Editorial

REFLEKSIONE nga Erl Kodra: Kthimi i Lul Bashës

Shkruar nga Liberale
REFLEKSIONE nga Erl Kodra: Kthimi i Lul Bashës

Nga Erl Kodra

Që prej marsit të vitit të kaluar, Lulzim Basha u la fushë të lirë të gjitha ambicieve politike të gjithkujtë në Partinë Demokratike. Ata i kishin të gjitha mundësitë të shpalosnin lidershipin e tyre, të bashkonin partinë dhe ta organizonin atë. Po çfarë ndodhi realisht?

Të gjendur papritur nën projektorët e opinionit publik dhe presionin e demokratëve që të merrnin përgjegjësi, ata filluan të kërkojnë ndonjë strehë ku të fusnin kokën. Nja dy tre deputetë u larguan përfare - ata që kishin më shumë dinjitet - ndërsa një pjesë filloi të lëpinte plagët e shkaktuara nga Berisha. Tonet u ulën, armët u fshehën, buzëqeshjet u stampuan në fytyrë, thua se kishin marrë ndonjë lajm special nga Departamenti i Shtetit se Sali Berishës do t’ia hiqnin non-gratën.

Tani edhe objektivat e sulmit ndryshuan; sepse armiku i ri ishte Lulzim Basha, ai humbësi i madh që nuk fitonte dot me faturën e rëndë 32 vjeçare të Sali Berishës me shokë. Kujtonin se demokratët janë ca qenie të ulëta që nuk mendojnë, që do t’u shkojnë pas pa hezitim, njësoj si tufat e deleve. Të shkretët mendonin se emri dhe vula e Partisë Demokrate do të ishte arma e tyre për negociata me Sali Berishën në zgjedhjet e vitit 2025. A nuk tentuan ta bënin këtë edhe në zgjedhjet e fundit lokale?! Çfarë i ofronin ata Sali Berishës në shkembim, përveç vulës dhe logos së partisë?!

Por demokratët nuk u gënjyen. Vetëm me shpirtin e tyre ata i dhanë mbi 100,000 vota për këshilltarët e PD, ndërkohë në anën tjetër, megjithse shumë demokrat votuan kandidatët e Foltores, humbja ishte turpëruese.

Në këto rrethana, duke patur parasysh gjithçka ka ndodhur në harkun e dy viteve, duhet të jesh ose idiot, ose interesaxhi i ulët që të rikthehesh akoma tek Sali Berisha. Idiotë nuk rezultojnë të jenë; po çfarë janë ata pra?!

Kaq larg ka shkuar kjo histori, sa Gazmend Bardhi në një moment nervozizmi të sinqertë, para dy - tre javësh deklaronte se “kush ka thurur skenare për rikthimin e Lulzim Bashës duhet të japë llogari”. Se ku duhej dhe pse duhej te jepte llogari, ai nuk e tha, por subkoshienca e tij në ato momente po funksiononte me sinqeritet të plotë.

Mendjet njerëzore janë sa komplekse, aq edhe të thjeshta. Sidomos kur të preken interesa dhe sheh se papritur po humbet privilegje dhe gjëra që ta bëjnë jetën interesante; kur e kupton se nuk ke fuqinë dhe për t’u bërë lider, atëherë do kërkosh aleatë për të mbrojtur interesat e tua. Interesat e demokratëve?! Punë e madhe fort, edhe qëndrimi në opozitë nuk është edhe aq keq.

Duket se Lulzim Basha e la partinë sa për shkak të rrethanave, aq edhe për t’u dhënë kohën e duhur ngjarjeve në zhvillim. Humbja e Sali Berishës dhe Ilir Metës duhej ndjerë deri në kockë, ndërsa fallsiteti i disa prej atyre që e rrethonin duhej të shpërfaqej paturpësisht. Vetëm kështu ujrat do kthjelloheshin, vetëm kështu demokratët do kuptonin se kush ishte kush. Partia Demokratike është në emergjencë, ajo nuk mund të kthehet në monedhë shkëmbimi të askujt, për më tepër në pazare me Sali Berishën.

Tashmë ndarja e PD është fakt. Partia Demokratike duhet ta vazhdojë rrugën e saj, ndërsa Foltorja të vetën. Ato dy pjesë nuk mund të bashkohen. Në fakt as nuk kanë pse të bashkohen, të paktën jo më rrethana opozitarizmi. Por ndarja jo gjithmonë vjen për keq; sepse kësaj rradhe ka një rrugë që mund të rezultojë fituese.

Për herë të parë Partia Demokratike i ka shanset të rritet përtej demokratëve tradicional - tek elektorati gri. Duket se ushtria e atyre që nuk votojnë dhe e atyre që nuk votojnë Sali Berishën është shumë e madhe. Pa këto vota kurrë nuk mund të mundet Edi Rama, dhe kurrë nuk do të vijë ndryshimi.

Foltorja le të vazhdojë rrugën, të marrë votat e saj dhe me këto vota ka legjitimitetin që nesër të negociojë. Por pa Berishën. Tek e fundit, nuk është aspak tragjedi ndarja e një partie. Edhe vëllezrit, motrat dhe prindërit ndahen. Dhe Sali Berisha nuk është babai ynë. 32 vjet janë shumë, tmerrsisht shumë.

Ps: fyerjet nuk do tolerohen. Bllok direkt.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH