Dossier

Reportazhi i revistës “DRINI”/ Si promovohej turizmi në 1939

               Publikuar në : 18:35 - 30/06/20 liberale

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon një reportazh të revistës “DRINI” të vitit 1939 që botohej nga Enti Kombëtar i Turizmit që gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut ishte nën patronazhin e Princeshës, Maxhide, si dhe gazetën “ARBNIJA”, në të cilat promovohej turzimi dhe i’u bëhej thirrje shtetasve të huaj dhe vëndas që të frekuentonin qytetet turistike të vëndit toinë, duke filluar nga Shkodra, Kruja, Durrësi, Berati, Korça, Gjirokastra etj. Në reportazhin e revistës “DRINI”, pasi i bëhej një përshkrim i hollësishëm qytetit të Durrësit, duke filluar që nga lashtësia, midis të tjerash aty thuhej:

“Qeverija Mbretnore paska urdhërnue Kryetarin e Bashkis së Durrësit që, së bashku me një ingjinier kompetent, të shkojë së shpejti jashta Shtetit, për me studjue Pllazhet që i përshtaten vendit t‘onë dhe veçanërisht Durrësit dhe Pllazhit të tij të shkëlqyer. Sepse, me ketë masë kaq t‘arsyeshme ka për t‘u krye çdo përmirësim eventual i domosdoshëm me një kriter të pagueshëm, të dëshiruem e dobiprues. Këtë studim paraprak dhe shumë punime akoma në projekt e gati për zbatim, Bashkija e Durrësit po i kryen në sajë të Ministrisë së Punëve të Mbrendëshme, e cila po jep ndihmat ma të mëdhaja për me realizue programin e gjanë lulzimi e zbukurimi përparimtar në katra anët e Durrësit, shpesh herë e qyejtun meritueshmërisht “Porta kryesore dhe e bukur e Shqipërisë”

“Durrësi është porti kryesor i Shqipërisë dhe ai gjendet vetëm 39 km. larg nga Tirana. Shërbime të rregullta agjencish turistike e lidhin atë qytet me qendrat e ndryshme kryesore të vendit. Durrësi ka një popullsi prej 10.000 banorësh. Qyteti shtrihet mbi një breg që mbaron në fund me Malin e Durrësit, i cili ka një lartësi prej 185 metrash. Hotele, restorante, kafene, dyqane, magazina, depozita, farmaci, agjenci detare e automobilistike, xhami, kisha, shkolla fillore dhe të mesme, banka e institute të tjera e zbukurojnë pamjen e bukur të këtij qyteti detar buzë detit Adriatik. Me Planin Rregullues të Plazhit të Durrësit, i cili është hartuar nga Zyra Qendrore për Urbanistikën dhe Ndërtimet në Shqipëri, pritet që plazhi të ndërrojë tërësisht fizionominë e tij dhe kapacitetin për pritjen e pushuesve vendas dhe të huaj”.

Kjo panoramë që i bëhet qytetit bregdetar të Durrësit, në pamje të parë, duket sikur është pjesë e ndonjë guide turistike promovuese të agjencive të shumta turistike që operojnë në vendin tonë, të cilat në këtë prag sezoni pushimesh që sapo ka filluar, e kanë intensifikuar aktivitetin e tyre për thithjen e pushuesve nga vendi dhe turistëve të huaj. Por nuk është kështu, këto pasazhe i përkasin periudhës së Monarkisë së Zogut, vitit 1939 dhe ato janë marrë nga revista e përmuajshme “Drini”, e cila nxirrej në atë kohë nga Enti Kombëtar i Turizmit të Shqipërisë.

Por historia e turizmit dhe propaganda promovuese për thithjen e turistëve të huaj në vendin tonë, i ka rrënjët e saj shumë vjet më përpara, për të cilat flitet me hollësi në shkrimet e revistës “Drini”. Që në vitet e para të Monarkisë së Zogut, qeveritë shqiptare të asaj kohe i kushtuan një kujdes të veçantë, turizmit shqiptar, gjë që vazhdoi më pas edhe gjatë periudhës së pushtimit, në vitet 1939-1944. Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga shtypi i atyre viteve, prej nga kemi shkëputur këto artikuj që po botojmë më poshtë në këtë shkrim.

Gazeta “ARBNIA”: Vrejtjet e turistëve të huaj tek ne

Gazeta “Arbnia”, Vërejtjet e turistëve të huaj Organizmi i turizmit ndër ne, ndërrmarë pak vjet ma parë dhe inkurajuar me mjete dhe propagandë të vazhduershme, s‘ka munguar të ketë efektin e duhur. Vëndi ynë, i përmëndur për pamjet e tij të një bukurije të rrallë n‘Europë, vizitohet çdo verë prej një shumice të huajsh, dhe mikpritja e pabiseduarshme që gjejnë në Shqipëri është një faktor me rëndësi në zhvillimin e turizmit ndër ne. Personalitete të huaja që vizitojnë viset e Mbretërisë nuk mungojnë të shfaqin mirënjohjen për pritjen më të mirë që u bëhet kudo në popull, ashtu siç shfaqin edhe mendimin rreth të pritmes turistike të Shqipërisë, duke na dhënë një tok këshillash të vlefshme që duhet t‘i shënojmë qoftë dhe kur këto kanë të bëjnë me përmirësimin e shumë të metave që pengojnë zhvillimin e turizmit. Të metat ose mungesat t‘onë i njohim që të gjithë, dhe shtypi është marrë dendur me to duke i’a bërë të njohur kopetentëve, dhe as s‘është nevoja t‘i përsërisim sot.

Marrim rastin të shënojmë një vërejtje shumë të arsyeshme që na u bë prej një të huaji, mik i Shqipërisë. Ky i huaj që ka shëtitur vëndin tonë më tepër se çdo turist tjetër, na tha se organizimit të turismit të brendshëm nuk i është dhënë rëndësija e duhur, për të mos thënë që nuk ekziston fare. Shqipëtarin që nuk e ndan nga bashkëatdhetarët e tij të krahinave vec një largësi fare e vogël, plaket dhe vdes pa i njohur viset interesante t‘atdheut, vendet më historike dhe plot kujtime lavdie nga gjyshat. Kruja, vendlindja e Heroit Kombëtar, Burreli, ku pa dritën Sovrani, Shkodra e Teutës, Durrësi, Butrintoja, Pojani, Vlora e shumë vende të tjera, do t‘i shihnin në një shtet tjetër vende pelegrinazhi, vise tërheqëse dhe klimaterikë, që do të sulmoheshin përditë nga populli, duke u bërë qëndra lëvizjesh 3-4 muaj të vitit.

Përmëndëm vetëm këto vende si më karakteristike, se lavdi Zotit. Atdheu ynë është plot vende interesante e tërheqëse, dhe natyra ka endur me thesaret e saj në çdo cip të saj. Këto bukuri çmohen dhe shijohen nga të huajt, kurse ndër ne, ata të pakët që kanë mjete t‘i shohin, dalin jashtë. Do t‘ishte mëkatë që me afrimin e stinës verore, mos të mirren nisjativa t‘organizohen përvjetorë,-kur ka-dhe shëtitje më të dëndura në vende interesante të atdheut.

KTAM-i (Komiteti i Turizmit dhe Automobilizmit të Mbretërisë), që vazhdon prej dy vjetësh të organizojë shëtitje në plazhin e Durrësit e disa herë të pakta ndër viset e tjera, do të bënte mirë t‘i dëndësojë këto sivjet duke organizuar në shumë vise të Mbretërisë. Shifrat optimale për turizmin në vitin 1938 Zhvillimi i Turizmit dhe hovi që ka marrë vitin e fundit, shfaqen ndoshta për herën e parë në shifra dhe data ekzakte. Në këtë mënyrë jemi në gjendje të dime sot me saktësi gradën e zhvillimit të lëvizjes turistike në vendin t‘onë, dhe njëkohësisht kurorëzimin e përpjekjeve për t‘i dhënë turizmit atë zhvillim që lypte koha dhe nevojat e Shqipërisë së re Zogiste.

Numri i të huajve që vizituan Shqipërinë në vitin 1938 ka qenë 7.725, duke patur një shtesë prej 1781 nga viti 1937. Turistat e huaj kanë qëndruar në vëndin t‘onë 61.696 netë. Shpenzimet e këtyrë të huajve për ngrënie, fjetje, transport etj, kapin një shumë prej fr. ari 578.543 do me thënë afro një gjysëm milioni të hyra nga lëvizja turistike e vitit të kaluar. Ka një tepricë ose shtesë nga viti 1937 prej fr. ari 239.298.

Arsyet kryesore e shtimit të lëvizjes turistike

Arsye kryesore e shtimit të lëvizjeve turistike në vëndin t‘onë i detyrohet propagandës së dendur që Enti Kombëtar i Turizmit dhe KTAM-i kanë bërë për t‘u njohur Shqipëria sa më shumë në botën e jashtme. Ka pastaj faktorë të tjerë që kanë ndihmuar në shtimin e lëvizjes turistike. Ndër këto mund të përmëndim Luftën e Spanjës, që drejtoi shumë prej kuarzierëve në bregdetin shqiptar; ngjarjet e Evropës Qëndrore dhe dalja e elementin hebraik dhe lejet e dhëna prej qeverisë jugosllave agjencive të veta për të organizuar shëtitje turistike të të huajve edhe në Shqipëri.

Por arsyeja e parë mbetet gjithnjë propaganda intensive e Shqipërisë jashtë dhe përpjekjet gjithnjë më të daluna për t‘a organizuar turizmin në shkallën e merituar. Bota e huaj ka filluar të tregoj një interes të madh për Shqipërinë, e cila njihet sot kudo si vendi më i bukur në Ballkan për shëtitje dhe vizita në viset e bukura dhe piktoreske të sajat. Gjithashtu të huajt janë të bindur për organizmin e Mbretërisë Shqiptare, për rendin dhe qetësinë shëmbëllore si dhe pritjen krejt shqiptare që gjejnë në vëndin t‘onë. Këto janë arsyet e shtimit të lëvizjes turistike në vëndin t‘onë dhe duhet të gëzohemi kur shohim se vec fitimit moral që sjell njohja e vendit t‘onë prej të huajve, kemi dhe fitimin material mjaft të rëndësishëm.

Afro një gjysëm milioni fr. ari hyjnë në Shqipëri në një kohë kur turizmi sapo ka filluar të organizohem mbi baza të shëndosha. Kjo na jep të shpresojmë se tue u organizuar dhe përsosur, turizmi do të bëhet brenda një kohe të shkurtër një faktor me rëndësi të ardhurash për vëndin t‘onë dhe për pasojë edhe një ndihmë e vlefshme në përmirësimin e jetës ekonomike të Shqipërisë. Le të shpresojmë se disa mungesa, si ngritja e hoteleve dhe qëndrave të tjera për turistat, do të plotësohen sa më shpejt, për t‘i dhënë turizmit një zhvillim më të gjallë dhe më të dobishëm.

Kryetari Bashkisë niset jashtë për projektet e plazhit

Me fillimin e pranverës, lajmuese e stinës së nxehtë të pushimeve, të banjave dhe të zbavitjeve të tjera që nevojat e kohëve moderne kanë bamun të domosdoshme për shëndetin e brezave të reja që po rriten dhe për shlodhjen e tyne që, me energjin mendore dhe fizike, udhëheqin makinën tonë shtetnore, si dhe aktivitetet e tjera kësodore, sytë e kryeqytetit, të qyteteve kryesore të Shqipërisë së Mesme, dhe veçanërisht të Skelës s‘onë të Parë, drejtohen te Plazhi i Durrësit.

Jo vetëm neve por dhe të huajt që na vizitojnë dhe që ndjekin përparimet t‘ona, kanë plot fjalë admirimi për këtë Pllazh dhe për zhvillimin e tij të shpejtë. Në fakt, ky asht një nga më të përshtatëshmit dhe, sikur t‘i u shtohen mjetet artificiale, të miravet natyrore që e pajisin, s‘ka as ma të voglin dyshim se do të bahet nji nga ma të bukrit dhe ma tërheqësit. Plazhi i Durrësit, qysh tani mund të përmblidhet midis realizimeve t‘arrijtuna ndën regjimin Zogist për të cilat lipset ta ndjejmë veten krenarë. Prandaj, çdo përmirësim që bahet, çdo masë që merret, duhet të jetë serioze, e matun dhe e studiuar në bazë të një modeli e të një plani të denjë që të jetë i përhershëm.

Me kënaqësinë më të madhe mësojmë se Qeverija Mbretnore paska urdhërnue Kryetarin e Bashkis së Durrësit që, së bashku me një ingjinier kompetent, të shkojë së shpejti jashta Shtetit, për me studjue Pllazhet që i përshtaten vendit t‘onë dhe veçanërisht Durrësit dhe Pllazhit të tij të shkëlqyer. Sepse, me ketë masë kaq t‘arsyeshme ka për t‘u krye cdo përmirësim eventual i domosdoshëm me një kriter të pagueshëm, të dëshiruem e dobiprues. Këtë studim paraprak dhe shumë punime akoma në projekt e gati për zbatim, Bashkija e Durrësit po i kryen në sajë të Ministrisë së Punëve të Mbrendëshme, e cila po jep ndihmat ma të mëdhaja për me realizue programin e gjanë lulzimi e zbukurimi përparimtar në katra anët e Durrësit, shpesh herë e qyejtun meritueshmërisht “Porta kryesore dhe e bukur e Shqipërisë”.

Ndërkaq një numër i madh punëtorësh asht t’ue u përdorun për me përgatitë trollin rreth Villës Mbretnore për mbjelljen e pemëve të përshtatëshme që janë porositë në Itali. Gjithashtu edhe ndër kopshtet e pllazheve në krijim e sipër, ka fillue një pjesë e madhe pyllëzimi që premton se ka me e transformue kryekëput këtë anëdeti në një parajsë toksore, si kontrast i lumnueshëm i gjendjes së dikurshme të moçaleve vdekje-sjellës. Bonifikimi i kënetave afër plazhit Për fatin e mirë t‘onë çashtja e moçaleve asht vue në krye të punimeve, të bonifikimeve e të zbukurimeve. Përfaqësuesi t‘onë, që shkoi posaçërisht për me e intervistue para se të nisej me misionin e sipërtreguem, Kryetari i Bashkisë së Durrësit i foli mbi këtë problem me tanë theksimin e merituam. Z. Ministër i Punëve të Mbrendëshme, ka dhanë urdhna kategorikë me i mbuluem moçalet dhe me i bonifikue sa ma parë, tue përdorun të gjitha mjetet në dispozicion, për me u vendosë jeta dhe shëndeti atje ku deri sot kishte lëshue rranjë malarja shkretuese që komprometonte edhe famën t‘onë si popull puntuer.

Qeverija Mbretnore, me sa shifet, ka dhanë përkrahjen e vet deri n‘ekstrem; para këtij realiteti shpresëdhanës mbetet vetëm vullneti e kujdesi për tue vue në zbatim ky pllan madhështuer që ka një randësi turistike të dorës së parë. Ne jemi ma të sigurtë se këto cilësi i ka kryetari i Bashkisë së Durrësit; provën ma të gjallë e ka dhanë shkuemja e tij në Shkodër dhe në Korçë.

<
>
shkodra unnamed-109 640-0-5b83dba5a0292 20200628_233149 20200628_233216 20200628_233249 20200628_233318-1 30494405900_8f1d388aa0_z d5d3ce8eb47cea44054ddb88f0d3e848 deputetet-ne-kohen-e-zogut Gjinokaster histori1 IMG-20200628-WA0000 IMG-20200628-WA0004 LbvIIyQ qeveria-e-zogut-ahmet

Gazetarët e huaj për Shqipërinë turistike

Shumë kritikë të huaj që ja kanë dashur dhe ja duan të mirën vendit t‘onë, duke shkruar mbi t‘ardhmen që na pret, kanë vënë në dukje mundësitë e shumta të Shqipërisë për t‘u bërë tërhejqje për turistat. Theorija e sajuar prej tyre bazohet në faktin se ky vënd duke qenë shumë i vjetër dhe njëkohësisht shumë i ri, ruan gjurmët e qytetërimeve të ndryshme dhe pamje të rralla të një populli që prej së shkuarës dhe prej oksidentalve po nxjerr inspirimet për të shkuar përpara me hov a me vullnet; pastaj-gjithnjë simbas tyre-Shqipërija ka fatin e mirë të përfitojë prej pozitës gjeografike të privilegjuar; ndodhet midis Romës dhe Athinës, që janë qëndrat më të mëdha turistike dhe më interesante të botës.

“Do të dijnë shqiptarët të përfitojnë prej pozitës së tyre dhe të shfrytëzojnë trashëgimet e të parëve dhe mundësit që u ka falur natyra edhe po u fal dita ditës më tepër qytetërimi për një turizëm të vërtetë?” Kjo është një pyetje që një gazetare e huaj e ka pas vënë në një nga artikujt që shkroi mbi këtë problemin t‘onin, që po bëhet problem edhe për ata që drejt për së drejti apo tërthorazi do të përfitojnë prej zhvillimit t‘onë turistik.

Në mundësitë tona natyrale, përvec pozitës, përmblidhen bukuritë panoramike, klima e bukur, malet, pyjet, liqenet, shpeztë e gjahut dhe shumë e shumë të tjera të mira që ndodhen fare afër dhe mund të shihen të tëra me shpenzime relativisht të pakta. Pjesa tjetër e kapitalit t‘onë turistik përbëhet nga trashëgimet t‘ona: gjurma madhështore të qytetërimeve të vjetra nxjerrë në dritë në Butrinto, Pojan e në vise të tjera; kostumet piktoreske, këngët e vallet që përbëjnë folklorin t‘onë të pasur; zakonet e mikëpritjet që është larg cdo komentimi dhe përbën mburrjen t‘onë; zakonet dhe shpirtin t‘onë që na e shquajnë të huajt si popull, trim e krenar dhe që përbën një fushë që u intereson jo vetëm dijetarëve, por dhe turistëve të thjeshtë; kujtimet historike si dhe vetë jeta e jonë që e bëjnë turistin të ndiejë sensacionin e rrallë e të kërkuar që prej një bote të përparuar e të mekanizuar vjen befas të shlodhet shpirtërisht e mendërisht në një botë krejt të ndryshme, të pasur me ato cilësi që në shumë vende mungojnë.

Enti i Turizmit, nën patronazhin e Princeshës, Maxhide

Po qytetërimi ç‘na ka shtuar në këtë kapital që lipset shfrytëzuar? Mjetet e shpejta të komunikatave aerore e detare, hovi dhënë turizmit me anë të kryqëzatve e zbritjeve të favorshme ndër udhtime, shëmbllat e gjalla të propagandës, marrëveshjet e bashkëpunimit midis enteve dhe klubeve turistike ndërkombëtare, i japin një vleftë të pacmueshme kapitalit t‘onë turistik.

Neve lidhemi me organizmin e gjerë turistik të përbotshëm nëpërmjet Entit Kombëtar të Turizmit dhe të Klubit Turistik dhe Automobilistik Mbretnor, që janë nën patronazhin e lartër të N.S. Mbretëreshë Princeshës Maxhide. Si me këto lidhje ashtu dhe me mënyra të tjera të shumta, Qeverija Mbretënore është duke bërë sakrifica të mëdhaja për zhvillimin turistik të Shqipërisë, që përsa u përket të huajve ashtu dhe bashkëatdhetarëve që duhet ta shëtisin e ta njohin këtë vënd të bukur.

Thamë se turisti i huaj duke ardhur prej botës së jashtme të mekanizuar, vjen befas në pak orë e sipër, në këtë botën tonë të ndryshme që të shlodhet shpirtërisht e mëndërisht. Neve tani na duhet që, duke përmirësuar rrugët e hoteleve dhe duke vënë me këtë fuqinë e mjetet, rregull e pastërti, t‘I japim atij mundësinë të s‘lodhet edhe trupërisht e të mbetet plotësisht i kënaqur.

Plazhi i Durrësit me Plan Rregullues që në 1939, i cili hartua nga Zyra Qendrore për Urbanistikën dhe Ndërtimet

Ndër masat e shumta që ndërmorën të gjitha qeveritë shqiptare që nga Monarkia e Zogut dhe ato nën pushtimin italian në vitet 1939-1943, për nxitjen e turizmit dhe thithjen e turistëve të huaj në vendin tonë, ishte dhe plani rregullues i plazhit të Durrësit, i cili asokohe u përgatit nga Zyra Qendrore për Urbanistikën dhe Ndërtimet e Shqipërisë. Lidhur me këtë, në revistën e përmuajshme “Drini”, që nxirrte Enti Kombëtar i Turizmit në atë kohë, midis të tjerash shkruhej:

“Durrësi asht limani kryesor i Shqipnis. Gjindet 39 km. nga Tirana. Shërbime të rregullta vijash automobilistike e lidhin me qëndrat e ndryshme kryesore të Mbretnis. Ka një popullsi prej 10.000 banorësh. Qyteti shtrihet mbi një breg që mbaron në fund me Malin e Durrësit, i cili ka një naltësi prej 185 metrash. Bujtina, drekore, kafe, dyqane, magazina, depozita, farmaci, gjeni detare e automobilistike, xhamia, kisha, shkolla fillore, një të mesme, banka e institute të tjera e zbukurojnë pamjen e bukur të këtij qyteti detar buzë detit Adriatik. Këtu gjindet edhe një fabrikë e madhe duhani shqiptar S.T.A.M.L.E.S. Simbas historianit Tucidie, korfiotët themeluan këtu koloninë Epidamnos-it në 627 para lindjes së Krishit.

Qyteti për t‘i shpëtuar mësymjeve të pandara të piratëve, u beslidh me Romën e cila e pushtoi ma vonë krejt tue i ndrue dhe emnin Dyrrachium. Në këtë qytet ka banue dhe Ciceroni i cili e mbiquajti “Admirabilis urba” por nuk mujti me nejt këtu për një kohë të gjatë pse i shqetësuem prej zhurmës së madhe që bëhesh në liman. Në drejtim të jugut, qyteti shtrihet mbi bregun e bukur e ranor me nji vargje vilash e shtëpijash të vogla të bukura e moderne të cilat i japin pamjen e një qyteti vërtet banjash. Në 1928 e gjithë ranishtja kishte vetëm një stabiliment primitiv por zhvillimin e vërtetë e filloi menjëherë vetëm mbas këtij viti. Ranishtja asht e gjatë 4 km. Tashti për tashti kemi 3 stabilimnete banjash për afro 2000 persona dhe 120 shtëpija.

Në një projekt të përgatitun me kujdesin ma të madh prej Zyrës Qendrore për Urbanistikën dhe Ndërtimet e Shqipnis, janë parapa këto përparime: Janë parapa edhe 3 stabilimente për afro 3000 persona; një bujtinë e madhe e 540 pjesë tokash të përgatituna për zbatimin e Planit Rregullues të ranishjtes. Edhe për Shkambin e Kavajës, janë parapa 60 pjesë tokash. Përveç këtyne janë paraparë edhe 40 pjesë tokash me sipërfaqe të ndryshme në ranishte dhe nr. 10 të tjera në Shkambin e Kavajës të cilat do të përdoren për rregullime të posaçme; shkolla, ndërtesa publike, dyqane, bujtina, dhe pensione, kinema etj. Qyteti qendror dhe ai i ranishtes janë në zhvillim e sipër.

Një ekspoze nga Shefi i Misionit Italian Arkeologjik në Shqipëri, Marconi: Në Kinema “Nacional” konferencë nga të huajt për turizmin

Në kuadrin e masave të shumta që ndërmerrte Enti Kombëtar i Turizmit të Mbretërisë Shqiptare gjatë viteve të Monarkisë së Zogut (i cili ishte nën patronazhin e Princeshës Maxhide), ishin edhe një sërë konferencash shkencore nga lektorë të huaj, të cilat organizoheshin jo vetëm në Tiranë, por edhe në disa qytete të tjera të vendit. Një nga këto konferenca ishte edhe ajo e dhënë në kinemanë “Nacional” të kryeqytetit nga Piero Marconi, kryetari i Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, i cili që prej fillimit të viteve ‘30-të, kryente gërmime arkeologjike në Butrint dhe Pojan të Fierit.

Lidhur me këto konferenca të Marconit, në shtypin e asaj kohe midis të tjerash thuhet: “Folëm pardje për nevojën e konferencave dhe dobinë e madhe që sheh vendi prej tyre, duke nënvizuar se këto, sidomos kur janë didaktike, duhen të mbahen edhe përpara nëxënësve. Kërkesa jonë u gjet plotësisht e justifikuar dje. Profesor Piero Marconi, Kryetar i Misjonit Arkeologjik Italjan në Shqipëri, që sot drejton gërmimet e Butrintos, foli dje në sallën e Kinema “Nacional” me kompetencën e një shkenctari të thyer në degën e tij, me kompetencë të gjerë dhe thjeshtësi që u çmuan pa masë nga publiku i zgjedhur që pati fatin të ndigjojë konnferencën e tij.

Profesori e ilustroi konferencën me një tok filmash që ka marrë me vetë në gërmimet, duke paraqitur një tabllo të qartë rreth veprimeve të misionit prej fillimit, d.m.th. që në kohën e të ndjerit, Ugolini, gjer më sot. Fytyrat (statujat e gjetura nga gërmimet arkeologjike. Shenimi ynë), që Profesor Marconi shpjegonte, paraqisnin qytetërimet e ndryshme që janë përshkuar në vëndin t‘onë, që nga epoka neolitike gjer në ndërtimet venecjane, duke dhënë një pasqyrë të qartë e besnike të gjitha gërmimeve të gjetura nga nëntoka e jonë dhe që trashëgojmë sot.

Profesor Piero Marconi u falënderua personalisht nga Shkëlqesia e Tij, ministri Shatku e personalitete të tjera, të cilët bënë çdo lavdatë për konferencënm e tij në kryeqytet, e cila është mësim i vlefshëm për cdo shqiptar dhe të shkuarën e vendit të vet. Urojmë që konferenca të tilla që ka dhënë z. Piero Marconi, të ndigjohen edhe nga nxënësit e shkollave të mesme dhe është më mirë të pasurohen dijet e tyre të dobishme mbi kohët e vjetra”./Memorie.al

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back