Aktualitet

Reichstag-u në flakë, i duam 50-55 për qind të votave

Shkruar nga Liberale
Reichstag-u në flakë, i duam 50-55 për qind të votave

Nga Berat Buzhala

Historiani i njohur britanik, Richard Evans, në trilogjinë e tij monumentale, “Rajhu i Tretë”, thotë se në momentin kur Adolfi po e shihte të digjej ndërtesa e Reichstag-ut dhe kur po e dëgjonte se çfarë i tha Goring, ai kishte bërtitur: Kjo është vepër e Zotit.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Gjermania ishte zhytur në një krizë të thellë të brendshme, politike, morale dhe ekonomike.

Mënyra se si ishte ndarë drejtësia në fundin e Luftës së Parë Botërore kishte qenë aq disproporcionale sa shumë historianë mendojnë që në fakt Lufta e Dytë Botërore ka filluar në Versaje, ose edhe në Sarajevë, por jo në ditën kur Gjermania naziste e kishte sulmuar Poloninë.

Fuqitë e Mëdha, në fund të Luftës së Parë Botërore, e kishin dënuar Gjermaninë shumë më shumë sesa mund të duronte ekonomia e saj. I kishin marrë toka, e kishin cunguar ushtarakisht dhe i kishin caktuar që të paguante çdo vit dëmshpërblime.

Devalvimi i valutës, papunësia e madhe, mungesa e ushtrisë dhe territoret e pushtuara po e mbanin superfuqinë evropiane në një krizë të vazhdueshme.

Gjermania ishte shndërruar në një laborator të përshtatshëm për eksperimente të rrezikshme politike. Në këto kushte, gradualisht po e ngrinte kokën një djalë nga Austria me emrin Adolf. Për vite të tëra ai kishte bredhur nga një birrari në një tjetër, nga një platformë në një tjetër, duke iu folur gjermanëve për idetë e tij për ekonominë, për raportet me fqinjët dhe për temën e tij të preferuar: racat superiore dhe inferiore.

Fillimisht ai ishte injoruar dhe konsideruar i çmendur, çfarë edhe ishte, mirëpo sa më shumë që po demaskohej pjesa tjetër e klasës politike, aq më seriozisht po merrej ai. Për veprimtarinë e tij ai ishte arrestuar dhe ishte dënuar. Në paraqitjet e tij para gjyqit, Adolfi deklaronte: Nuk mund të dënosh për tradhti atë që po lufton kundër tradhtarëve.

Partia e tij po rritej në çdo palë zgjedhje, mirëpo edhe pse gjermanët po pajtoheshin për shumëçka me të, prapë nuk ishin të sigurt që ai ishte njeriu i duhur. Ishte tepër radikal dhe tepër ndryshe.

Mirëpo, Adolfi ishte i çmendur por jo idiot. Pasiqë i kishte kapur 17 për qind të votave me diskurs radikal, posaçërisht me qasjen kundër hebrenjve, të cilët ai i fajësonte për mizerinë ekonomike të Gjermanisë, Adolfi shëndetligë në vitin 1932 vendosi, që për të arritur në pushtet, të ndryshonte mënyrën e bërjes së fushatës.

Ai gjatë fillim viteve të 30-ta i kishte lënë anash – për momentin – hebrenjtë dhe i ishte rrekur ekonomisë. Ai 17-përqindëshi që e votonin dhe e dashuronin si politikan radikal, ishin të bindur që Adolfi i tyre nuk ishte zbutur, por thjesht po taktizonte për të ardhur në pushtet. Kurse pjesa tjetër e gjermanëve, që në rrethana normale ishin votues racionalë, të lodhur nga politika e vjetër, duke dashur që t’i besonin gjuhës së tij të moderuar, vendosën që të eksperimentojnë.

Kështu në zgjedhjet e qershorit të vitit 1932 Partia Nacional Socialiste u dyfishua në numër, duke shkuar nga 17 për qind në 37 për qind. Presidenti i asaj kohe, Paul Von Hindenburg, i cili duhej ta nominonte kryeministrin, i frikësohej shumë austriakut me gjuhë të mprehtë. Kështu, për ta shmangur atë, vendosi ta çojë vendin prapë në zgjedhje. Prapë në nëntor të atij viti Adolfi arriti t’i fitonte zgjedhjet me një zbritje të lehtë, me 33 për qind. Hindenburg kësaj radhe u dorëzua dhe tha më vete: është më mirë ta bëj kryeministër që ta shohin gjermanët se kush është ky në të vërtetë, në mënyrë që të çmitizohet. Ky gabim ka kushtuar hiç më pak se 60 milionë të vdekur dhe miliona dëme ekonomike dhe vuajtje të pafundme. Kështu, në janar të vitit 1933 Adolfi i çmendur bëhet kryeministër. Herën tjetër kur Gjermania mbajti zgjedhje të lira dhe demokratike ishte pas 16 vjetësh.

Po supozoj që të gjithë ju e dini se çfarë kishte ndodhur gjatë kësaj periudhe kohore në botë dhe në Gjermani, mirëpo kjo nuk është gjëja më e rëndësishme për këtë shkrim.

Gjëja më e rëndësishme është ajo çfarë kishte ndodhur prej muajit janar, kur Adolfi e fitoi atë që e deshi e deri në muajin mars kur ai e çoi vendin në një palë zgjedhje të reja, për t’i fituar, siç thoshte ai dhe kllapa e tij, prej 50 deri në 55 për qind në mënyrë që ai të qeveriste i vetëm, pa i pasur nëpër këmbë të korruptuarit dhe hebrenjtë. E donte pushtetin të plotë.

Më 27 shkurt, një muaj pasiqë ishte zgjedhur kryeministër, Adolf kishte qenë në darkë me mikun dhe bashkëpunëtorin e tij Joseph Goebbels. Gjatë asaj darke dikush e thërret në telefon Goebbelsin për t’i treguar që po digjet Reichstag-u. Të dy këta çohen nga darka dhe nisen për në vendin e krimit, atje ku po digjej ndërtesa. Në vendin e ngjarjes e takojnë ministrin e Punëve të Brendshme të Prusisë, Herman Goring, i cili u thotë dy vizitorëve të rëndësishëm se “kjo është një vepër e komunistëve”.

Historiani i njohur britanik, Richard Evans, në trilogjinë e tij monumentale, “Rajhu i Tretë”, thotë se në atë moment, kur po e shihte ndërtesën në flakë, kur po e dëgjonte se çfarë i tha Goring, Adolfi kishte bërtitur: Kjo është vepër e Zotit.

Të gjitha burimet e pavarura tregojnë që ai i cili u arrestua për zjarrvënie, një komunist holandez, Marinus van der Lube, ishte sjellë më vonë në vendin e ngjarjes, në mënyrë që të inskenohej e gjithë përralla tragjike, në mënyrë që vendi të shkonte në zgjedhje përmes masave të jashtëzakonshme dhe në mënyrë që përmes frikës Adolfi t’i fitonte 51 për qind të votave.

Mënjeherë pas këtij akti, Adolfi Hitler kishte nxituar për te kundërshtari i tij politik, presidenti Hindenburg, për t’ia nënshkruar aktin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, me të cilin suspendoheshin të gjitha liritë dhe të drejtat e njeriut që i garantonte kushtetuta, duke përfshirë këtu edhe lirinë e mediave, lirinë e shprehjes etj. etj. Ky suspendim i lirive ka mbetur në fuqi gjatë gjithë pushtimit nazist.

Kështu, në këtë gjendje të jashtëzakonshme, duke i arrestuar të gjithë deputetët e Partisë Komuniste dhe jo vetëm, Fyhreri në mars e çon Gjermaninë në zgjedhje. Premtimi i tij ishte ky: Më votoni mua, kurse pas dhjetë vjetësh nuk do ta njihni Gjermaninë. Nën masa të jashtëzakonshme, me arrestime të shumta, Adolfi arriti t’i fitonte 43 për qind të votave të përgjithshme. Ky ishte pastaj vetëm fillimi i tij. Për ta realizuar ambicien e tij të sëmurë, për të qeverisur i vetëm dhe pa pengesa, ai përdori taktika të kombinuara. Frika dhe terrori, jo në rrjete sociale por në rrugë, ishte gjëja e tij e preferuar.

Kushdo që e ka mbaruar shkollën fillore dhe të mesme në mënyrë të rregullt do të duhej të kishte njohuri për zhvillimin e mëtutjeshëm të ngjarjeve.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH