Kryesore

Rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë

               Publikuar në : 10:33 - 25/10/21 liberale

150 vite më parë, më 23 tetor 1871, lindi në Fishtë të Zadrimës, një ndër penat më të fuqishme të letrave shqipe, poeti Gjergj Fishta. Figura më e madhe dhe më e fuqishme e letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë, Fishta, i dha shprehje artistike shpirtit kërkues të shtetit të ri sovran shqiptar.

“N’ty mendoj kur agon drita,
kur bylbyli mallshëm kndon,
n’ty mendoj kur soset drita,
terri boten kur e mblon”…
…“Deri sa t’mundem me ligjrue
e sa gjallë me frymë un jam,
kurr, Shqypni, s’kam me t’harrue,
ene n’vorr me t’permendë kam”.

Është hera e parë që personaliteti i Gjergj Fishtës si poet, orator, estet, studiues, publicist, mendimtar e botues, trajtohet në një forum shkencor në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në konferencën shkencore ad honorem, “Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë”.

Kryetari, akad. Skënder Gjinushi e konsideroi Fishtën një figurë mbizotëruese për botën albanologjike të kohës që jetoi.

“Përse Gjergj Fishta meriton të nderohet në një konferencë të tillë ndër-akademike dhe ndëruniversitare?

Sepse, që prej Kongresit të Manastirit, deri kur u nda nga jeta, nuk ka ngjarje të rëndësishme kombëtare, arsimore, kulturore, në të cilën ai të mos ketë qenë pjesëmarrës dhe me rol të rëndësishëm vetjak, prandaj do të vlerësohet në vazhdimësi si i tillë.

Themelues e bashkëthemelues i Shoqnisë së bashkimit të gjuhës shqipe, e njohur më pas si shoqëria Bashkimi në pikëtakimin e dy shekujve; kryetar i komitetit që drejtoi kongresin e njësimit të alfabetit të shqipes në Manastir (1908). themelues i Hyllit të Dritës, tribuna shkencore dhe letrare më me rëndësi gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit të kaluar;

Gjergj Fishta ka qenë gjithnjë aty ku po ndodhte historia me gjithë dritëhijet e veta; është një emër që nuk mund të ndahet prej momenteve më të rëndësishme të saj; delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes të Versajës (1919), me një rol të dallueshëm në mbrojtje të çështjes shqiptare; nënkryetar i Këshillit Kombëtar të dalë nga aktet e Kongresit të Lushnjes më 1921; mbështetës i lëvizjes demokratike që kryesohej nga Noli dhe Gurakuqi, model oratorie në fjalën përcjellëse të Avni Rustemit; mik letërsie dhe njerëzie me Lasgushin dhe Asdrenin; deputet e gojëtar që ka lënë gjurmë në historinë e parlamentarizmit shqiptar; nxitës prej më të parëve për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Amerikën.

Gjergj Fishta qe një figurë mbizotëruese veçmas në periudhën midis dy luftërave sepse ishte kthyer në pikë reference jo vetëm për letërsinë e kohës, për ata që e admironin e për ata që e quanin jashtë mode; por para së gjithash për botën albanologjike të asaj kohe në tërësi.

Më 1937 ishte Ndre Mjeda ai që ndërmori të parën nismë të themelimit të një akademie shqiptare, që njihet si Akademia Saveriane, e cila është pjesë e historisë së gjatë të akademizmit shqiptar, që nis simbolikisht që me shekullin e Voskopojës dhe Akademinë e Re të saj. Në mesin e vitit 1939 Fishta u emërua anëtar i Akademisë Mbretërore të Italisë, që sot njihet si Accademia Nazionale dei Lincei.

Sa u takon kontributeve në historinë e letërsisë shqipe, Fishtës gjithnjë do t’i njihet merita e pasurimit të llojeve dhe nënllojeve të munguara të saj, duke filluar prej poemës epike heroike deri tek melodrama.

Tri merita janë të pazëvendësueshme në krijimtarinë e tij në kuadër të gjithë letërsisë shqipe, prej fillimeve deri në mesin e shekullit të kaluar.

Jo pa shkak, letërsia shqipe, prej fillimeve deri në vitet 1920-1930, e kishte mendjen e vëmendjen tek moti i madh; epoka e Gjergj Kastriotit. Mund të thuhet se për letërsinë shqipe nuk ekzistonte asgjë me rëndësi që prej asaj epoke të lavdishme. E tillë ishte para së gjithash letërsia arbëreshe, që shprehte përmes lavdisë së moçme edhe krenarinë e prejardhjes. E tillë ishte edhe letërsia e Pjetër Budit dhe Pjetër Bogdanit; e Naimit, e rilindësve dhe pjesës më të madhe të shkrimtarëve të periudhës së Pavarësisë. Letërsia shqipe mund të thuhet se ishte mbërthyer, ishte kryqëzuar tek figura e kryeheroit, tek kryezoti i Arbërisë, që ishte edhe simboli i shpirt të saj të mbijetesës. I pari që “guxoi” ta shpërngulte letërsinë së paku katër shekuj, tek një epokë tjetër me një rëndësi fatale për popullin shqiptar, siç qe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, qe Gjergj Fishta.

Poema e tij, kryevepra me të cilën identifikohet me të drejtë, Lahuta e Malcìs, para se të ishte guxim krijimtarie, ishte guxim për të bërë atë që quhej e pabëshme, për të ardhur tek ngjarjet e bashkëkohësisë, tek kryengritjet e malësorëve sa kundër pushtuesve otomanë aq edhe kundër revanshizmave të fqinjve. Mbas Lahutës së Malcìs ishte e lehtë për këdo tjetër të shkruante për ngjarje të kohëve të reja sepse ja, edhe në këto ngjarje kishte dinjitet për letërsi.

Merita e dytë e madhe e Gjergj Fishtës është se e ndau përfundimisht lahutën nga heronjtë legjendarë, nga kreshnikët parahistorikë, nga epoka e gojëdhënave kombëtare, tek figurat që do të meritonin jo shumë më vonë monumentin historik: prej Dedë Gjo Lulit e Oso Kukës deri tek Frashërlliu i Toskërisë; prej Tringës së Dukagjinit deri tek Ali pashë Gucia; prej Marash Ucit të Uc Sokolit deri tek prijësit dhe luftëtarët e tjerë të mbrojtjes së trojeve shqiptare nga lakmitë e të huajve, nga vendimet e padrejta të kongreseve ndërkombëtare; të çlirimit të tyre nga sundimi i huaj.

Dijetari gjerman Maximilian Lambertz, kur shkroi se Lahuta e Malcìs ishte epopeja e madhe e shqiptarëve krahasuar me eposin e kreshnikëve, të cilin e quante epopeja e vogël, me siguri këtë kishte parasysh. Eposi heroik legjendar ishte i vogël jo nga bëmat, sepse bëmat e tij ishin të mbinatyrshme, por për shkak se shqiptarët tashmë kishin nevojë për heronj të vërtetë, për njerëz frymëzues që nuk luftonin për bjeshkë e grabitje, por për kufirin e shtetit, për trojet e të parëve. Këtë shpërngulje të madhe epokale prej një periudhe të kryehershme, që ishte mbyllur me këngët për betejën e Fushë Kosovës, e bëri Gjergj Fishta.

Në traditën e shkrimeve shqip shumë herë ka ndodhur që laikja dhe religjiozja të bëhen bashkë. Por Gjergj Fishta, edhe duke qenë një poet që vinte nga radhët e klerit franceskan dhe që urdhri i rendit i kërkonte respektimin e kanonit, arriti si rrallëkush tjetër t’i bënte bashkë mitet psagane dhe mitet e krishtera, në një vepër që kishte receptimin më të madh për kohën kur u botua. Ky ishte një akt i shkëlqyer emancipimi, që do të guxonim ta quanim edhe iluminist.

Figurativisht vepra e Gjergj Fishtës i kaloi të tria fazat: parajsën, ferrin dhe purgatorin. Prandaj flasim për tri kohë të Gjergj Fishtës në historinë e letërsisë shqipe, që janë kohët e nderimit, mbijetesës dhe rikthimit.

Akademia e Shkencave, me këtë konferencë, po hedh një hap për të inkurajuar mirësekthimin e Fishtës.

Nuk është kthim i djalit plangprishës, por i poetit të dëbuar, i cili ka pritur dekada të tëra të na thoshte, ashtu siç shkroi njëri prej pasuesve të tij, Martin Camaj: Unë jam i jueji, ju jeni të mitë.

Ose siç pati shkruar Naimi:

Unë jam në shpirtin tuaj

Mos më merrni për të huaj.”

Në aktivite të ndryshme që u organizuan, kryesisht në Lezhë, u recituan vargje të Fishtës si edhe u organizua ndarja e çmimeve “At Gjergj Fishta” në përkujtim të 150 vjetorit të lindjes. Poeti Preç Zogaj fitoi çmin e parë me librin e tij më të fundit me poezi “Një e tretë, Dashuria”, botim I Uetpress 2021. /Gazeta Liberale

 

 


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back