Aktualitet

Raundi i parë i votimit, bosh! Vazhdojmë në kërkim të një Presidenti...

Shkruar nga Liberale
Raundi i parë i votimit, bosh! Vazhdojmë në kërkim të

Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar se ende nuk ka asnjë kandidaturë të regjistruar për Presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë.

Ora 16:00 e 15 majit ishte afati i fundit i raundit të parë për dorëzimin e emrave në Kryesi.

Më pas ditën e nesërme do të zhvillohet raundi i parë i votimit, në orën 17:00, pas mbledhjes së Komisionit të ligjeve, pavarësisht se nuk ka asnjë emër.

Mazhoranca dhe opozita ende nuk kanë gjetur një pajtueshmëri për emrin e kandidatit.

Pas mbledhjes të së premtes, Partia Socialiste tha se nuk do të dërgojë propozim në raundin e parë, duke plotësuar një nga kërkesat e opozitës shqiptare.

Afatet janë vendosur me votë të Partisë Socialiste, pasi përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë në votim.

Kriteret e opozitës

Kryetari i Grupit Parlament të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se kanë propozuar kritere për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Përcolla qëndrimin e Partisë Demokratike te grupet e tjera. Kemi rënë dakord që jo vetëm të marrim pjesë, por të jemi për një proces real, të sinqertë. Presidenti duhet të jetë neutral, t’u qëndrojë sfidave”.

Ai theksoi se procesi i zbatuar në procedurë është garancia e parë.

“Ky proces do duhet që të mos perceptohet si lojë. Mazhoranca nuk mund ta zgjedhë e vetme. E drejta për të propozuar së paku i takon opozitës”.

Më herët, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, foli për mediat pas takimit që zhvilloi me krerët e dy Grupeve të tjera Parlamentare, duke deklaruar se janë bërë hapa para për sa u përket emrave konkretë për presidentin e ri.

Gjithashtu, ai tha se ky takim ka dëshmuar gatishmërinë që ka PS-ja për të vijuar me procesin e zgjedhjes së presidentit.

Balla shpjegoi edhe se “nga dy grupet parlamentare ka patur gatishmëri për të hedhur në tavolinën e bisedimeve emra konkretë”.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së i bëri thirrje edhe Grupit Parlamentar të PD-së të tregohen korrekt me kohën, sepse afati i fundit i propozimeve të kandidatëve për president po afron.

“Disponibiliteti është për t’i dhënë një president të të gjithë shqiptarëve, por ka disa afate, nuk kemi më mundësi të shtyjmë afatet. Më 16 është afati i parë, ndërsa afati i fundit është data 23 maj”./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH