1

Raporte të vështira të Polonisë në BE

               Publikuar në : 10:42 - 13/10/21 Xhezair Zaganjori

Xhezair Zaganjori

Pasdreken e të enjtes së shkuar, pra më datën 7 Tetor 2021, Gjykata Kushtetuese e Polonisë shpalli publikisht vendimin e saj në përgjigje të disa pyetjeve që Kryeministri i vendit, z. Mateusz Moraëiecki, i kishte drejtuar zyrtarisht që në Korrik të këtij viti, lidhur me përputhshmërine ose jo me Kushtetutën polake të disa dispozitave të Traktateve të Bashkimit Europian. Në vendimin e dhënë pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese “konfirmoi dyshimet” e Kryeministrit polak, që do të thotë se mjaft nga dispozitat e Traktateve të BE që ishin objekt shqyrtimi, u vlerësua se binin në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Polonisë. Vendimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese polake ngjalli menjëherë një furtunë debatesh e kritikash, veçanërisht në planin e brendshëm, pra në Poloni, si dhe në institucionet qendrore të BE-së. Ai u kuptua si një hap i parë drejt daljes së Polonisë nga BE (si Polexit). Për këtë arsye ka patur edhe demonstrime masive në të gjithë vendin. Demonstrimet më të mëdha ishin ditën e djelë, datë 10 Tetor, në rreth 100 qytete e qëndra banimi në Poloni. Më i madhi, me rreth 100 mijë pjesëmarrës, ishte në qendër të Kryeqytetit polak, Varshavë, organizuar nga opozita e vendit dhe shoqëria civile, nën parullën “Të shpëtojmë Poloninë Europiane”. Një nga drejtuesit kryesorë të saj ishte Donald Tusk, udhëheqës i Partisë Platforma Qytetare (Civic Platform), ish-Kryeministër i Polonisë (2007-2014) dhe ish-President i Këshillit Europian (2014–2019). Një nga veteranët e Luftës së Dytë Botërore, tani në moshë 94 vjeçare, deklaroi në fjalën e tij në mitingun e Varshavës, se “… Ne i përkasim Europës dhe Europa i përket Polonisë…”.

Për të kuptuar më mirë problemet dhe natyrën e konfliktit Bruksel – Varshavë, le të hedhim një vështrim të shkurtër në marrëdhëniet e viteve të fundit të Polonisë me institucionet kryesore të Bashkimit Europian, veçanërisht nga viti 2015, pas ardhjes në pushtet të Partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS), me Kryetar politikanin e njohur polak Jaroslav Kaczynski. Në fakt, Polonia është bërë anëtare e rregullt e BE-së që në vitin 2004, duke qenë vendi i pestë anëtar i kësaj organizate ndërkombëtare, përsa i përket numrit të popullsisë (rreth 40 milion banorë). Vlerësohet qartësisht se anëtarësimi në BE e ka ndihmuar Poloninë të zhvillojë e modernizojë dukshëm ekonominë dhe infrastrukturën e vendit, të përmirësojë jetën e sigurinë e qytetarëve, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, respektimin e parimeve të Shtetit të së Drejtës, e të tjerë. Për realizimin e këtyre objektivave, Varshavës i janë akorduar nga Brukseli miliarda Euro. Por natyrisht që bashkëpunimi e bashkëjetesa e ngushtë brenda familjes europiane kërkon respektimin e mjaft detyrimeve dhe rregullave që përcaktojnë Traktatet e Bashkimit Europian, në të cilat është materializuar vullneti i çdo Shteti Anëtar. Mes tyre padyshim që prioritet të dorës së parë ka respektimi i dimensionit të vlerave, parashikuar në nenin 2 të Traktatit të Bashkimit Europian (TrBE), ku theksohet shprehimit se “Bashkimi Europian ka në themel vlerat e respektimit të dinjitetit të njeriut, demokracisë, barazisë, shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut…”. Neni 7 i TrBE ngarkon Komisionin Europian, Këshillin dhe  Parlamentin Europian për të vlerësuar, konstatuar e vendosur sanksione ndaj Shtetit Anëtar që cënon urdhërimet e nenit 2, përmendur më sipër. Neni 354 i TrBE përcakton edhe procedurën që duhet të ndiqet për vendosjen e zbatimin e këtyre sanksioneve. Pas këtyre procedurave, me çështje të tilla mund të angazhohet edhe Gjykata Europiane e Drejtësisë (GjEDr), si një nga institucionet kryesore të BE-së.

Që me ardhjen e PiS në pushtet në vitin 2015 e në vazhdim, institucionet e BE kanë konstatuar në vijimësi se Qeveria polake, përmes masave të ndryshme ligjore e praktike, ka shkelur dhe vazhdon të shkelë në shumë raste nenin 2 të TrBE. Në këtë drejtim është përmendur ndër të tjera: Cënimi i lirisë së medias; Çështjet e Migracionit; Cenimi i të drejtave të personave LGBT; Cenimi i të drejtave të grave; Cenimi i mjaft parimeve të shtetit të së drejtës; e të tjerë. Megjithatë, një ndër çështjet më shqetësuese të realitetit polak të viteve të fundit në kuadër të shtetit të së drejtës, për BE, ka qenë reforma në drejtësi. Sipas vlerësimeve të Bashkimit Europian, kjo reformë është ndërmarrë kryesisht për zëvendësimin e gjyqtarëve të dy gjykatave më të larta, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, dhe vënien në tërësi të pushtetit gjyqësor nën presionin e vazhdueshëm të politikës, sidomos përmes emërimeve, transferimeve, vlerësimit profesional dhe performancës në punë të gjyqtarëve, nga mekanizma që janë më afër apo edhe nën kontrollin e drejtpërdrejtë të pushtetit ekzekutiv. Për këtë qëllim, mes institucioneve të BE dhe Qeverisë polake ka patur një dialog intensiv, por pa rezultatin e dëshiruar. Për keto arsye, janë propozuar e marrë masa edhe në kuadër të nenit 7 dhe 354 të TrBE, por sërish pa qenë në gjendje të përmirësojnë situatën e krijuar në kuadër të reformës gjyqësore në Poloni. Përballë kësaj situate, në 15 Korrik të këtij viti (2021), Gjykata Europiane e Drejtësisë, e vënë në lëvizje nga Komisioni Europian, thekson në vendimin e saj se Bashkimi Europian u krijon mundësinë gjykatave të Shteteve Anëtare të të gjitha niveleve të lënë mënjanë dispozitat e të drejtës kombëtare që bien në kundërshtim me të drejtën e BE-së, përfshi këtu edhe të drejtën e tyre kushtetuese (Për herë të parë, ky qëndrim i rëndësishëm është përmendur dekada të shkuara, po nga kjo gjykate, ne të ashtuquajturën çështja Simental). Mbi bazën e këtij arsyetimi dhe mbështetur ndër të tjera në nenet 1, 4 dhe 19 të TrBE, në vendimin e GjEDr të Korrikut të ketij viti thuhet me tej se sipas vlerësimeve të saj, procedurat që po zbatohen në Poloni për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, bien në kundërshtim me të drejtën e BE-së. Prandaj Polonia duhet të rishikojë disa nga pjesët më të rëndësishme e më të debatueshme të reformës gjyqësore. Deri në zbatimin e këtyre detyrimeve, Polonisë i është pezulluar dhënia nga BE e një shume prej 23 miliard Euro si ndihmë per  kapërcimin e situatës së krijuar nga Pandemia, si dhe 34 miliarde Euro, si kredi e butë.

Duke shfrytëzuar kompetencat e tij kushtetuese, në Korrik 2021, Kryeministri polak Mateusz Moraviecki i kerkoi Gjykatës Kushtetuese polake të vlerësonte nëse dispozitat e Traktatit të BE-së që kishin shërbyer si bazë për arsyetimin e vendimit të marre nga GjEDr kundër Polonisë ne Korrik 2021, ishin apo jo në perputhje me Kushtetutën e vendit. Duket qartë që ideja është për t’i dhënë Brukselit minimalisht dy mesazhe: a) Që vendimi i Gjykatës së Luksemburgut (GjEDr) nuk njihet plotësisht në sistemin gjyqësor polak, pasi edhe pas anëtarësimit në BE Polonia është vend sovran, ndaj si e tillë, në majë të piramidës së rendit të saj ligjor qëndron Kushtetuta e vendit, dhe se b) Pikërisht për shkak të vendit të veçantë qe ka Kushtetuta në raport me të drejtën ndërkombëtare, përfshi këtu edhe të drejtën e BE-së, nuk është në kompetencë të institucioneve të kësaj të fundit (BE-së) te gjykojë reformën gjyqësore në Poloni.

Siç përmendëm më sipër, Vendimi i Gjykatës Kushtetuese polake i 7 Tetorit 2021 është ai që pritej. Me një shumicë të konsoliduar (nga 14 gjyqtarë, vetëm dy dolën kundër mendimit të shumicës) ajo theksoi qartësisht ndër të tjera se Polonia është shtet sovran e demokratik dhe prandaj Kushtetuta e vendit ka në çdo rast përparësi ndaj çdo akti tjetër, të brendshëm apo ndërkombëtar. Për këtë arësye, ajo i konsideroi disa nga pjesët e dispozitave të Traktatit të BE, që i kishin shërbyer GjEDr si bazë ligjore në vendimin e marrë kundër Polonisë ne Korrik të këtij viti, si në kundërshtim me Kushtetutën polake. Konkretisht bëhet fjalë: a) Për shprehjen “Ky Traktatat (Traktati i Bashkimit Europian-shën.ynë) shënon një fazë të re në procesin e krijimit të një bashkimi gjithnjë e më të afërt mes popujve të Europës…”, të paragrafit të dytë të nenit 1 të TrBE; b) Shprehjen “ Në bazë të parimit të bashkëpunimit të sinqertë, BE dhe Shtetet Anëtare…e mbështesin njëri-tjetrin në realizimin e detyrave që rrjedhin nga Traktatet”, të paragrafit të dytë të nenit 4 të TrBE; si dhe c) Të shprehjes “Shtetet Anëtare sigurojnë rrugë ligjore të mjaftueshme për te siguruar mbrojtjen e efektshme gjyqësore në fushat që mbulon e drejta e BE-së”, që është edhe fjalia e dytë e paragrafit të parë të nenit 19 të TrBE. Sipas Gjykatës Kushtetuese, janë pikërisht këto dispozita të Traktateve (konkretisht TrBE) që i krijojnë mundësinë institucioneve të BE të dalin jashtë kompetencave të tyre.

Reagimet kundër këtij vendimi kanë qenë të shumta. Opozita polake e ka konsideruar Gjykatën Kushtetuese si një pseudo-gjykatë, pasi sipas saj, ajo është thuajse tërësisht e ndikuar politikisht nga partia politike në pushtet PiS, e cila edhe i ka emëruar vitet e fundit në këtë detyrë. Për këtë arësye, vendimin në fjalë ajo e konsideron jo vetëm si të papranueshëm, por edhe si të rrezikshëm për Poloninë, pasi i hap rrugë daljes nga BE, gjë që bie në kundërshtim të hapur me vullnetin e të paktën 80% të popullsisë së vendit. Kryeministri polak Marovieczki, i cili kishte vënë në lëvizje me kërkesën e tij Gjykatën Kushtetuese, u perpoq të qetësoje njerëzit, duke theksuar se është e qartë që Polonia i perkët familjes europiane, por është në të drejtën e plotë të saj të kërkojë të trajtohet në mënyrë të barabartë me Shtetet e tjera Anëtare në BE. Zëdhenësi i Qeverisë shtoi gjithashtu se Gjykata Kushtetuese nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka konfirmuar përparësinë e të drejtës kushtetuese mbi burimet e tjera të së drejtës, dhe se nga ky vendim “nuk cënohen aspak fushat kryesore të veprimtarisë së BE, që ajo i ushtron në bazë të Traktateve, që janë qarkullimi i lirë i mallrave, njerëzve, shërbimeve e kapitaleve në Tregun e Brendshëm, garantimi i konkurencës dhe mbrojtja e konsumatorit.”.

Edhe institucionet e BE e kanë konsideruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese polake si të paligjshëm, pasi sipas tyre, duket qartë që ai është marrë nën ndikimin politik të partisë Ligj e Drejtësi, që prej dy mandatesh qeveris vendin. Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, i bëri thirrje Komisionit Europian të marrë menjëherë masat e nevojshme, pasi vendimi cënon kolonat kryesore mbi të cilat është ndërtuar vetë BE. Komisioneri i Bashkimit Europian për çështjet e Drejtësisë, Didier Reynders, vuri në dukje menjëherë se Komisioni Europian do të ndalet posaçërisht dhe shumë shpejt për të diskutuar mbi këtë çështje, por në pamje të parë konstatohet qartësisht se vendimi i Gjykatës Kushtetuese polake cënon tre parime themelore: a) Parimin e përparësisë së të drejtës së Bashkmit Europian ndaj së drejtës kombëtare të Shteteve Anëtare; b) Parimin e detyrueshmërisë së zbatimit të vendimeve të Gjykatës Europiane të Drejtësisë nga të gjitha gjykatat kombëtare të Shteteve Anëtare, dhe c) Parimin që vetëm Gjykata Europiane e Drejtësisë ka juridiksion të përcaktojë nëse aktet e institucioneve të tjera të BE-se cënojne ose jo të drejtën e Bashkimit Europian.

Në fakt, çështja e natyrës juridike të Bashkimit Europian, e në mënyrë të veçantë raporti i të drejtës së BE me të drejtën e Shteteve Anëtare, ka qenë dhe mbetet një nga çështjet më të rëndësishme e më interesante në kuptimin doktrinar. Megjithatë, gjatë gjithë rrugëtimit rreth 70 vjeçar të idesë së familjes së përbashkët europiane, ajo është shnderruar shpesh edhe në çështje praktike të dorës së parë. Në momente të caktuara është dashur pikërisht ndërhyrja e zgjuar dhe energjike e Gjykatës Europiane të Drejtësisë për të vendosur standarde të rëndësishme e të domosdoshme për garantimin e suksesit dhe realizimin e objektivave madhore të përcaktuara nga Traktatet. Mes të tjerave mund të përmenden parimi i përparësisë dhe efektit të drejtpërdrejtë të të drejtës së BE-së; Parimi i barazisë dhe proporcionalitetit; Respektimin e të drejtave të njeriut dhe i parimeve të shtetit të së drejtës; e të tjerë. Sepse brenda BE-së nuk mund të flitet për sovranitet absolut të Shteteve Anëtare. Me vullnet të lirë e duke respektuar standardet kushtetuese në nivel kombëtar, ato delegojnë në vazhdimësi e rast pas rasti në drejtim të Brukselit porcione të rëndësishme të të drejtave sovrane. Pa këtë vullnet, nuk mund të thellohet procesi integrues, aq i domosdoshëm për zhvillimin e Shteteve Anëtare dhe garantimin e një jete gjithnjë e më të mirë e më të sigurtë të qytetarëve të tyre. Padyshim që mund të ndodhë që shtete të caktuara të hezitojnë të ecin me ritmin e shumicës apo të kenë rezerva për mënyrën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes rendeve të ndryshme ligjore. Sigurisht që kjo nuk mund t’u lihet në dorë Shteteve Anëtare, sepse përndryshe potencialisht do të kishim 27 zgjidhje, por institucioneve të përbashkëta, e në mënyrë të veçantë GjEDr. Mund të përmendet me këtë rast edhe konflikti i vitit të fundit mes Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë me dy nga institucionet kryesore të BE, Bankën Qëndrore Europiane dhe Gjykatën Europiane të Drejtësisë, lidhur me mënyrën e hartimit e zbatimit të Programit të BE-së për Blerjet në Sektorin Publik. Për më tepër, Gjykata Kushtetuese gjermane e cilësoi vendimin e GjEDr si “ objektivisht arbitrar dhe nga ana metodike jo përfaqësues…”, gjë që e çoi në konkluzionin se ai ishte ultra vires, pra që ishte marrë në tejkalim të kompetencave të dhëna nga Traktatet e BE-së. Megjithatë, palët po negociojnë me njëra-tjetrën për të gjetur zgjidhjen e duhur. Nëse jo, siç është paralajmëruar, Komisioni mund të vendosë edhe dënim me gjobë për Gjermaninë. Por ama, gjer tani, asnjë gjykatë e asnjë Shteti Anëtar nuk ka tentuar të kontrollojë në bllok kushtetueshmërinë e dispozitave kryesore të Traktateve të Bashkimit Europian, ashtu siç ndodhi pak dite më parë në Poloni, pa lënë asnjë alternativë apo mundësi reale për dialog mes palëve, në funksion të zgjidhjes së problemit. Në momentin aktual, e vetmja mundësi mund të ishte mosvotimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese polake në Fletoren Zyrtare, gjë që është kusht për hyrjen e tij në fuqi. Sigurisht që edhe kjo nuk është tashmë e lehtë. Le të presim zhvillimin e ngjarjeve. E sigurt është që Komisioni Europian, në zbatim të detyrimeve që ka, do të reagojë mbi këtë çështje në një të ardhme jo të largët. Rruga tjetër është mundësia e daljes së Polonisë nga BE, gjë që nuk e dëshiron askush. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një Shtet Anëtar, popullsia e të cilit mbështet fuqimisht me jo më pak se 80% bashkëjetesën në familjen e madhe europiane. Në fakt, pikërisht ato mund t’i jepnin zgjidhjen e duhur edhe këtij konflikti. /Gazeta Liberale

 


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back