Aktualitet

Raporti për lirinë e medias, reagojnë Meta dhe Basha

Shkruar nga Liberale
Raporti për lirinë e medias, reagojnë Meta dhe Basha

Pas raportit të Reporterëve pa Kufij për lirinë e medias në Shqipëri, ka ardhu reagimi i presidentit Ilir Meta dhe kreut të PD, Lulzim Basha.

Me anë të një postimi në Facebook, shpreh shqetësimin e tij për lirinë e medias në vendin tonë.

“Thellësisht i shqetësuar nga regresi i Shqipërisë vit pas viti në raport me lirinë dhe pavarësinë e medias. Përkeqësimi në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, sipas konkluzioneve vjetore të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa kufij”, është i papranueshëm dhe kërkon një përgjigje dhe reagim të menjëhershëm nga të gjithë”.

Presidenti shkruan më tej se paketa “antishpifje” do ta përkeqësojë më keq situatën. “Mbështes plotësisht paralajmërimin e “Reporterëve pa kufij” se e ashtuquajtura paketë “antishpifje” do ta përkeqësojë më keq situatën në të cilën ndodhet sot media dhe gazetarët në Shqipëri.

I bëj edhe njëherë thirrje qeverisë të tërhiqet dhe të rishikojë paketën e ligjeve të miratuara, që siç tërheq vëmendjen Organizata Botërore e Gazetarëve, dhe ashtu siç kam paralajmëruar:

– Shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik;

– Shkel të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit;

– Është në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;

– Shkel standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut, shtyllë e pazëvendësueshme për një shoqëri moderne demokratike, dhe tepër jetike për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike”.

Po ashtu, edhe kryedemokrati Basha thotë se nismat  e qeverisë përkeqësuan lirinë e medias në Shqipëri.

Reagimi i plotë i Bashës

Shqipëria është përkeqësuar dhe ka rënë më poshtë në indeksin e lirisë së medias! Kjo ka ardhur si pasojë e nismave të qeverisë për të censuruar fjalën e lirë e ushtruar presion ndaj atyre që denoncojnë korrupsionin, lidhjet e politikës me krimin dhe abuzimet me fondet publike.

Ai që ka frikë nga fjala e lirë është armik i demokracisë. Ai që përditë nëpërkëmb dhe ofendon gazetarët, duke kërcënuar ata që mendojnë ndryshe e denoncojnë aferat korruptive, ai përditë largon gjithnjë dhe më shumë vendin dhe shqiptarët nga standartet europiane.

Censura, dhuna dhe autocensura në një vend që pret për antarësim në Bashkimin Europian, i shtohen panoramës së hidhur të krimit dhe korrupsionit që kjo qeveri servir në tryezën e ligjvënësve europianë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH