Kryesore

Revolucioni  i drejtësisë

               Publikuar në : 10:18 - 07/09/19 Preç Zogaj

Preç Zogaj

“Revolucioni dhe demokracia janë dy nocione të kundërta”, shkruante  Raymond Aron. Me termin revolucion në këtë rast ai kishte parasysh marrjen dhe ushtrimin e pushtetit me dhunë nën joshjen e çlirimit ideal që duke i bërë thirrje lirisë vendos despotizmin. Një revolucion i këtij tipi ka përcaktuar historinë pesëdhjetëvjeçare të  Shqipërisë komuniste dhe do të mund të përsëritej vetëm në kushtet e një revanshi  në shkallë europiane e botërore të fuqive antidemokratike.

Por ndërkaq termi revolucion, përveçse për të  treguar  pasojat e zbulimeve, shpikjeve  dhe risive të mëdha në shkencë, në letërsi , në art e tjerë, përdoret edhe për të përshkruar  efektet e reformave që sjellin ndryshime të  thella ne jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit.

Një revolucion  i tillë është projektuar e pritet të jetë në zbatimin e saj reforma në drejtësi, më e madhja dhe më kompleksja  e tranzicionit, e vetmja reformë e brendshme me bashkautorësi të drejtpërdrejtë amerikane dhe europiane.

Rëndësia e një reforme përcaktohet ndër të tjera nga fenomeni që duhet të eliminojë dhe pengesat që duhet të mposhtë. Fenomeni që ka provokuar si kundërmasë reformën në drejtësi është, për ta thënë me një fjalë, pandëshkueshmëria në sferat e larta, vdekja e ligjit në këto sfera.  Pasi u përdor për të goditur politikisht në vitin 1993  kryetarin e PS-së, Fatos  Nano, si për të vërtetuar thënien profetike të Neritan Cekës në atë kohë se Fatos Nanos i ra shorti të bënte burgun e  gjithë politikanëve të tjerë në vend, drejtësia që ishte ndërsyer nga politika, u ndalua po nga politika të vepronte në sferat e larta. Nga një ekstrem në tjetrin, siç është rëndom zakoni te ne.  Këtu fillon historia e elitave politike mbi ligjin. Këtu fillon dhe shtrihet në kohë nga legjislatura në legjislaturë e nga nga qeveria në qeveri pandëshkueshmëria, dukuria  që del  sistematikisht si problemi numër një në çdo raport vjetor të BE-së dhe Departamentit të Shtetit për Shqipërinë. Pandëshkueshmëria bëhet filli që bashkon qeverisjet dhe kupolat politike në vend, pavarësisht ngjyrave dhe konflikteve të ashpra. Të gjithëve në përgjithësi, me pak diferenca, u ka shijuar modeli që mundëson pasurimin galopant dhe njëherësh  i mbron nga llogaridhënia e ndëshkimi. Dhe  kështu pandëshkueshmëria vjen e bëhet gur themeli i papërgjeshmërisë, i polarizimit  dhe hendekut të stërmadh pasuror midis një grupi të vogël politikanësh e sipërmarrësish dhe shumicës së familjeve dhe individëve me të ardhura në kufijtë e mbijetesës e varfërisë. Modeli ynë ka qenë dhe mbetet i tillë që kur pasurohen shumë disa nuk është se pasurohen pak edhe të tjerët, edhe shumica,  gjë që është normale në kapitalizëm. Në modelin tonë pasurimi i përshpejtuar i një pakice realizohet përmes varfërimit të shumicës. Pra nuk është zhvillim, por grabitje. Ndaj  polarizimi për të cilin po flasim është pastërtisht kriminal kur flitet për  zyrtarë të lartë, i pajustifikueshëm me moshën 28 vjeçare të ekonomisë së tregut  dhe madhësisë së tregjeve  në Shqipëri kur flitet për sipërmarrës.

Pandëshkueshmëria  ka rezultuar të jetë  uzurpacioni me turne i pushtetit në pikat e tij kyçe;  ajo   shpjegon shumë prej fenomeneve të tjera shqiptare që kanë  çuditur njerëzinë, siç janë promovimi i injorancës dhe krimit në politikë e kudo, marrja peng e zgjedhjeve, shkelja e mjaft  lirive dhe të drejtave demokratike me metoda  nga më perfidet, thyerjet e mëdha shoqërore,   morale dhe etike, që janë mjeshtëria e uzurpatorëve me turne të pushtetit në Shqipëri, vrasja graduale e shpresës  popullore për një demokraci  normale  dhe si konkluzion i gjithë listës  shumë të gjatë të këtyre pasojave vjen zbrazja e pambaruar e vendit, ikja pothuajse  pa pauza e njerëzve nga atdheu tashmë jo më për një copë bukë, por për shumë arsye të tjera që lidhen me  dinjitetin e familjeve dhe personit e deri me shijet që  neverisin politikbërjen. Kjo zbrazje  shproporcionale  me flukset normale të lëvizjes së lirë përbën një rrezik real kombëtar dhe, me gjasë, pasqyron pasojën e gërshetimeve të rrezikshme të  skemave politike dhe gjeopolitike ku përfshihet edhe vendi ynë. Në fakt, nëse thellohemi në këto gërshetime dhe ndalemi te fenomeni i hemoragjisë së pandalshme njerëzore, si të  një vendi në luftë apo në konflikte civile, të vjen të citosh Gjergj Fishtën  në një dramë për Skënderbeun, kur  heroi kombëtar i ngritur nga amshimi pyet një prej pasardhësve “Si është Shqipëria”  dhe merr përgjigjen “ si e don armiku”. Si e don armiku! Kështu i katandisin vendet  e tyre elitat e korruptuara e të kapura.

Reforma në drejtësi është tërësia e instrumentave ligjorë që janë kombinuar për ti dhënë fund kësaj gjendjeje duke vendosur ndëshkueshmërinë  dhe sundimin e  ligjit deri në majën më të lartë të piramidës shtetërore dhe shoqërore në vend. E pashembullt sëmundja, e pashembullt kura. Kjo nuk është drejtësia revolucionare e spastrimeve politike mbi bazën e krimeve të sajuara. Është drejtësia demokratike, që përfshin përcaktimin e përpiktë të fajeve dhe krimeve në bazë të provave, të drejtën e të dyshuarve për tu mbrojtur, e tjerë.

Raporti me këtë reformën ka shkruar e vijon të shkruajë  historinë politike të viteve të fundit në vend. Për të gjitha palët. Për momentin, duke demonstruar përparësinë e saj, ajo ka ndikuar  futjen e politikës në një lloj karantine dhe kjo mund të mbahet parasysh nga hartuesit e skemave politike që të mos bien ndesh panevojshëm e padobishëm me partnerët tanë strategjikë. Drejtuesit  po bëhen të vetëdijshëm se duke mos i prezumuar të fajshëm, reforma i prezumon të  jenë problemi dhe jo zgjidhja sa pa kaluar skanerin e  drejtësisë së re. Vendimi i PD-së për të hartuar programin  strategjik të zhvillimit është një reflektim i drejtë në këtë kontekst.

Opozita, përveçse për të qëndruar përkrah partnerëve perëndimorë dhe përveçse për të dëshmuar njohjen e ndikimit të madh që do të ketë reforma në drejtësi për shëndoshjen e demokracisë në vend, e ka pasur dhe e ka në favor edhe politikisht edhe elektoralisht atë. Ç’punë do t’i prishte opozitës fjala vjen që një numër i caktuar ish zyrtarësh të lartë e përfaqësuesish të zgjedhur të saj të periudhës kur ka qenë në pushtet  akuzohen dhe dënohen me prova për korrupsion nga SPAK dhe Gjykata Speciale? Në të vërtetë perceptimi i përfshirjes së mjaft zyrtarëve demokratë  në korrupsion  ka qenë një nga shkaqet e humbjes së PD-së në vitin 2013. Pra ndëshkimet ligjore nuk befasojnë elektoratin, përkundrazi: thjesht realizojnë me duart e ligjit atë që partia nuk ka mundur ose nuk e bën dot vetë. Opozita  është opozitë, shanset e saj për t’u rritur nga ndarja prej të korruptuarve janë reale. Elektorati merr mesazhin se nuk po rivijnë ata që kanë vjedhur.

Qeveria dhe shumica nga ana tjetër e kanë pasur  politikisht në favor mbështetjen ndaj reformës. Mund të thuhet se i kanë marrë frytet e kësaj mbështetjeje me qëndrimet që kanë mbajtur SHBA, BE dhe OSBE për zgjedhjet e 30 qershorit. Më shumë s’kanë çfarë marrin. Por qeveria do të dëmtohet elektoralisht nga veprimi i drejtësisë së re ndaj zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të saj të lartë të akuzuar si të përfshirë në afera korruptive. Koncesionet janë një minierë për  SPAK-un.  Pa llogaritur të tjerat. Në PS e kanë gati formulën e  përgjegjësisë individuale të çdo  personi që del i inkriminuar. Qëndrimi është korrekt, por qeveria dhe kryeministri vetëm humbin nga kapja në krim e ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të subjektit të tyre. Është në logjikën e gjërave.  Pa përjashtuar përballjen e vetë zotit Rama me drejtësinë e re. Sepse kjo drejtësi as i përzgjedh, as i diferencon subjektet me të cilët do të merret. Ndryshe do të binte. Kush e ka bërë veten do të ndëshkohet. Kush ka qenë korrekt do të vazhdojë.

Reforma ka marrë rrugë, fillimi i saj nga puna është tanimë punë javësh,  pritshmëria e madhe popullore është rikthyer në shtratin e vet të gjerë pas zhvillimeve që flasin për ecurinë e pakthyeshme të reformës dhe shpjegimeve domethënëse të ambasadës së SHBA për funksionimin e çdo organi të saj. Është një pritshmëri që llogarit as më pak, as më shumë se sa shpërbërjen e elitave  të korruptuara kudo ku gjenden  ato,  krijimin e rrethanave të favorshme që do të çojnë në shëndoshjen  e sistemit politik dhe modelit të zhvillimit ekonomik . SHBA dhe BE ua kanë premtuar shqiptarëve këtë. Është një  premtim  në lartësinë  e kontributeve të mëdha të SHBA për Shqipërinë  dhe kombin shqiptar përgjatë një shekulli. /Gazeta Liberale

(Visited 154 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *