Aktualitet

Rindërtimi, ujësjellësit, deri te rrugët dhe bujqësia, si do të rishpërndahen 436 mln euro pas rishikimit të buxhetit 2023

Shkruar nga Liberale
Rindërtimi, ujësjellësit, deri te rrugët dhe bujqësia,

Akti Normativ, nga rishikimi i buxhetit 2023, rishpërndan rreth 46 miliardë lekë (436 mln euro), vlerë kjo e gjeneruar si rezultat i kombinimit të kursimeve në zërat që kanë pasur nën-realizim në nivel 9 mujor nga njëra anë, dhe alokimit të shtesave për politikat dhe projektet me performancë pozitive, nga ana tjetër.

Sot në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Ervin Mete, në terma konkretë, tha se gjatë periudhës janar-shtator, të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë realizuar 100.2%, ndërkohë, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë realizuar 111.4%, duke arkëtuar 10.4 miliardë lekë më shumë. Gjithashtu edhe për mbylljen e vitit 2023 parashikohet një performancë pozitive në realizimin e të ardhurave doganore dhe tatimore.

Sektorët që kanë udhëhequr rritjen ekonomike kanë qenë turizmi dhe ndërtimi, mbështetur nga rritja e kërkesës së brendshme. Në gjysmën e parë të vitit 2023, punësimi vijoi të forcohet, duke u rritur me 2.7% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që, shkalla e papunësisë vijoi tendencën rënëse të viteve të fundit, duke zbritur në 10.7%, një nga shifrat më të ulëta historike.

Mete shpjegoi para deputeteve se, shpenzimet publike gjatë 2023 janë karakterizuar nga kursime të larta, si pasojë e situatës së përmirësuar energjetikë, shpenzimeve më të ulëta për interesa, dhe ecurisë në disa projekte investimesh publike, sidomos me financim të huaj, të cilat për shkak të vonesave kryesisht procedurale nuk kanë arritur disbursimet e planifikuara. Ndërkohë, zbatimi i projekteve të brendshme, në veçanti procesi i Rindërtimit synohet të përshpejtohet më tej përmes rialokimit të fondeve shtesë të propozuara në këtë akt normativ.

Ministria tha se shtesat në shpenzimet buxhetore shkojnë në sektorë si rindërtimi, ujësjellësit, rrugët, bujqësia, policia e shtetit, etj. Në terma konkretë, rritjet më domethënëse janë aplikuar për:

Fondin e Rindërtimit që rritet në masën +12 miliardë lekë, me qëllim plotësimin e nevojave për financimin e projekteve në vazhdim, qe aktualisht zbatohen nga bashkitë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Kjo shtesë siguron financimin e plotë të punimeve të kryera deri tani, si dhe punëve të pritshme për t’u realizuar deri në fund të vitit 2023.

-Projektet me financim të brendshëm rriten me 13.8 miliardë lekë, kryesisht me qëllim akomodimin e detyrimeve për projektet në vazhdim të rrugëve me rreth 8.6 miliardë lekë, ujësjellësve me rreth 4.9 miliardë lekë, AKSHI-t me 2.35 miliardë lekë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit me 1.5 miliardë lekë. Fondet buxhetore për shpenzime kapitale po orientohen drejt atyre sektorëve, të cilët performojnë më mirë, natyrisht duke vlerësuar të gjithë sektorët.

-Shpenzimet Korrente rriten me 10.7 miliardë lekë, ku vendin kryesor e zë mbështetja për fermerët, skema e paaftësisë, ish-të përndjekurit, policia, sistemi i burgjeve, rrugët dhe mirëmbajtja e sistemeve të AKSHI-t.

-Fondi Rezervë dhe Kontigjenca është rritur 1.7 miliardë lekë, përkatësisht 300 milionë lekë fondi rezervë me qëllim garantimin e financimit të shpenzimeve të paparashikuara deri në fund të vitit 2023 dhe 1.4 miliardë lekë kontigjenca me qëllim adresimin eventual të të gjitha kërkesave të mbetura të institucioneve për mbulimin e efektit të aplikimit të pagave të reja për vitin 2023.

-Fondeve për pushtetin vendor u shtohen 250 milionë lekë për pjesën e taksave të ndara që i transferohen buxhetit vendor, për shkak të realizimit të lartë të tatimit mbi të ardhurat personale dhe taksës së rentës minerare në rang vendi. Gjithashtu, akordohet një shtesë prej 220 milionë lekë, në formën e transfertës së pakushtëzuar për mbulimin e shpenzimeve të veprimtarive dhe të funksioneve të njësive të vetëqeverisjes vendore me vështirësi financiare.

Në përmbyllje, është e rëndësishme të ritheksoj se ndryshimet e propozuara në këtë Akt Normativ, nuk prekin deficitin buxhetor, i cili ruhet në nivelin e planit fillestar 2023, duke siguruar rënien e mëtejshme të borxhit publik në raport me PBB-në.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH