Medium Personazhe

Receta e lumturisë për Gldisën: Dashuri dhe përkushtim

               Publikuar në : 18:00 - 09/11/21 liberale

Dashuria dhe përkushtimi janë shumë të rëndësishme për Gledisën. Në moshën 3 vjeçare, u diagnostikua me autizëm dhe sindromën Down. Me përkushtimin e të ëmës, por edhe të mësueses kujdestare, 16 vjeçarja sapo mbaroi shkollën 9 vjeçare dhe tani është gati të marrë drejtimin e jetës së saj. Dëshira më e madhe që ka, është të gatuajë për njerëzit e saj më të dashur: vëllain, të ëmën dhe të atin që shpeshherë emigron për të siguruar më shumë të ardhura për familjen.

‘’Do dëshiroja shumë që të punoja edhe të kontribuuoja për t’i siguruar të ardhura familjes time që edhe bashkëshorti mos të detyrohej të largohej në emigrim, edhe të ishte pranë fëmijëve të tij pasi prania e tij është e domosdoshme. Megjithatë kushtet dhe vështirësitë ekonomike nuk na i lejojnë pasi unë duhet të qëndroj në shtëpi për shkak se Gledisa ka nevojë për një kujdesje të veçantë,’’- thotë e ëma e adoleshentes.

Gatimi për Gledisën ka filluar që në moshë të hershme duke ndihmuar nënën e saj në përgatitjen e recetave të ndryshme. Asaj i pëlqen të ndjekë dhe të mësojë receta të reja nëpërmjet platformës YouTube. Pamundësitë ekonomike nuk e lejonin familjen që t’i siguronin mundësinë për të mësuar më shumë rreth pasionit të saj.

‘‘Gledisa është një nxënëse që do e donte çdo mësuese që jepte mësim në klasën e saj. Ajo të fal shumë dashuri dhe jam shumë krenare që do ia tregoj brezave pasardhës si shembull frymëzimi për vendosmërinë që e karakterizon Gledisën dhe dëshirën e madhe të saj për një të ardhme sa më të mirë,’’ – shprehet mësuese Gania.

E ëma e vajzës, Donika, tregon se të bijën e ka ndihmuar shumë mësuesja e saj, e cila ka këmbëngulur që të ndiqte shkollën dhe të kalonte kohë me shokë e shoqe. Fillimisht, për familjen e Gledisës, ishte shumë të vështirë ta pranonin që vajza e tyre kishte nevojë për kujdesje të veçantë. Nga ana tjetër, të ardhurat e pakta financiare shkonin për të plotësuar nevojat bazë. Terapitë e specializuara dhe dëshira për të vazhduar një kurs kuzhine ishin të pamundura.

Familja e Gledisës, është një nga 700 familjet, që janë mbështetur nga projekti “Përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj COVID-19 për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre në Shqipëri” i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga World Vision Albania në partneritet me organizatat e shoqërisë civile. Ndër të tjera, Gledisa ka marrë edhe një set guzhine në mënyrë që të jetë një hap më afër ëndrrës së saj.

Ky projekt synon përmirësimin e shërbimeve të integruara për fëmijët me aftësi të kufizuara, por edhe për të ndihmuar në tejkalimin e vështirësive të thelluara të familjeve, veçanërisht pas pandemisë COVID-19.

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back