Analizë

Reforma në Drejtësi me mbështetjen e Faktorit Ndërkombëtar

Shkruar nga Liberale
Reforma në Drejtësi me mbështetjen e Faktorit

Miklovan Lugaj

Lidhur me konceptin e drejtësisë Platoni që në antikitet ka thënë:"Drejtësia në jetën dhe sjelljen e shtetit është e mundur vetëm pasi së pari ajo banon në zemrat dhe shpirtrat e qytetarëve."

Kryefjala në ditët e sotme në Shqipëri është Reforma në Drejtësi. Votimi historik i datës 22 korrik të vitit 2016, nga 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë ishte pikënisja e një reforme që lidhet me ndryshime të thella kushtetuese dhe që vlerësohet si thelbësore për integrimin në Bashkimin Evropian.

Kjo reformë do të ketë gjithashtu ndikim dhe rol të rëndësishëm edhe në sigurimin e një mjedisi të sigurt të të bërit biznes, i cili do të tërhiqte investitorët e huaj të investojnë në Shqipëri, duke kontribuar kështu në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare.

Në 2013 me ardhjen në pushtet të mazhorancës socialiste, një vit më pas nisi puna për reformën në drejtësi. Filloi nga puna komisioni për Reformën në drejtësi. Ky komision kishte në përbërje të tij ekspertët më të mirë në vend. Përveç vullnetit të mirë nga mazhoranca për këtë Reformë një rol thelbësor patën dhe ndërkombëtarët SHBA dhe BE. Në vitin 2015 politika arriti një konsensus të gjerë për miratimin e ligjit të dekriminalizimit, i cili parashikonte penalizime deri në largim nga funksionet të personave të dënuar me vendim të formës së prerë. Ky ligj pati një ndikim të madh, pasi e shtriu veprimin e tij mbi të zgjedhurit në kuvend apo të zgjedhur lokalë, që u detyruan të dorëhiqeshin nga funksionet e tyre. Viti 2016 mund të konsiderohet si arritja me e madhe konsesuale në vend, ku me 22 korrik deputetët e parlamentit shqiptar votuan pro reformës në drejtësi.

Shihet qartë që ka një opinion pozitiv nga gjithë komuniteti ndërkombëtar për reformën në drejtësi. Ndërkombëtarët kanë përmendur jo pak herë se reforma në drejtësi që po kryhet në Shqipëri është model që duhet ndjekur nga vendet e tjera të Ballkanit por edhe nga disa vende anëtare të Bashkimit Europian si Polonia, Hungaria, etj.

Në interesin publik vëmendje të madhe ngriti pyetja e bërë nga ish ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu i cili është shprehur: "Fitore e kujt ishte votimi i të premtes? Kjo është pyetja që bëjnë të gjithë në Tiranë. Ishte fitore e udhëheqësve të partive politike? E medias? E komunitetit ndërkombëtar? Apo individualisht e deputetëve? Unë e di se kush e meriton nderimin. Dhe i takon një grupi njerëzish që nuk janë sonte këtu. U takon miqve tuaj, fqinjëve tuaj dhe anëtarëve të familjeve tuaja. I takon popullit shqiptar. Historia do të regjistrojë shumë heronj dhe antiheronj nga javët e fundit të debatit për reformën në drejtësi. Asnjë hero i vetëm nuk është aq i fuqishëm sa zëri i qytetarëve shqiptarë."- përfundon deklaratën e tij Donald Lu.

Në një moment tjetër Donald Lu është shprehur: "Të gjithë ne në Ambasadën Amerikane jemi të përqendruar në reformën në drejtësi për shkak të udhëzimit direkt nga zyrtarë të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit. Ata na kanë thënë qartësisht se prioriteti numër një i Qeverisë Amerikane në Shqipëri është të mbështesë reformat e nevojshme për pranimin e Shqipërisë në BE."

E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së, Moses-Ones është shprehur: "Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar krah Shqipërisë dhe i kanë nxitur këto ndryshime të mëdha. Ne qëndruam krah Shqipërisë kur reformat u miratuan njëzëri tre vjet më parë. Ne kemi qëndruar krah Shqipërisë kur filloi rivlerësimi dhe ndërsa ka pastruar sistemin e drejtësisë. Ne kemi qëndruar krah Shqipërisë gjatë krijimit të Këshillave të Gjyqësorit dhe të Prokurorisë. Ne jemi duke qëndruar krah Shqipërisë ndërsa po ngrihet SPAK-u. Jini të sigurtë, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah Shqipërisë ndërsa Reforma në Drejtësi i jep një formë të re të ardhmes tuaj."

Vetëm pak javë na ndajnë nga 18 tetori, kohë kur do të vendoset për hapjen ose jo të negociatave mes Shqipërisë e BE-së. Mbi këtë çështje, Berlini zyrtar ka dhënë një mesazh këtë të hënë përmes sekretarit parlamentar të shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë Christian Lange, i cili është shprehur se parakusht për integrimin e Shqipërisë mbetet reforma në drejtësi.

Donald Tusk, Kreu i Këshillit Europian, i cili në samitin e tij më 18 tetor, do të vendosë hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, u cilësua të martën në Tiranë nga kryeministri Rama "avokat i zgjerimit të BE-së me rajonin e Ballkanit Perëndimor”. Tusk ka deklaruar se nuk ka Europë të sigurtë pa integrimin e Ballkanit  dhe  se  Shqipëria dhe Maqedonia meritojnë hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në.

Do të mundeshim ne shqiptarët ta realizonim reformën në drejtësi pa patur mbështetjen kaq të madhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-së?

Ëndrra për në BE vazhdon, për të shkuar jo thjesht drejt një bashkimi ekonomik e politik, por para së gjithash drejt një bashkimi vlerash.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH