Editorial

Referendum anti-amerikan   

Shkruar nga Liberale
Referendum anti-amerikan   

Arion Sulo

Të enjten pasdite, Sali Berisha nisi lëvizjen politike “Foltorja”, një revansh i tij pas përjashtimit nga grupi parlamentar që prezantohet si bashkëbisedim me demokratët, por që ka si qëllim final rimarrjen e kontrollit në PD.

Nga ajo që ka thënë vetë Berisha, kuptohet se kërkohet një referendum për të rrëzuar vendimin e Bashës për përjashtimin e tij nga  grupi parlamentar.

Berisha nuk e ka fshehur se ai kërkon që kjo lëvizje të finalizohet me një verdikt për fatin e tij personal në politikë. Sigurisht e ka argumentuar këtë si të dobishme për PD, si korrigjuese për demokracinë e shkelur, madje dhe me paaftësinë apo pabesinë e Lulzim Bashës si për vendimin në fjalë, ashtu edhe për drejtimin PD.

Nuk ka asgjë të keqe që Berisha apo shumëkush të bëjë betejë politike apo për dinjitet personal. Problemi qëndron se në këtë betejë, Berisha po përfshin dhe po implikon të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike që të zgjedhë mes tij dhe vendimit të Bashës apo mes tij dhe SHBA-ve.

Sigurisht, një vrasje e PD-së.

Në referendumin e synuar, me gjasë pyetja do të jetë: a jeni dakord me përjashtimin e zotit Berisha dhe normalisht fituese do të rezultojë JO-ja. Por ndërkohë, pyetja e vërtetë e referendumit duhet të jetë: Si person i padëshirueshëm nga SHBA, a duhet të jetë Berisha anëtar i Grupit të PD?

Në kohën kur po zhvillohet, lëvizja e Berishës nuk i shërben as Partisë Demokratike dhe as vendit.

Nga ajo u pa në takimin e parë, nga mbështetësit e Berishës, deputetë dhe ish deputetë, duket se ndarja e PD është çështje kohe, nëse ish kreu i PD i shkon deri në fund inkursionit për rimarrjen e partisë.

Nëse do të kishim një lëvizje vërtet për interesat e PD dhe jo për fatin e një personi, kjo do të ishte pas zgjedhjeve të 25 prillit, ku Lulzim Basha humbi për herë të dytë dhe shmangu analizën apo reflektimin mes demokratëve.

Berisha jo vetëm që nuk e bëri këtë, por me denoncimet e tij për masakrën zgjedhore ishte në sinkron me Bashën dhe la të kuptohet se e mbështeste atë për mandatin e radhës në krye të PD-së. Por jo vetëm.

Është e vështirë të besosh sot Berishën në kritikat për Bashën, kur në vitin 2017 nuk tha asnjë fjalë, madje e mbështeti sërish pasardhësin e tij, i cili me një të rënë të lapsit përjashtoi nga listat për deputetë të gjithë figurat politike të PD.

Berisha kërkon të luajë lojën demokratike të referendumit dhe të prekë emocionet e anëtarëve të thjeshtë, duke i sugjestionuar me emrin dhe historinë e tij politike, por ndërkohë nuk i bëhet e qartë anëtarësisë se çfarë pasojash do të ketë për PD sot e nesër rrëzimi i vendimit të Bashës.

Berisha kërkon që të hedhë në votim atë që Basha shmangu, jo pa qëllim në Këshillin Kombëtar apo forumet e tjera të PD, votimin për të zgjedhur mes ShBA dhe Berishës, për të mos i prishur deri në fund marrëdhëniet mes PD e SHBA. Nëse referendumi realizohet atëherë PD damkoset pa të drejtë si parti anti-amerikane.

Iniciativa më e re politike e zotit Berisha nuk është në interesin e PD dhe as të vendit, pasi rrezikon ta përçajë opozitën dhe të forcojë edhe më tej Edi Ramën dhe pushtetin e tij.

Duke u marrë me opozitën, duke ndarë e dobësuar PD, do të binin edhe ato pak mekanizma kontrolli dhe detyrimi për llogaridhënien e qeverisë së mandatit të tretë të PS,  por siç duken punët  jo të fundit. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH