Globi

Rëndohet situata me COVID-19 në Kosovë

Shkruar nga Liberale
Rëndohet situata me COVID-19 në Kosovë

Autoritetet shëndetësore në Kosovë konfirmuan të mërkurën 2 vdekje si pasojë e infektimit me COVID-19 dhe 1 mijë e 793 raste të reja të të prekurve nga COVID-19, numri më i lartë i regjistruar pas gati gjashtë muajve.

Rastet e reja u konfirmuan pas 4 mijë e 513 testimeve që i bie se afro 40 për qind e të testuarve dolën të infektuar.

Muaji korrik po shënon rritje të rasteve të reja me COVID-19, në krahasim me muajt paraprak. Sipas të dhënave të përpunuara nga Zëri i Amerikës, nga data 1 korrik e deri më sot janë regjistruar 13 viktima dhe 10 mijë e 867 raste të reja të infektimeve. Aktualisht janë mbi 8 mijë raste aktive.

Shkalla e infektimeve kundrejt testimeve në muajin qershor sillej rreth 3 për qind, ndërsa në muajin korrik kjo shkallë po sillet afër 40 për qind.

Rastet e reja të regjistruara me COVID-19 ka shtuar edhe numrin e pacientëve të shtrirë nëpër spitalet e Kosovës, ku janë të shtrirë 69 qytetarë të infektuar.

Ekspertët shëndetësorë thonë se tashmë Kosova po përballet me valën e re të infektimeve dhe se ditëve në vijim pritet të shtohet numri i personave që do të kërkojnë trajtim nëpër spitale.

Deri më sot 824 mijë persona janë vaksinuar me dy doza të vaksinës apo rreth 45 për qind e popullsisë së përgjithshme ndërsa 852 veta me dozën katërt të vaksinës, dy javë pas miratimit të saj.

Aktualisht në Kosovë ka filluar vaksinimi me dozën e katërt për qytetarët e moshës mbi 60 vjeç dhe për moshat nga 5 deri 11 vjeç për të mbrojtur qytetarët nga variantet e reja të COVID-19./voa/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH