Kryesore

Rindizet lufta

               Publikuar në : 09:57 - 14/02/20 liberale

Raportet e reja, si për anëtarët e Kushtetueses ashtu edhe për paketën “Antishpifje” me gjasë do të ndezin debate të reja, ndërsa presidenti duket se po i rikthehet mbrojtjes së Kushtetutës, pas pauzës që pasoi tërmetin e 26 nëntorit, ndërsa opozita jashtëparlamentare është shprehur se do t’u rikthehet protestave nësë propozimet e saj nuk pranohen në tryezën e Reformës Zgjedhore.

Maxhoranca, Kuvendi, ndërkombëtarët. Presidenti Meta i ka shënjestruar me kritika gjatë takimit me delegacionin e Komisionit të Venecias, ndërsa i ka cilësuar ndryshimet ligjore që i heqin betimet e gjyqtarëve kushtetues tek presidenti i Republikës si “kryekçk” dhe ambasadorin Soreca  në “ndjekje të parasë”

Metaforën e kalasë në mbrojtje të Kushtetutës, të përdorur dy net më parë në një intervistë televizive, presidenti Meta e konkretizoi me një fotografi të postuar në Facebook, me mbishkrimin “Meme of the Day”. Me një skicë, marrë nga një video-lojë, titulluar “Rrethimi i të dëbuarve”, kreu i shtetit ironizonte duke i quajtur rrethuesit e kështjellës si Rilindja, ndërsa  institucioni i përfaqësuar prej tij si fortesa, ku mbrohej Kushtetuta dhe flamuri kombëtar.

Por nuk ishte vetëm kjo ç’ka i dha fund armëpushimit të perceptuar të ditëve të fundit, veçanërisht pas vizitës që presidenti dhe kryeministri patën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku axhendat e tyre të ndara u bashkuan në zyrën e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo.

Debati i dhjetorit që mori shkas nga emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, u depozitua edhe njëherë në Venecia, ndërsa mbërritja e ekspertëve të Komisionit duket se rindezi luftën mes kreut të shtetit dhe maxhorancës, të cilët çojnë përpara komisionin parlamentar për shkarkimin e presidentit.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, do të deklaronte pak kohë më parë se do të shtonin tek shkeljet kushtuese të presidentit  edhe ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese, kur ky i fundit u shpreh pas afatit ligjor prej 30 ditësh, ndërsa KED publikoi në fletoren zyrtare listën e kandidatëve duke shpallur automatikisht Arta Vorpsin si  gjyqtare, ishte Kuvendi që kërkoi edhe njëherë opinionin e Komisionit të Venecias mbi veprimet e presidentit.

Por edhe Meta, nga ana e tij, përmes 38 pyetjeve iu drejtua Venecias, ndërsa një delegacion mbërriti dje në Tiranë për çështjen.

Ndryshe nga takimet me dyer të mbyllura, presidenti kishte menduar dje të ftonte edhe mediat, duke e nisur takimin me ekspertët kushtetues me një duartrokitje simbolike dhe falënderim për hartimin e Kushtetutës, që siç është shprehur edhe më herët Meta ndryshimet e pësuara e kanë dëmtuar dhe për këtë bëri thirrje për Referendum.

“Bëmë një kushtetutë të mrekullueshme me Komisionin e Venecias dhe që u votua referendum nga populli shqiptar në ‘98. Profesor Caco në atë kohë, Buchichio kanë bërë një punë të mrekullueshme. Por që atëherë ne harruam çfarë ndodhi dhe herë pas here i kemi çmontuar mekanizmat ‘check&balance’ të Kushtetutës sonë”, u shpreh Meta, ndërsa lëvdoi punën e Venecias edhe për Reformën në Drejtësi, miratuar unanimisht nga të 140 deputetët e Kuvendit, kur ai ishte kryeparlamentar.

Vizita e delegacionit të Komisionit të Venecias, thirrur së pari nga Kuvendi e më pas edhe nga presidenti, përkoi me miratimin e ndryshimeve ligjore mbi organizimin e funksionimin e Gjykatës Kushtetuese,  që siç ishte paralajmëruar shmang betimin e gjyqtarëve tek presidenti i Republikës. Propozim që e mori shtysën pas ngërçit që u krijua me dy gjyqtaret, Xhaferllari dhe Vorpsi për të njëjtin vend. Megjithëse Kuvendi i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese të njihte Vorpsin, gjykata në mungesë quorum-i tha se nuk e zgjidhte dot ngërçin me vendim, duke njohur vetëm anëtarët e betuar tek presidenti.

Në ndryshimin ligjor të propozuar nga socialistët parashikohet që “nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, brenda 10 ditësh nga afati i zgjedhjes, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese”. Ashtu siç edhe veproi zonja Vorpsi, e cila u zgjodh anëtare përmes mekanizmit vetëzhbllokues, në një kohë kur presidenti emëroi Marsida Xhaferllarin nga lista e tij e dytë, për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Si presidenti, ashtu edhe Kuvendi kishin të paktën një pyetje të lidhur me betimet e gjyqtarëve, për Komisionin e Venecias. Presidenti pyet nëse nisma ligjore e Kuvendit për të ndryshuar procedurën e betimit është dëshmi e kapjes së Gjykatës Kushtetuese, nga Kuvendi të cilin ai e cilëson si monopartiak. Kuvendi i është drejtuar që në janar Venecias, kur ndër të tjera pyet nëse është e mundur që presidenti të mos e organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues kur në kuptim të ligjit konsiderohen të emëruar dhe nëse kjo cenon të drejtën e ushtrimit të detyrës.

Por as maxhoranca e as Kuvendi nuk pritën raportin e Venecias, të paktën për këtë pikë, duke e miratuar pasditen e së mërkurës ndryshimin ligjor që shmang domosdoshmërinë e betimit tek presidenti për të marrë zyrtarisht detyrën.  Në po të njëjtën seancë u miratuan edhe ndryshimin në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë, ashtuquajtur si paketa “AntiKÇK 2”, ku ILD do të veprojë në një kohë të shkurtër dhe të vendosë të propozojë në KLGJ dhe KLP pezullimin e një gjyqtari apo prokurori, të cilat po ashtu detyrohen të marrin një vendim po brenda një afati shumë të shkurtër kohor. Por deri në funksionim të plotë të ILD-së, do të jetë KLP dhe KLGJ që do të hetojnë dhe do të duhet të marrin vendime brenda 72 orëve për pezullimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, që kanë shkelur detyrën.

“Për çështjen e ligjit e pagëzuar si ‘kryekçk’ do te flas pasdite. U miratua çuditërisht para se Venecia të vinte!”, do të shprehej dje presidenti Meta, i cili do të ironizonte Kuvendin,  për arsyet që thirri opinionin e Komisionit të Venecias. “Unë e dua shumë komisionin e Venecias dhe Venecian! Vjet mora edhe ‘Luanin e Venecias’! Unë kurrë nuk do të thirrja Venecian për një çështje kaq të thjeshtë! Për të lexuar thelbin e kësaj çështje, anëtari i parë emërohet nga Presidenti, i dyti nga Kuvendi, i treti nga Gjykata e Lartë! Edhe dy fëmijë të klasës së parë e lexojnë qartë”, do të thoshte kreu i shtetit.

Edhe zëdhënësi i tij, Blushi, përmes një statusi në Facebook e quajti të çuditshëm miratimin e  ndryshimeve ligjore për betimin e gjyqtarëve tek presidenti.

“Së pari dua të shpreh çudinë e madhe që ky ligj miratohet në errësirë të plotë, vetëm pak orë para fillimit të takimeve të Komisionit të Venecias në Tiranë, të thirrur nga vetë Kuvendi, që tregon një mungesë serioziteti të plotë, panik për ngut dhe fakt të kryer. Pra,  Kap çfarë të kapësh”, do të shprehej zëdhënësi i presidentit, duke akuzuar Kuvendin për dhunim sistematik të Kushtetutës.

Në një intervistë për televizionin “Euronews Albania”, Meta do të shprehej se Kuvendi nuk ofronte më asnjë garanci për funksionimin normal të institucioneve dhe, duke e cilësuar ilegjitim, duhej të vetëshpërndahej.

“Ju garantoj se Presidenti nuk është mur por është një kala në mbrojtje të Kushtetutës dhe nuk ka as ndonjë vagabond ndërkombëtar që mund ta veje këtë në diskutim”, do të shprehej kreu i shtetit.

Por presidenti nuk i kurseu as kritikat e as ironitë edhe për ndërkombëtarët. Vitin e kaluar ai do t’i niste akuzat fillimisht duke folur për “ndonjë ndërkombëtar të korruptuar”, për të përshkallëzuar më tej me thirrjen ndaj përfaqësuesve diplomatikë  në Shqipëri për të mos u bërë qesharakë e për të mos u tallur me Kushtetutën. Në një tjetër konferencë për mediat do të ngrinte akuza ndaj George Soros dhe teorive të komplotit mbi një “deep state” që synonte kapjen e shtetit dhe më vonë do të shpallte non-grata në presidencë  ambasadorin e OSBE, Borchardt. Kritikat nuk i ka kursyer as për ish-ambasadorin italian Alberto Cutillo, i cili u shpreh që të kërkohej opinioni i Venecias për ngërçin në Kushtetuese, për ekspertët Euralius që sipas Metës penguan hedhjen e shortit të KED, dy vjet më parë, por edhe për ambasadën amerikane, duke u shprehur se “rruga e Elbasanit të çon në Xibrakë”.

“Mjaft më “Rule of Embassy”. Është koha për “Rule of Law”, shprehej presidenti në fund të vitit të kaluar, ndërsa i ka quajtur disa diplomatë si “lecka të Edi Ramës”. Përgjegjës për situatën kushtetuese e kishte cilësuar ambasadorin e BE-së, kohë më parë, ndërsa  ka ironizuar edhe dje gjatë takimit me delegacionin e Venecias.

“Ne këtu për fat të mirë apo të keq kemi dhe disa ekspertë ndërkombëtarë, me të cilët gjithashtu kemi bërë këtë Kushtetutë dhe që duhet të na ndihmojnë për të interpretuar drejt Kushtetutën. Mirëpo, edhe ata e kanë të vështirë ta bëjnë këtë çështje, se po merren me një gjë të madhe, po ndjekin paratë”, do të shprehej Meta, duke iu referuar Soreca-s dhe reagimit të  përfaqësisë së BE-së në Shqipëri rreth paketës “AntiKÇK”.  Sipas ambasadorit Soreca metoda “Ndiq paranë” ka rezultuar efikase, në vend ku është aplikuar, megjithatë ka theksuar se BE do të vëzhgojë nga afër zbatimin e saj. Presidenti do të qartësonte se ishte ndier i detyruar t’i pyeste edhe ai ekspertët për të marrë një informacion të plotë, ndërsa vetë ai e ka kërkuar opinionin e Venecias mbi paketën “Antishpifje”.

Pas një orë e dyzet minuta takim me presidentin, ekspertët e Venecias zhvilluan takim me kreun e Kuvendit, që i falënderoi për përgjigjet në kërkesat e shumta dhe të shpeshta si edhe pritet të takojë pas Vorpsit dhe kreut të KED, Dvoranit  kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe përfaqësues të opozitës jashtëparlamentare.

Ndonëse Kuvendi e ka thirrur Venecian në disa raste, opinioni i ekspertëve nuk është zbatuar ndërsa pak muaj më parë raporti përfundimtar mbi tetë pyetjet doli në përfundimin se presidenti nuk kishte kryer shkelje të Kushtetutës,  me anulimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve,  për të justifikuar shkarkimin e tij, Maxhoranca megjithatë vendosi të vijojë me komisionin hetimor për shkarkimin e presidentit,  duke shtuar edhe ngërçin kushtetues tek ato që socialistët i shohin si shkelje të rënda. Raportet e reja, si për anëtarët e Kushtetueses ashtu edhe për paketën “Antishpifje” me gjasë do të ndezin debate të reja, ndërsa presidenti duket se po i rikthehet mbrojtjes së Kushtetutës, pas pauzës që pasoi tërmetin e 26 nëntorit, ndërsa opozita jashtëparlamentare është shprehur se do t’u rikthehet protestave nësë propozimet e saj nuk pranohen në tryezën e Reformës Zgjedhore.

Ruçi: Komisioni i Venecias u është përgjigjur  gjithnjë kërkesave tona

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot delegacionin e Komisionit të Venecias, i cili ndodhet në Shqipëri për të diskutuar mbi kërkesën e Kuvendit mbi ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës të ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues.

Kryetari i Kuvendit falënderoi anëtarët e delegacionit mbi vullnetin dhe gatishmërinë e Komisionit të Venecias për të bashkëpunuar me Kuvendin e Shqipërisë dhe institucionet shqiptare dhe dhënë opinione mbi zhvillimet politike, kushtetuese dhe ligjore në vend.

“Kërkesat tona kanë qenë disi të shumta e të shpeshta, por Komisioni i Venecias iu është përgjigjur atyre me shpejtësi e cilësi të lartë dhe këto opinione janë konsideruar dhe inkorporuar në legjislacionin shqiptar”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit.

Në përgjigje të interesimit të anëtarëve të delegacionit, Kryetari i Kuvendit iu përgjigj pyetjeve të tyre lidhur me ngritjen dhe bërjen funksionale të organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe organeve të tjera si edhe pyetjeve konkrete mbi procedurat e ndjekura nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi gjatë procesit të emërimit të gjyqtarëve kushtetues.

Venecia” në Tiranë për antishpifjen, Meta: Liria e shprehjes, e drejtë kushtetuese

Delegacioni i Komisionit të Venecias për paketën anti-shpifje ka mbërritur në Tiranë ku janë takuar me kreun e shtetit Ilir Meta.

Sipas njoftimit të presidencës Meta ka theksuar se liria e shprehjes, mediat dhe e drejta e informimit janë të lidhura ngushtë me parimin e ndërtimit dhe funksionimit të një shteti demokratik.

“Pavarësia e pushtetit të medias është thelbi i funksionimit dhe mbarëvajtjes së shtetit të së drejtës. Nëse cenohet liria e shprehjes dhe e shtypit, dhe media vendoset nën kontroll politik, atëherë është cenuar dhe rendi i lirë dhe kushtetues, me pasoja direkte dhe shumë të rënda për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, – u shpreh ndër të tjera Kreu i Shtetit.

Gjithashtu, Presidenti Meta theksoi se “çdo nisëm ligjore që cenon të drejtën e fjalës së lirë, nuk është gjë tjetër vetëm një shkelje e hapur e gjithë parimeve kushtetuese demokratike. Hyrja në fuqi e ndryshimeve ligjore të miratuara nga qeveria do të përkeqësonte besueshmërinë e Shqipërisë, si një vend demokratik dhe i shtetit të së drejtës, si dhe të cenonte drejtpërdrejt procesin e integrimit të shpejtë të vendit në Europën e Bashkuar”. /Gazeta Liberale

 

Tags: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back