FNSH dhe RENEA kanë vijuar edhe këtë mbrëmje kontrollet në zona të ndryshme të qytetit të Vlorës. Burime mediatike bëjnë me dije për një person të ndaluar nga policia.
Mësohet se për disa ditë qyteti bregdetar do të vijojë të jetë nën kontrollin e policisë dhe forcave Renea, ndërkohë, pritet të vijojnë kontrollet në zona dhe banesa të ndryshme.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara mbrëmjen e kaluar u arrestuan 6 anëtarë të një grupi kriminal. Forcat e RENEA-s dhe FNSH-së ushtruan kontrolle në lokale dhe banesa të ndryshme. Personat e shoqëruar në zonën e buelvardit Vlorë-Skelë kanë qenë nën survejim prej kohësh, ndërsa gjatë operacionit kanë pasur përplasje me agjencët civilë që nisën aksionin në fjalë.
Një ndër të arrestuarit është Santiliano Basho, vëllai i të fortit të Selenicës i njohur e emrin Tesi. Policia sqaroi se ka sekuestruar 2 pistoleta, fishekë, 3 automjete, 2600 euro dhe 8 celularë.
Krahas forcave RENEA edhe efektivë të Vlorës në bashkëpunim me FNSH kanë kryer kontrolle të tjera si pjesë e megaoperacionit antidrogë ‘Tempulli’.