Aktualitet

Rikthimi i vlerësimit për Publicistikën nën simbolikën e Lumo Skëndos

Shkruar nga Liberale
Rikthimi i vlerësimit për Publicistikën nën simbolikën

Nga Prof. Asoc. Dr. Belina BUDINI

Të asociohesh me emrin e penës së Mit’hat Frashërit, Lumo Skëndo, si autor ose publicist është pa asnjë dyshim prestigj. Dorëzimi i një Çmimi që mban emrin e Lumo Skëndos, nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, është dy herë simbolik, pasi i rikthen njohjen dhe vlerësimin e mohuar në radhë të parë vetë emrit të Mit’hat Frashërit si një nga autoritetet vlerore më të larta të botës shqiptare. Simbolika e dytë lidhet me fushën në të cilën jepet ky Çmim, ajo që vetë Lumo Skëndo e ka lëvruar me peshën dhe thellësinë e një mendimtari kalibri. Si një personalitet i shumë-anshëm dhe figurë e rrallë për karakterin idealist dhe moralin intelektual, sigurisht që ky emër i bën nder gjithkujt që asociohet me të, veçanërisht në lëmin e publicistikës.

Nga ana tjetër, më duhet të pohoj që pozicioni i autoritetit vlerësues nuk është ndonjë privilegj pasi shpesh kthehet në një siklet profesional e njerëzor, ndërsa, edhe këtë radhë juria ishte në vështirësi për të vendosur fituesin, sikurse edhe vitin e kaluar. Edhe pse kriteret për nominimet ishin të qarta dhe transparente, duke u përqendruar tek natyra publicistike e veprave, kontrasti ndërmjet veprave ishte i madh sa i përket llojit të publicistikës së lëvruar, që nga ajo historike tek ajo letrare dhe me ngjyra biografike apo edhe studimore. Lista e pesë finalistëve të përzgjedhur e ilustron më së miri këtë larmishmëri, duke nisur nga vepra e Mero Bazes, “Republika e Parë”, tek ajo e Blushit “41 sekrete”, duke vijuar me Aleksandër Çipën dhe librin e tij “Dheas të Fjalës”, librin e Eleni Laperit, “Kol Idromeno, themeluesi i artit realist shqiptar”, e deri tek autori i ri Evarist Beqiraj me librin “Themeluesi – lidershipi i Ismail Qemalit”.

Këtë edicion të dytë kemi pasur rastin të përzgjedhim, shqyrtojmë dhe vlerësojmë prurjet në zhanrin e publicistikës për vitin 2022, duke u përpjekur të krijojmë gradualisht një fizionomi më të qartë për identitetin e këtij Çmimi për vazhdimësinë e tij. Por kjo nuk do të jetë e lehtë, për shkak se botimet e mirëfillta publicistike janë të pakta në numër, edhe pse autorët që e lëvrojnë atë janë ndër penat më të rëndësishme dhe më me ndikim në hapësirën publike.

Sisteme të tilla vlerësimi mund të shërbejnë nga ana tjetër për të inkurajuar botimet në këtë fushë dhe për të krijuar hapësira të reja për to. Por as kjo përzgjedhje as ndonjë tjetër nuk jep gjykim final për asnjë vepër apo autor, por shërben më së shumti për të nderuar e celebruar bibliofilinë që ishte edhe një nga dimensionet më të rëndësishme të veprimtarisë së Lumo Skëndos.

Nga përvoja e deritanishme me Çmime të tilla si ai At Zef Pllumi që jepet edhe në publicistikë, krahas gjinive të tjera, si edhe në Çmimin Letrar Kadare që jepet nga Universiteti Europian i Tiranës, kam parë se të tilla vlerësime nxisin krijimtari dhe kontribute, përveçse shërbejnë për të vlerësuar ato ekzistuese, ndaj uroj që çmimi Lumo Skëndo të shërbejë edhe për të motivuar autorët e rikthyer vëmendjen tek publistika si një ndër zhanret më të spikatura të mendimit dhe reflektimit mes gazetarisë dhe letërsisë, artit dhe politikës, historisë dhe mendimit e reflektimit intelektual.

Këtë javë Instituti "Lumo Skëndo" i drejtuar nga z. Uran Butka, përuroi edhe veprën e tetë të Mit’hat Frashërit, ndaj këto dy evente brenda një jave në nderim të këtij personaliteti të kulturës e letrave shqipe ishin një lajm i mirë kulturor në qytet. Urojmë që projekti për rikthimin e librarisë së famshme të Lumo Skëndos në qytet të jetë lajmi tjetër i mirë në bashkëpunimin me UET.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH