Aktualitet

Reformat e kërkuara nga BE për rajonin tonë, ku do të shkojnë 6 miliardë euro dhe ironia me dy kërkesat për Shqipërinë

Shkruar nga Liberale
Reformat e kërkuara nga BE për rajonin tonë, ku do të

Aranit Muraçi

Bashkimi Evropian planifikon të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor që të ndjekin reformat e nevojshme për integrimin me bllokun, me 6 miliardë euro, premtoi të hënën, teksa vizitoi kryeqytetet e dy vendeve fqinje, Shkupin dhe Prishtinën, presidentja e ekzekutivit të BE-së Ursula von der Leyen.

Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina duhet të shfrytëzojnë "dritaren e mundësive" për zgjerimin e BE-së dhe të punojnë për të përafruar standardet e tyre me ato në bllok, tha von der Leyen.

Siç u bë e qartë në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë, kërkesat e BE-së, dhe investimi i tyre për përmbushjen e standardeve varet nga vetë dëshira dhe vullneti i secilës prej vendeve të Ballkanit.

Mesazhi diplomatik që dha Gjermania, fuqia kryesore e zgjerimit, është se Tirana zyrtare gjeografikisht dhe politikisht është vendi i parë i mirëpritur në familjen europiane. Sepse e kaluara historike e lidh popullin shqiptar më së shumti me familjen europiane, ndryshe nga popujt sllavë të Ballkanit. Por anëtarësimi i vendit tonë nuk mund të konsiderohet kurrsesi “dhuratë”.  Ajo që e ndihmon Shqipërinë të bëhet pjesë e familjes së madhe europiane është edhe fakti që si vend anëtar i NATO-s, edhe pse mund të mos i kishim plotësuar kushtet kur u anëtarësuam dhe mund të mos i plotësojmë ende, nuk jemi sjellë kurrë si një vend anëtar problematik.

Edhe si një vend kandidat, Shqipëria ka mundur të mos krijojë incidente diplomatike me BE duke u ngjitur politikisht edhe në një nivel më të kënaqshmëm se disa vende anëtare si Hungaria.

Tingëllon ironike por dy nga kërkesat kryesore që duhet të plotësojë Shqipëria për t’u anëtarësuar, i ka plotësuar në ditën e parë të hapjes së ekonomisë dhe të ndryshimeve politike, pas rënies së regjimit komunist.

Në ’90, në Shqipëri nuk kishte krim të organizuar, madje as krim ordiner të rrugës, sikurse korrupsioni ose nuk figuronte fare ose ishte në ritmet më të ulëta në Europë.

Ironia më e madhe është se ku do të përfundojnë paratë për të përshpejtuar reformat që kërkon BE? Nëse do të përfundojnë në xhepat e personave përgjegjës për ngadalësimin e proceseve demokratike, manipulimeve dhe falsifikimeve për qëllime përfitimi, që favorizojnë krimin dhe që nuk bëjnë gjë tjetër veçse rrisin nivelin e korrupsionit duke u bërë pengesa kryesore e zhvillimit… a nuk janë ato para të çuara dëm?!

Janë pak a shumë si fondet e Bashkimit Europian për zhvillimin e Bujqësisë, në vendin tonë. Para ’90, fermerët thonë se në çdo fshat kryheshin studime për t’i orientuar ata se çfarë kulturash duhet të kultivonin. Si ndryshim pas ‘90, çdo qeveri duhet të kishte një plan të qartë për prodhimin, magazinimin, dhe shpërndarjen e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, së pari për të plotësuar nevojat e tregut të brendshëm dhe më tej, për të lidhur kontrata eksporti me tepricat.

Shqipëria në 30 vite nëse do të ekzistonte vizioni i qeverive për zhvillimin ekonomik të saj, minimalisht mund të kishte ndjekur një model të një prej vendeve të tjera të Bashkimit Europian, si për shembull do të kishte marrë atë grek, ndoshta si më i përshtatshmi.

Por në vend të kësaj, me qindra mijëra të rinj të cilët kanë braktisur në tërë këto vite tokat  bujqësore në zonat rurale të Shqipërisë, për të punuar në Greqi, thonë se janë larguar në mungesë të perspektivës dhe politikave favorizuese. Atëherë sa është BE e sigurt se paratë për ta afruar Shqipërinë më pranë familjes europiane, shkojnë në drejtimin e duhur dhe e realizojnë qëllimin?

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH