Editorial

Rendi i ri Botëror që po ndërton Joe Biden

Shkruar nga Liberale
Rendi i ri Botëror që po ndërton Joe Biden

Tom McTague

Një botë e re ka filluar të marrë formë, edhe pse për momentin mbetet e maskuar me rrobat e botës së vjetër. Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Australia kanë njoftuar krijimin e asaj që është në fakt një aleancë e re ushtarake “Anglo”.

Gjithçka nisi në vitin 2016, kur Australia arriti një marrëveshje me Francën për të blerë një flotë me nëndetëse që punojnë me naftë, duke refuzuar një alternativë anglo-amerikane për nëndetëset që punojnë përmes energjisë bërthamore.

Në marsin e këtij viti, kryeministri australian Scott Morrison nisi negociatat me Uashingtonin për ndryshimin e vendimit të tij të mëparshëm. Pastaj, mbrëmjen e së mërkurës në një njoftim publik trepalësh, Biden, Morrison dhe kryeministri britanik Boris Johnson, zbuluan se australianët do të anulonin marrëveshjen e tyre me Francën, për t’iu bashkuar Britanisë dhe SHBA-së, duke formuar një “AUKUS”, një aleancë të re ushtarake.

Reagimi i Francës ishte shumë i ashpër. Ministri i Jashtëm dhe për Evropën, Jean-Yves Le Drian, e quajti vendimin një “thikë pas shpine”. Ndërkohë Benjamin Haddad, nga Këshilli Atlantik me seli në Uashington, tha se akti i ka çuar marrëdhëniet SHBA-Francë në pikën e tyre më të ulët që nga Lufta e Irakut.

Bruno Tertrais, nga Fondacioni Francez për Kërkime Strategjike, shkoi edhe më tej, duke e quajtur atë një “goditje e Trafalgar”.Megjithatë, tej polemikave të forta përflitet diçka shumë më e rëndësishme:po përvijohen skicat e zbehta të një rendi të ri botëror, ose të paktën ka një përpjekje për të nisur projektimin e një rendit të tillë.

Siç vërente dikur Karl Marx, udhëheqësit që përpiqen të krijojnë diçka të re “ringjallin shpirtrat e së kaluarës”. Gjuha, parullat dhe kostumet e vjetra po përdoren për të paraqitur skenën e rendit të ri ndërkombëtar.

Ndaj presidenti amerikan Joe Biden e lavdëroi publikisht Francën, duke theksuar se ajo mbetet një “partnere kryesore” në rajonin e Indo-Paqësorit. Biden nënvizoi se nëndetëset që do të patrullonin në bregdetin e Australisë nuk ishin të armatosura me armë bërthamore, por vetëm furnizohen me energji bërthamore.

Me këtë marrëveshje SHBA-ja, deklaroi më tej Biden, nuk po shkel aspak angazhimet e saj për mospërhapjen e armëve bërthamore, por thjesht po forcon aleancat ekzistuese. Në fakt në pamje të parë, formimi i aleancës ushtarake AUKUS, krijon ndjesinë e një vazhdimësie të aleancave të vjetra.

Siç e vuri në pah presidenti amerikan, të tria këto vende kanë luftuar përkrah njëra-tjetrës për pjesën më të madhe të 100 viteve të fundit, dhe janë anëtaret kryesorë të aleancës së shërbimeve sekrete“Five Eyes”, së bashku me Kanadanë dhe Zelandën e Re.

Sidomos për Francën, shpallja e kësaj aleance vetëm sa e përforcon besimin e Parisit në ndryshimet e mëdha që ekzistojnë midis Evropës dhe botës anglo-saksone. Por ta shohësh krijimin e AUKUS si shenjë të vazhdimësisë – sikurse e kanë paraqitur arkitektët e saj – do të thotë të humbasësh thelbin.

Edhe pse Biden përmendi dy herë Francën në komentet e tij, vendi kryesor që kishte në mendje ishte ai që nuk u përmend fare:Kina. Një zyrtari i lartë i administratës, më tha se aleanca ishte krijuar për të forcuar aftësitë në rajonin Indo-Paqësor, duke e afruar Britaninë “më pranë synimeve tona strategjike në rajon në tërësi”.

Por cili është synimi strategjik i Joe Biden? Në deklaratën e tij zyrtare Biden, parashtroi një vizion mbi një “rajon të Indo-Paqësorit të lirë dhe të hapur”, pra me fjalë të tjera, të lirë nga dominimi kinez. Sipas një zyrtari britanik me të cilin bisedova, ky koncept u shfaq për herë të parë në Japoni, dhe që atëherë është miratuar nga Australia, një fuqi tjetër e Paqësorit që e

ka ndjerë jo pak presionin e Pekinit vitin e fundit.

Po ashtu kjo aleancë përputhet me synimin e deklaruar të Britanisë për një rend ndërkombëtar paqësor dhe të hapur, siç përcaktohet edhe në strategjinë kombëtare të botuar këtë vit me disa rishikime, që është thelbi i vizionit të politikës së jashtme të Boris Johnson.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian, deklaroi se kjo lëvizje “minon seriozisht paqen dhe stabilitetin rajonal“, ndërsa ambasada kineze në Uashington akuzoi Britaninë, Australinë dhe SHBA-në se kanë ende një “mentalitet të Luftës së Ftohtë”.

Biden ishte i prirur të theksonte se AUKUS është shembulli i një aleance që e projekton fuqinë amerikane në botë, duke e vënë këtë zhillim në kontrastme refuzimin e Donald Trump të marrëveshjeve të tilla globale, të cilat ish-presidenti i pa si një barrë për SHBA-në.

Siç më tha një zyrtar britanik:“Propozimi i Biden, është që Kina të mos krijojë aleanca, por tonat janë pak të përgjumura”. Kjo aleancë është ndërkohë një lëvizje për të stabilizuar një rend botëror të cilin Trump e hodhi poshtë. Pra kjo lëvizje përbën një shkëputje nga Trumpizmi, edhe pse francezët dhe evropianët e tjerë besojnë se mënyra se si janë trajtuar, tregon një përbuzje të ngjashme.

Për ata në SHBA që janë të shqetësuar nga shtrirja e madhe perandorake e vendit, lajmet se Uashingtoni ka nënshkruar një aleancë tjetër në mbrojtje të zonave të saj të ndikimit larg brigjeve të saj mund të duket si një rikthim i maktheve të vjetra, ashtu siç u duk edhe argumenti se si do të përfitojë Amerika pas tërheqjes nga Afganistani.

Biden dhe Johnson shohin një botë të aleancave të shumta dhe plotësuese të njëra-tjetrës.  Për shembull, Biden foli edhe për “QUAD”, aleancën joformale midis Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Indisë dhe Australisë, e cila është një tjetër shtyllë e politikës së kontrollit të Uashingtonit për mbajtjen e Kinës nën kontroll.

Këto aleanca, përfaqësojnë një kontrast të madh me botën e shekullit XX-të, e cila  përqendrohej tek një aleancë ushtarake në të gjithë kontinentin, për të frenuar superfuqinë rivale të Amerikës në atë kohë, Bashkimin Sovjetik, dhe një organizatë tregtare që përfshinte gjithë globin.

Johnson e sheh rendin e sotëm si më ad hoc dhe më të shkathët, pra si shumë më të përsosur për Britaninë pas Brexit, që sipas tij ishte penguar për dekada nga ngurtësia dhe mungesa e fleksibilitetit të Bashkimit Evropian, dhe sot ka hyrë në një botë më “dinamike”, ku Londra mund të reagojë shpejt ndaj ngjarjeve, duke nënshkruar aleanca të reja si AUKUS, bazuar në interesat e veta kombëtare.

Kjo lëvizje nxjerr edhe njëherë në pah nevojën për të forcuar një rend botëror, që është lënë të venitet pas 20 vitesh vetëkënaqësie, mendjemadhësie dhe lodhjeje perandorake, që dolën në sipërfaqe nga Brexit dhe zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-së.

Vendimi për të ftuar Pekinin në sistemin ekonomik botëror në vitin 2001, me anëtarësimin në Organizatën Botërore të Tregtisë, nuk solli një Kinë më liberale apo më demokratike siç e kishin parashikuar udhëheqësit botërorë, por vetëm një kundërshtar më të fuqishëm dhe më autoritar që është rritur me shpejtësi përgjatë kohës kur SHBA-a dhe aleatët e saj (përfshirë Britaninë dhe Australinë) ishin të shpërqendruar nga problemet në Lindjen e Mesme dhe Afganistan.

Në fakt, SHBA-së i duhet tashmë të përshtatet me botën e re të fuqisë kineze, në mënyrë që të mbrojë botën e vjetër “të lirë dhe të hapur” të tregtisë globale, dhe epërsinë amerikane që ndërtoi Uashingtoni pas Luftës së Dytë Botërore.

Tronditjet që shkaktuan Trump dhe Brexit në vitin 2016 – viti kur Australia nënshkroi marrëveshjen e lartpërmendur me Francën – kanë çuar pa dashje në botën e sotme, ku ekziston një konsensus politik në SHBA, Britani dhe Australi, se fuqia kineze duhet të mbahet nën kontroll.

Të marra së bashku, përfundimi i luftës në Afganistan, kundërvënia ndaj Kinës dhe prioritizimi i aleancave të vjetra “Anglo” mbi BE-në janë të gjitha lëvizje të mëdha strategjike. “Kur bëni lëvizje të mëdha strategjike, ju i zemëroni njerëzit”- tha zyrtari

britanik. Aleanca e re ushtarake që do të frenojë ngritjen e Pekinit në shikim të parë duket si një rikonfirmim i rendit të vjetër, por në fakt ajo është një nga “tullat” e para të një rendit të ri që po zë vendin e tij.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH