Erl Kodra
Çfarë po ndodh në veri të Kosovës? Pse qeveria e Kosovës humbi çdo kontakt me veriun e vendit? Cilat ishin shkaqet që e sollën gjendjen në pikën më të rrezikshme, që prej shpalljes së Pavarësisë në vitin 2008? Mbi të gjitha, a është gjendja aktuale rezultat i politikës miope, kinse meskine e Kryeministrit Albin Kurti?
Aleksandër Vuçiç është i keq, por gjithashtu është edhe kreu i një shteti armiqësor ndaj Kosovës. Ai përdor çdo mënyrë dhe mjet, përfshirë edhe grupet kriminale, me qëllime dhe synime të qarta kundër Kosovës. Pra, deri këtu nuk kemi thënë asgjë të re, dhe se ne nuk mund të presim asgjë të mirë nga Serbia. Përndryshe, fitoret më të mëdha të Kosovës kanë ardhur si rezultat i mbështetjes jetike nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO. Pa këtë mbështetje Kosova e ka të vështirë, në mos të pamundur mbijetesën. Gjërat duhen thënë me emrin e tyre të vërtet.
Kosova nuk mund të bënte sikur; domethënë, sikur do të shtrinte sundimin e ligjit në gjithë territorin e vendit, do të aplikonte reciproritetin e plotë, dhe do t’i përgjigjej dhëmb për dhëmb shtetit serb. Në një botë kalorsiake, ky do të ishte një fiction fantastik.
Gjithë çfarë mund të bënte (dhe duhet të bëjë) Kosova është të dëgjonte këshillat e shtetit më të fuqishëm në planetin Tokë – Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Albin Kurti donte të zbatonte reciproritetin për targat – por nuk mund ta zbatonte.
Abin Kurti donte të këshillonte pronarët e mjeteve, pastaj t’i gjobiste, pastaj t’ua sekuestronte makinat – por nuk mundi.
Albin Kurti donte të zhvillonte zgjedhje pas dorëheqjeve masive, por nuk mundi t’i zhvillonte.
Albin Kurti donte t’i largojë barrikadat në veri të vendit, por nuk ka mundësi ta bëjë.
Që Aleksandër Vuçiç është një armik i egër i Kosovës kjo nuk ka pikë dyshimi. Por përderisa nuk je në gjendje ta mundësh këtë armik, minimalisht nuk duhet t’i japësh shans që armiku të forcojë pozitat e tij. Aq më tepër t’i japësh “shkaqe dhe argumenta” që djalli të veshë kostumin e viktimës.
Albin Kurti e ka humbur veriun e vendit. Ai nuk ka një pikë kontakti, me askënd nga veriu. Në terren ka vetëm bandit serb dhe KFOR.
Si gjithmonë, shpresa e vetme mbeten Shtetet e Bashkuara. Por Amerika ka nevojë për partner serioz, që di dhe dëshiron të luaj në të njëjtën gjatësi vale, me të njëjtin hap.