Krye

Requem për një mjek e intelektual të shquar

               Publikuar në : 09:58 - 22/05/20 liberale

Prof. Isuf Kalo

Përpara dy ditësh u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë një nga figurat e shquara të mjekësisë tonë Prof. Dr. Maksim Cikuli. Familja, mjekësia jonë ,kolegët studentët e miqtë e shumtë të tij dhe gjithë shoqëria jonë humbi një mjek të devotshëm , të diplomuar shkëlqyeshëm në fakultetin tonë të mjekësisë Humbëm  një specialist , pedagog ,shkencëtar dhe intelektual, elitar, një humanist dhe qytetar me kulturë të gjerë poliedrike dhe me etikë e edukatë shembullore qytetare .

Prof Cikuli i specializuar në Francë ishte një ndër themeluesit e gjenetikës tonë mjekësore , drejtues i Departamentin e Pediatrisë dhe dy herë ministri ynë  i shëndetësisë në vitet 1993-1997 dhe 2006

Ai do mbahet mend si një nga drejtuesit më të respektuar, më të kulturuar dhe me duart më të pastra në krye të saj. Ai i dha detyrës së ministrit fytyrë të natyrshme njerëzore e qytetare. Prof Cikuli zbatoi  me sukses modelin  e qeverisjes moderne, pa kapardisje e arrogancë, bazuar në “fuqinë e qetesise” e të modestisë, dhe të  shembullit  personal për  përgjegjshmëri të lartë prej  lideri. Në vend të bujës, protagonizmit e autoritarizmit; ai e ushtroi detyrën  si mision shtetëror dhe jo si burim  privilegjesh apo mekanizëm  pushtetor,

Perkundra  auto lëvdatave, burokracisë dhe manipulimeve  të hasura tradicionalisht në administratat tona të lartë shtetërorë ai preferoi  delegim detyrash në vend të centralizimit, dhe gjithë përfshirje të stafit të motivuar  me respekt të sinqertë  e mirëkuptim të ndërsjellët. Në fakt fal edukatës familjare e qytetare Maksi ishte edhe konceptualisht në ide dhe sjellje një hap më pranë  Evropës. Me fisnikërinë  e heshtur, te pa afishuar ai ruajti me ngulm privacinë si intelektual e qytetar i pa militantizuar duke kontribuar ndershmërisht në reformimin e shëndetësisë dhe demokratizimin e Shqipërisë tonë të  asaj kohe

Me tërësinë e meritave dhe vlerave të tij prof Cikuli kishte fituar respekt e admirimin edhe tek ekspertët dhe organizatave të huaja që operonin në Shqipëri. Ata e ndjen që ai kishte brum të  “klasës ” së tyre.

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën në ato vite Dr Mark Danson në periudhën që Prof Cikuli u largua nga posti i ministrit i propozoi atij postin prestigjioz të Drejtuesit të Departamentit të Etikës në Kopenhagën

Por, Dr Maksi nuk e la Shqipërinë. Ai e donte dhe ju pat përkushtuar shpirtërisht asaj. Por për fat të keq të tij dhe tonin ai dy ditë më parë na la. Mjekësia nuk mundi të bënte gjë për t’i shpëtuar jetën atë që ai pat bërë për ta reformuar atë.

Por le te ndjehemi fatlume qe e patëm. Unë ndjehem i privilegjuar që e njoha, dhe që pata rastin të bashkëpunoj ngushtë me të, si edhe të ndaj miqësi kolegesh e te pasurohem, etikisht prej shembullit të tij. Pa dyshim me vlerat, meritat dhe shembullin që Prof Maksim Cikuli shpalosi  aq sa  familjes  ai do të na mungoj edhe ne të gjithëve. Do ti mungoj mjekësisë tonë dhe vet Shqipërisë e sidomos elitës së saj të etur sot për figura e shembuj të vyer të rrallë, si të atij. /Gazeta Liberale

 

 

.

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back