Leteratura

Rikard Ljarja në Budapest

               Publikuar në : 10:14 - 02/03/20 liberale

Ese nga Roland Gjoza

Nuk është ëndërr. Ashtu ndodhi vërtet. Ku ta lë qenin, tha Rikard Ljarja. Ishte një shepherd shumë i bukur, me një qime të kaftë, hundë të zëzë si sfungjer të njomë, sy të gështenjtë me një shikim sugjestionues, bënte një rrëzomë elegante te kembët e pasme dhe tundte bishtin e zi. Merre me vete, i thashë. Niseshim për në Hungari, nga çasti në çast vinte mercedes-benzi i televizionit të na merrte. Jo, nuk vij, s’kam ku ta lë. Një tip i ngrysur, stresues, ky Rikardi, po kaq i paqtë sa të dhimbsej. Dhe ai e mori me vete. Në aeroport qeni i kërceu në duar dhe ai e mbajti për një çast, u kërleshën të dy dhe pastaj u ndanë. Merreni, çojeni te Bardhi. Po kujt ia la? Hipëm në avion. Kujt ia le qenin? Kishte veshur kostum të ri, dukej si dhëndër, po nuk ia falte vetes që ishte plakur. Në gjysmë të udhëtimit më tha; Edhe po s`e morën, ai e gjen vetë Bardhin. Po kush është Bardhi? Kasapi i lagjes. Ç’më lodh kot, ç’më duhet mua Hungaria. Kisha krijuar nje stereotipi të këndshme në shtëpi, një harmoni me veten. Pse më hap plagë. Kishte të drejtë. Hoteli me pesë yje, secili nga një apartament komod. Ai s’donte të dilte më.

Ku të shkojmë, më kanë ardhur në majë të hundës vendet e huaja, nuk kam më kuriozitet. Nuk e kuptova thuajse fare në fillim, po më pas ia zbulova krimbin që po e grinte. Filmi. Aktorët. Regjisorët. Sapo na kishin hequr të gjithëve nga Kinostudioja dhe endeshim me një strajcë me ëndërra. Rikardi ishte harruar. Pastaj erdhi ajo kafeneja Petef, ku pimë kafe në një ditë shiu ndërsa tek ura mbi Danub ishin mbytur tre çifte të rinjsh. Gjithmonë hidhen nga ura, na tha shoqëruesi, Budapesti ka shumë lagështirë, mjegulla, është një qytet depresiv. Sa japin për filmin këtu? pyeti Rikardi. 30 milion euro. Për 30 filma. U mbyll studioja e filmit? pyeti Rikardi sërish. Jo, qeshi tjetri, asgjë nuk u mbyll, veç u shkurtuan fondet. I hodhi njeri në rrugë kineastet? Ç’flet, një kineast i mirë është më i rëndësishëm se presidenti. Ata njihen, aktorët.. veç para s’ka si më parë. 30 filma, tha Rikardi dhe kapi mjekrën me dorë. Po tek ju? pyeti shoqëruesi. Një mut, tha Rikardi. Shoqëruesi pyeti; Çfarë? Rikardi nuk i ktheu përgjigje. Kush e ka këtë kafene? pyeti ai sërish. Një poet. Shiti një fermë derrash dhe ndërtoi këtë kafene për poetët. Çdo tavolinë kishte shtatoren e një poeti hungarez.

Ne kishim Petefin. Domethënë ne po pimë kafe me Petefin, tha Rikardi me një të qeshur si i dalldisur, sikur po tallej. Tjetri mbeti i çuditur, nuk po e kuptonte ironinë e Rikardit. Po poezia shitet? pyeti Rikardi. Lexohet, deshe të thoje? Jo, shqiptarçe, a e blen njeri? Jo si përpara, është në krizë. Po poezia pëlqehet shumë, lexohet nëpër salla të ndryshme. Po tek ju? Libraritë s’pranojnë libra me poezi. Poetët i botojnë librat me paret e tyre. Po teatrot? pyeti Rikardi. Vetëm në Budapest janë nja tridhjetë teatro private, përveç atyre shtetërorë. Teatri i Operas dhe Baletit ka nja 25 regjisorë të dëgjuar. Biletat shiten nje vit përpara. Ja, tani që flasim, trupa shtetërore luan baletin Zbutja e Kryeneçes, të Shekspirit. S’ka bileta. Janë shitur tre muaj përpara. Po si kështu? pyeti Rikardi. Ne shkojmë e vijmë me vendet fqinje; Austri, Ceki, Sllovaki, Rusi, Rumani, Bullgari.. Unë pas pak do të nisem për në Vienë të shoh Rikardin e Tretë. Pinte Petefi? pyeti Rikardi. Nuk e di, tha tjetri. Unë pi, tha Rikardi, brandi. Kur i kishte kthyer nja tri gota, e pyeti përsëri; Pse nuk e dhisni artin si ne? Çfarë? Një mut! Tjetri qeshi. Po heronj keni? pyeti Rikardi.

Ne jemi pasardhës të mongolëve, ata, gjatë mësymjeve për të çare portat e Austrisë dhe për të pushtuar Europën, fushuan në fushëtirat tona pafund, këtu sikur gjetën rrafshultën mongole dhe qëndruan.. në kohën që vdiq prijësi i tyre dhe Europa shpëtoi nga rastësia, në atë kohë, pra.. Nuk e mohoni që keni prejardhje mongole? Tjetri qeshi; E pse ta mohojmë? E kemi për krenari që kemi gjak Cingiz Khani. Ne kemi Sheshin e Heronjve, plot me shtatore, po sa herë që Hungaria bie në qetësi, frekuentohet sheshi i poetëve.. Po tani është kohë krize, biznes, para, divertiment, depresion.. megjithatë hungarezi e do violinën cigane, kuajt, dashurinë, artin, bën, megjithatë, për to.. sido që të vijë ne dime përmëndësh shumë vargje.. Dhe unë di, tha Rikardi dhe fillojë të recitojë Lahutën e Malsisë me një tërbim të çuditshëm sikur ia kishte inatin dikujt dhe po i zbrazej.

U kthyhem në hotel dhe Rikardi mori në telefon Bardhin. Pastaj dëgjova lehje. Rikardi nuk mbahej. Po bashkëbisedonte me qenin e tij që ia njohu zërin dhe lehte papushim. Art, thirri Rikardi, ky qen më ka mbetur nga arti, Roland dhe fshiu nje pikë lot. /Gazeta Liberale

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back