Editorial

Rilindjen apo liritë, cilën do të marrë me vete Teatri?

Shkruar nga Liberale
Rilindjen apo liritë, cilën do të marrë me vete Teatri?

Gentian Kaprata – Urbanism & Democracy

Ashtu sikurse dihej se do ndodhte, Rilindja e shembi përtokë godinën e Teatrit Kombëtar. Se Teatrin, sikurse çdo godinë në të gjitha kohërat dhe në çdo cep të botës, nuk e rrëzuan ekskavatorët apo makineritë e tjera të ndërtimit. Atë nuk e rrëzoi as vetëm Prijësi ynë i Plotfuqishëm, megjithëse atij dhe kundërshtarëve të tij ju pëlqen që popull ta mendoj kështu! Teatrin e rrëzoi rilindja socialiste si një botëkuptim shoqëror mbi politikën dhe qeverisjen.

Atë e shembën të gjithë nga pak: ata që e kundërshtuan Rilindjen socialiste, por jo sa duhet për ta ndaluar; ata që e kundërshtuan, por që në fakt e forcuan për shkak të mënyrës së gabuar të kundërshtimit; ata që nuk e kundërshtuan se mendonin që qeverisja e saj nuk ndikonte në jetën e tyre; ata që nuk e kundërshtuan, sepse mbronin vendin e punës; ata që e mbështetën se nuk e kuptuan; ata që e mbështetën për shkak tifozërie partiake; ata që e mbështetën se ndanin plaçkën e grabitur bashkë me të; ata që e mbështetën se ishin pjesë të saj; zyrtarët që draftuan dhe nënshkruan “dokumentet” për prishje; dhe së fundi Prijësi dhe mëkëmbësi tij në Tiranë!

Pse është kështu, ne kemi folur për shtatë vite me radhë dhe do të flasim përsëri në të ardhmen, sepse sot do të flasim mbi çfarë do të ndodh pas këtij akti antikushtetues, antiligjor, antimoral!

Teatri do të marrë me vete, ose Rilindjen socialiste, ose demokracinë dhe shtetin e të drejtës! Që do të thotë se, situatën e sotme nuk duhet ta projektojmë në situatën e vitit 1990-të, por në 1944.

Diferenca mes dy kthesave epokale për popullin shqiptar, në shekullin e kaluar, është shumë e dallueshme. Nëse në vitin 1990-të kasta oligarkike komuniste kishte dakortësuar, edhe më parë se t’ia kërkonte populli, dorëzimin e pushtetit të saj politik; kasta e sotme oligarkike, njësoj si grupi i komunistëve që morën pushtetin në 1944, e shohin si një moment për të forcuar pushtetin e tyre shtrëngues. Nëse në vitin 1990-të kasta oligarkike komuniste kishte kundërshtarë të vendosur faktorin ndërkombëtar; kasta e sotme oligarkike, njësoj si grupi i komunistëve që morën pushtetin në 1944, gëzojnë akoma asnjanësinë e shteteve demokratike të perëndimit.

Personalisht, do ta krahasoja prishjen e Teatrit me pushkatimet pa gjyq të kundërshtarëve politik! Në atë kohë, ndërkombëtarët nuk kishin ndonjë gjë për të thënë se ishin të zënë me luftën kundër nazistëve në vendet e tyre dhe komunistët i kishin pasur aleatë në këtë luftë; kurse sot janë të zënë më luftën ndaj koronavirusit, ndërsa përsëri i kanë pasur aleatë në reformën e drejtësisë.

Se çfarë bëri, apo më mirë çfarë arriti populli shqiptar, në vitin 1944, nuk ka nevojë ta them unë! Çështja është, çfarë do bëj populli shqiptar sot? Kë do lëshoj populli shqiptar, rilindjen socialiste apo lirinë e saj. Sepse Teatri do ta marri një nga këto të dyja me vete, dhe kjo është i sigurtë!

Pas shtatë vjet qeverisje rilindase dhe me shembjen e Teatrit Kombëtar, vështirë të ketë ngelur shqiptar që nuk e kupton kthimin mbrapsht në proceset demokratizuese dhe liberalizuese, që startuam në vitin 1990-të. Edhe nëse kanë mbetur, janë aq pak, sa nuk përbëjnë faktor politik. Sot, dukshëm, të gjithë shqiptarët e kuptojnë se demokracia, qoftë edhe hibride, dhe tregu i lirë, qoftë edhe i deformuar, janë në rrezik. Çështja është, a e kuptojnë shqiptarët që gjithçka në jetën e tyre, nga më elementarja deri te më, varen pikërisht nga liritë politike, ekonomike dhe shoqërore të tyre? Këtë nuk e dimë, por do ta mësojmë shumë shpejt në ditët dhe javët në vijim.

Ajo që dimë me siguri është fakti se Teatri Kombëtar nuk do të shembej, dhe shumë veprime të tjera të kësaj qeverisje nuk do të kishin ndodhur, nëse ne shqiptarët (përfshirë edhe mua) do ti kishim ushtruar dhe mbrojtur liritë tona. Nëse ne do të ushtronim liritë tona politike dhe ekonomike, dhe nëse do t’i mbronim ato kur do të na i sulmonin, sot nuk do të kishim ligje antikushtetuese dhe qeverisje fashiste të ngritur mbi zgjedhje të blera nga krimi i organizuar.

Të gjendur në një situatë si ajo kriminalja e vitit 1944, jam i bindur që shumë shqiptarë do dalin në kërkim të lirive të humbura, por nuk jam i bindur që shumësia e tyre do të jetë e tillë sa ta ndryshojë situatën e sotme. Sepse ajo që duhet ti japim sot Shqipërisë është kthesa që nuk e morëm dot në vitin 1944, por që në kushte të tjera e morëm në vitin 1990. Dhe pas kësaj, të vijojmë ushtrimin dhe mbrojtjen e lirive tona, që të mos gjendemi më në të njëjtën situatë si sot./Gazeta Liberale

gentiankaprata.blogspot.com

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH