Aktualitet

Reagon Pacolli pas arrestimit të ish-këshilltarit të tij për vrasjen e gruas: Përgëzime policisë, sot dy fëmijë janë pa nënën e tyre

Shkruar nga Liberale

Ish-presidenti, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas arrestimit të Naim Murselit, ish-këshilltari i tij për vrasjen e Liridona Murselit.

Në një postim në facebook Pacolli ka përgëzuar Policinë e Kosovës, për punën e saj profesionale në zbardhjen e rastit.

Ai ka bërë thirrje që autorët e krimit të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin maksimal.

“Sot, fëmijët dhe familia kanë varrosur Liridonën, një vajzë dhe nënë të re e cila u vra mizorisht. Jam ende i tmerruar dhe i tronditur nga vrasja e Liridonës, të cilën e kam njohur personalisht. Sot dhe çdo ditë, lutjet dhe mendimet e mia janë me fëmijët dhe familjen e Liridonës.”

“I pergezoj policinë e Kosovës për punën e madhe dhe profesionale që po bëjnë për zbulimin e rastit. Kushdo qoftë mbrapa këtij akti të tmerrshëm dhe makabër (akt i pa parë ne traditën tonë), duhet të dalë para drejtësisë dhe të merr dënimin maksimal për këtë. Sot, dy fëmijë janë pa nënën e tyre, të cilës jeta u mor në rininë e saj.

E pabesueshme dhe e trishtueshme.

Jam ende i shokuar!”, shkroi Pacolli në mesazhin e tij.

Policia e Kosovës arrestoi sot dy persona për rastin e vrasjes së Liridona Murselit, vrasje kjo e cila tronditi vendin më 29 dhjetor në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH