Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është rikthyer në Parlament dhe premton se do të rikthehet edhe në politikën aktive, madje duke nisur që në këto zgjedhje. Basha nuk bëri të ditur se në cilën formë do të rikthehet, por me siguri aty ku e la, dhe pas marrjes së vulës nga grupi “Alibeaj”, duket se do të nxisë thirrjen e forumeve drejtuesve për zgjedhjen e kryetarit të ri.
Basha ishte i pranishëm këtë të hënë pas seancës së posaçme parlamentare, ku mbajti fjalën Presidenti i Austrisë i cili zhvillon vizitë zyrtare në vendin tonë.
Në dalje të Parlamentit, Lulzim Basha u pyet nga gazetarët për gjendjen, në të cilën ndodhet Partia Demokratike dhe për zgjedhjet vendore të 14 Majit.
Basha tha se do të marrë pjesë në këto zgjedhje, në të gjithë Shqipërinë.
Ndiheni përgjegjës për humbjen e mundshme të PD-së?
Përgjegjës është ai që ka përçarë PD-në.
Keni komunikuar me Alibeajn?
S’kam asnjë koment tjetër për sot.
Është bërë publike dhe raporti i auditit për sa i përket 500 mijë dollarëve që akuzohet se PD ka marrë para. Berisha tha që këto para nuk kanë hyrë dhe as nuk kanë dalë nga PD. Nga i keni marrë këto para?
Pyesni listën e të ftuarve në festat e tij familjare.
Z.Basha, do bëni fushatë? A do jeni aktiv në këto zgjedhje?
Sigurisht që po.
Në cilën zonë?
Në të gjithë Shqipërinë.