Aktualitet

Rikthimi i dënimit me vdekje, progres apo regres?

Shkruar nga Liberale
Rikthimi i dënimit me vdekje, progres apo regres?

Reagimi i publikut për të kërkuar drejtësi për një krim kaq makabër është i drejtë, por a është e udhës zbarkimi i histerisë kombëtare për rikthimin e dënimit me vdekje? A prodhon efekt pozitiv dhe riparues ky dënim? A e parandalon dënimi me vdekje kryerjen e veprave makabre si ajo që ndodhi së fundi?

Av.Matilda Balliu

Zgjimi dhe vënia në provë e opinionit publik, ndodh sa herë ka ngjarje të rënda që tronditnin publikun, ashtu sikurse ishte ngjarja e ndodhur 2 ditë përpara, ku një i mitur u rrëmbye, u dhunua dhe u vra në mënyrën më barbare dhe çnjerëzore.

Natyrshëm, kushdo që ka dëgjuar këtë ngjarje ka ndjerë njëherazi një kakofoni emocionesh, si zemërim, dhimbje, neveri dhe përbuzje, dhe nevojë për hakmarrje për të vendosur në vend drejtësinë, për jetën e marrë një krijese të pafajshme.

Ngjarja është vërtetë shumë e rëndë, aq më shumë kur autori kishte precedentë të mëparshëm të dhunës së ushtruar ndaj banorëve përreth.

Reagimi i publikut për të kërkuar drejtësi për një krim kaq makabër është i drejtë, por a është e udhës zbarkimi i histerisë kombëtare për rikthimin e dënimit me vdekje? A prodhon efekt pozitiv dhe riparues ky dënim? A mundet të justifikohet marrja e jetës me motivin që e Meriton si pasojë e krimeve që ka kryer? A është në gjendje që aplikimi i dënimi me vdekje të ktheje mbrapsht jetën e viktimës së vrarë nga autori? A e parandalon dënimi me vdekje kryerjen e veprave makabre si ajo që ndodhi para 2 ditësh?

Nëse shohim se cilat shtete aplikojnë ende dënimin me vdekje, ku përveç SHBA-së, të gjithë shtetet e tjera janë vende ku operon regjim diktatorial, vende të pazhvilluara, që shkelin në mënyrë të vazhdueshme të drejtat e njeriut, apo të cilat kanë shtet fetar. Nëse marrim shembullin e SHBA-ve, që edhe pse ekziston dënimi me vdekje, nuk shihet që të ketë ndikuar në uljen e kriminalitetit për ato vepra për të cilat parashikohen dënim me vdekje. Kjo pasi, sistemi frenues, parandalimi I përgjithshëm që synohet të arrihet me dënimin me vdekje është i ulët, pasi kategoria e autorëve të këtyre veprave penale, janë persona të cilët kanë probleme të shëndetit mendor, që nuk arrin të japë efektin e parandalimit për kryerjen e veprave penale. Vetëm njerëz të cilët kanë problem të tilla, arrijnë të kryejnë vepra makabre dhe ndonjëherë pa asnjë motiv.

Drejtësia restauruese, që ka për qëllim shmangien në të ardhmen të këtyre ngjarjeve, duke marrë një sërë masash që kërkojnë implementim afatgjatë. Më tepër se qëllim dënues, drejtësia duhet të ketë qëllim restaurues, pasi vetëm nëse në kuadër të marrjes së politikave riparuese dhe shmangies së krimeve, themi se kemi arritur të vendosim drejtësi. Pasi, jetët e ikura nuk kthehen më, edhe sikur autorët e krimeve mizore të dënohen me vdekje, por mund të shmangim ikjen e jetë vetë tjera?

Nëse shohim vendet nordike, si Norvegjia, Danimarka apo Suedia, ku niveli i krimeve është shumë i ulët apo kur për shumë vite me radhë nuk ka pasur të raportuar asnjë vrasje dhe kjo jo si pasojë e ekzistencës së dënimit me vdekje, pasi asnjë prej këtyre shteteve nuk e njohin në ligjin e tyre këtë dënim.

Mos vallë problemi që më pas gjeneron krime dhe viktima, është mungesa e sinjalizimit, identifikimit, si dhe trajtimit të specializuar të kategorisë së personave që kanë probleme të shëndetit mendor. A nuk duhet të fillojë ndërgjegjësimi fillimisht tek ne si qytetarë, që duhet të reagojmë dhe jo të kthejmë kokën nga ana tjetër kur shohim dhunë nëpër rrugët që kalojmë? A nuk duhet të jemi ne që të kërkojmë ngritje të strukturave të posaçme për trajtimin e njerëzve që kanë probleme në komunitet, që shfaqin sjellje të dhunshme, që të mbahen nën mbikëqyrje dhe të ndiqen rregullisht?Mendoj se thjesht ideja e rikthimit të dënimit me vdekje është regres jo vetëm për vendin tonë, por për këdo shtet që e ka pjesë të sistemit të dënimit. Paqja nuk mund të fillojë kurrë me dhunë, me frikë apo vdekje, paqja nis kur qëllimi i drejtësisë është shmangia e krimeve sipas drejtësisë restauruese.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH