Aktualitet

Ringritja e Kushtetueses, KED ndalon garën për 4 kandidatë

Shkruar nga Liberale
Ringritja e Kushtetueses, KED ndalon garën për 4 kandidatë

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka ndaluar vazhdimin e garës për katër prej gjashtë kandidatëve që synonin një vend në Gjykatën Kushtetuese. Ata kishin aplikuar për vendin e mbetur lirë në Kushtetuese pas shkarkimit nga vetting-u të gjyqtarit Besnik Muçi.

KED vlerësoi të ndalonte kandidimin e Sergjio Mazrekut, Sinan Tafajt, Shaqir Hasanajt dhe Zhaklina Petit. Sipas anëtarëve të Këshillit, ata nuk plotësonin një apo disa nga kushtet ligjore të nevojshme për kandidim në Kushtetuese. Ndërsa për dy kandidatët e tjerë, Sonila Bejtja dhe Eugen Papandile, KED do të vendosë për ta në mbledhjen e radhës, e caktuar për t’u zhvilluar këtë të premte.

Pasi kandidatët marrin dritën jeshile nga KED, ata i nënshtrohen filtrimit të pasurisë, figurës dhe profesionalizmit, intervistimit dhe pikëzimit. Në mbledhjet e kaluara, KED ka skualifikuar 2 kandidatë të tjerë për të njëjtin vend të lirë, ndërsa i ka dhënë dritë jeshile vetëm kandidati Altin Binaj.

Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka vetëm 4 anëtarë nga 9 që duhet të ketë në kushte normale, ndërkohë që një prej tyre, Vitore Tusha është në detyrë përtej mandatit të saj kushtetues.

Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) doli me një deklaratë ku fton prokurorët që kanë kaluar vetting-un të aplikojnë për dy vakanca në Kushtetuese të shpallura nga Presidenti dhe Kuvendi.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH