Globi

REL: Disa opsione për tejkalimin e krizës Kosovë-Serbi

Shkruar nga Liberale
REL: Disa opsione për tejkalimin e krizës Kosovë-Serbi

Në rundin e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 18 gusht, një prej opsioneve për tejkalimin e tensioneve midis dy vendeve ka qenë shtyrja e zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targa dhe dokumente udhëtimi për një afat prej dy-tre muajsh.

Kështu thonë për Radion Evropa e Lirë burimet diplomatike evropiane, sipas të cilave, një shtyrje e tillë do të ishte e nevojshme për t’u dhënë kohë edhe serbëve në Kosovë që të përgatiten, ndërsa ata që nuk kanë dokumente përkatëse të Kosovës, të pajisen me të tilla.

Qeveria e Kosovës, më 1 shtator, pritet të nisë zbatimin e vendimit për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në RKS - Republika e Kosovës - dhe për lëshimin e dokumenteve hyrëse/dalëse për shtetasit serbë.

Ky vendim, i paraparë të niste së zbatuari më 1 gusht, është shtyrë për 30 ditë, për shkak të tensioneve që ka shkaktuar në veri të Kosovës, përfshirë ngritjen e barrikadave nga disa serbë lokalë.

Kërkesën që lëshimi i dokumenteve hyrëse nga ana e Kosovës të mos vlejë për serbët e Kosovës, e ka konfirmuar publikisht edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas burimeve të BE-së, pala kosovare në dialog ka thënë se asnjë shtetas i Kosovës, pa dallim përkatësie etnike, nuk ka nevojë për dokument shtesë për hyrje/dalje.

Por, mospajtimet ekzistojnë rreth mënyrës se si të dëshmohet që dikush është qytetar i Kosovës, nëse nuk posedon dokument identifikues të lëshuar nga autoritetet në Kosovë. Serbët në veri janë të pajisur kryesisht me dokumente që u lëshon Serbia.

Në anën tjetër, Serbia, me vite, lëshon dokumente të posaçme për shtetasit e Kosovës kur hyjnë në territorin e saj.

Edhe pse pranojnë se opsioni që të dyja palët të heqin dorë nga lëshimi i letrave të posaçme për hyrje/dalje ka pak gjasa të ndodhë, burimet e BE-së e konsiderojnë atë si “të dëshirueshëm”.

Opsion tjetër është që Kosova, në mënyrë të njëanshme, të shtyjë zbatimin e vendimit edhe pas datës 1 shtator.

Burimet në BE thonë se puna në kërkim të zgjidhjes po vazhdon në mënyrë intensive.

Këtë e dëshmojnë edhe takimet që këto ditë po zhvillojnë në Kosovë dhe në Serbi i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në Bruksel nuk e vënë në dyshim të drejtën e Kosovës që, sipas marrëveshjeve të vitit 2011 dhe 2016 me Serbinë, t’i zbatojë masat e reciprocitetit me këtë vend, por kërkojnë që të merret parasysh situata në terren dhe të jepet më shumë kohë për të shmangur keqkuptimet.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, zëvendësimi i targave do të nisë më 1 shtator dhe do të ketë një afat kalimtar prej dy muajsh, gjatë të cilit do të mund të ndërrohen targat.

Kryeministri Kurti përsëriti të mërkurën se do t'i përmbahet vendimit për targa dhe dokumente, ndërsa në Serbi thonë se janë duke kërkuar kompromis.

Burimet në Bruksel thonë se Departamenti Amerikan i Shtetit, nga niveli më i lartë, përfshirë edhe sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, ka insistuar që deri në fund të kërkohet një zgjidhje për shmangien e tensioneve në Kosovë./rel/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH