Leteratura

Raskolnikovi, një hero si unë i Dostojevskit

               Publikuar në : 09:14 - 15/04/19 Liberale

Elda Katorri

Fernando Savater, një filozof i mirënjohur dhe intelektual spanjoll i ditëve tona pohon se: “në jetë lipset që njeriu të marrë huqin e të jetuarit mirë”. Mirëpo një “huq” i tillë nuk fitohet lehtë. Të duhet të endesh nëpër skutat më të thella të shpirtit e të mendjes e më pas të shihesh në pasqyrë pa pasur drojë se imazhi yt nuk shëmbëllen aspak me atë të pritshmërive të tua, apo të pritshmërive që të tjerët kanë për ty.

Personazhi i librit që gjithmonë më ka cytur e më ka grishur në mendime, mbetet Raskolnikovi i librit “Krim e Ndëshkim” i Dostojevskit. E jo sepse e kam parë si hero, si shembull që duhet ndjekur a model që duhet imituar, por thjesht sepse e kam parë si të vërtetë. Si tepër të vërtetë. Si të besueshëm. Si një njeri! Si unë e si ti!

Ashtu si unë, e si ti, ai grindet me ndërgjegjen e tij, kacafytet me të, herë qortohet prej saj e herë e injoron atë, herë i fshihet e herë tjetër ajo e zë “mat”. Ndjenja e fajit shkakton vuajtje, ankth, parehati fizike e gjymtim shpirtëror të cilat sjellin mandej vetmi, izolim e vetëndëshkim.

E gjithë brendia e romanit, shpaloset si një rrëfim i përvuajtur i jetës së një ish-studenti të juridikut, i cili ndërgjegjësohet për fajin që ka bërë dhe rrugën që e shpie atë drejt shëlbimit. E rruga drejt tij çapitet, nëpër vise shpirtërore si ndërgjegjësimi, pendesa, dëshira për drejtësi, dëshira për një shans të dytë, për rehabilitim.

E gjithë mjeshtëria e Dostojevskit qëndron në faktin se, ai, përmes Raskolnikovit e fton lexuesin të reflektojë fort mbi frikërat dhe fajet e veta, mbi faktin se njeriu si i tillë, është një qenie komplekse, dualiste, inteligjente dhe se di ta bëjë dallimin mes të mirës dhe të keqes, mes të drejtës dhe të gabuarës, mes dashurisë dhe urrejtjes, mes po-së dhe jo-së, mes shkakut dhe pasojës ndonëse, siç thoshte Borgesi në një nga shkrimet e tij, “i bëri vaki, si gjithë dynjasë, të jetonte në kohëra të vështira”. E me gjasa, siç ndodh prej shekujsh, kohërat të tilla do të mbeten gjithmonë, do të jetojnë më gjatë se ne. Për këtë arsye, s’na mbetet veçse t’u zëmë besë fjalëve të Senekës kur thoshte se “nuk duhet të përpiqemi të jetojmë gjatë, por të jetojmë mirë duke qenë se të jetuarit gjatë varet nga fati ndërsa të jetuarit mirë varet nga shpirti”. /Gazeta Liberale

 

 

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *