Aktualitet

Rezistoi mbi një muaj, Kurti dorëzohet dhe pranon kërkesat e BE: Zvogëlohet prania policore në veri

Shkruar nga Liberale
Rezistoi mbi një muaj, Kurti dorëzohet dhe pranon kërkesat e BE:

Qeveria e Kosovës ka vendosur të zvogëlojë praninë policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën. Të gjitha hapat, sipas Qeverisë së Kosovës, do të "finalizohen brenda një periudhe dyjavore".

Ky pajtim u arrit gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratisllavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Sipas njoftimit të Qeverisë, prania policore në dhe rreth ndërtesave komunale në veri do të zvogëlohet menjëherë për 25 për qind.

Po ashtu, Kosova dhe BE-ja janë pajtuar edhe për ndërmarrjen e disa hapave të tjerë.

"Qeveria e Kosovës përmes një deklarate publike mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit dhe atë pas stinës së verës", tha Qeveria, duke shtuar se institucionet në Prishtinë shprehin përkushtim që të sigurohet baza e nevojshme ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Po ashtu, Policia e Kosovës, së bashku me misonin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe misionin paqeruajtës në NATO-s në Kosovë, KFOR, sipas nevojës do të bëjnë vlerësimin e gjendjes së sigurisë "në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlimin e mëtejmë të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale", njoftoi ekzekutivi.

"BE-ja do të ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel me synim të finalizimit të planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt normalizimit, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes", tha Qeveria e Kosovës.

Edhe BE-ja ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se është pajtuar me Kosovën për këto pika, që synojnë shtensionimin e situatës në veri. Sa i përket takimit mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, REL merr vesh se ai do të mbahet javën e ardhshme.

Bashkimi Evropian kishte paraqitur disa kërkesa për uljen e tensioneve në veri, që nisën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Që atëherë, serbët lokalë po protestojnë në veri, duke kërkuar që përveç kryetarëve, të tërhiqen edhe njësitë speciale policore nga veriu.

Kërkesat e BE-së për Kosovën dhe Serbinë

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, më 22 qershor ka paraqitur kërkesat e bllokut evropian për Kosovën dhe Serbinë, lidhur me shtensionimin e situatës në veri:

- Kosovës i kërkohet që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët komunalë përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative

- Serbisë i kërkohet të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës

- Të dyja shteteve u kërkohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme lokale, sa më shpejt që të jetë e mundur, në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në to

Në të kaluarën, Beogradi ka luajtur rol kyç në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e organizuara në Kosovë

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH