Miloševićit!?Rama âsht mirë me propozu dhânien e “Çelësit të Vlorës” – qytetit të Ismail Qemal Vlorës, nobelistit austriak, derisa në anën tjetër, kërcënon dhe fyen Heroin e gjallë të Kosovës dhe homologun e tij kosovar, në detyrë, Ramush Haradinaj?!Degradimi i vlerave morale që njihen si vlera të përbashkëta europiane, nuk ka të sosun në tokën e shqiponjave”, shkruan Matoshi./Gazeta Liberale

 

Tags: , , , , , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back