Aktualitet

Rama takon Merkel, i kërkon ndihmë për rindërtimin pas tërmetit

Shkruar nga Liberale
Rama takon Merkel, i kërkon ndihmë për rindërtimin pas

Gjermania do të marrë pjesë në konferencën e donatorëve për dëmet e tërmetit që do të zhvillohet më 17 shkurt në Bruksel. Këtë e njoftoi kancelarja gjermane Angela Merkel të hënën, 27.01.2020, paradite në Berlin, para takimit me homologun e saj nga Shqipëria, Edi Rama.

"E ndiej veçanërisht të nevojshme që me rastin e këtij takimi të kujtoj tërmetin e nëntorit të vitit të kaluar. Shumë, shumë njerëz humbën shtëpitë, pati mbi 50 viktima dhe gëzohem që Komisioni Evropian ka thirrur në një konferencë donatorësh, më 17 shkurt, për të çuar përpara rindërtimin dhe në këtë konferencë donatorësh do të marrë pjesë edhe Gjermania", premtoi kancelarja dhe shtoi: "Bashkëpunimi dhe ndihma në rajon ishin impresionuese, e megjithatë ishte një goditje e rëndë për Shqipërinë".

Merkel nënvizoi edhe njëherë pozicionin e qartë të qeverisë gjermane për çeljen e negociatave të anëtarësimit mes BE-së dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

"Ne duam që këto dy shtete të shkojnë drejt BE-së dhe duam që të arrijmë një marrëveshje në takimin e ardhshëm të Këshillit të BE-së në mars për të filluar çeljen e negociatave me Shqipërinë, si edhe me Maqedoninë e Veriut. Të dy vendet e kanë merituar. Këtë qëndrim e kemi pasur edhe në takimin e kaluar dhe tani do të punojmë me forcë që në mars të arrijmë rezultatin e dëshiruar."

Nuk është vetëm në interes të këtyre vendeve por edhe në interesin tonë që këto vende të afrohen me BE-në, tha Merkel më tej. "Kush e sheh hartën dhe i njeh bashkëvarësitë gjeopolitike, e di se është për të gjithë diçka e mirë, nëse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor një ditë anëtarësohen në BE. Dhe meqenëse Komisioni ri dëshiron të jetë një komision gjeopolitik, do të ketë më shumë arsye për ta çuar përpara këtë proces", sqaroi kancelarja.

Kryeministri i Shqiperisë, Edi Rama, tha se kishte ardhur të fliste për konferencën e donatorëve dhe nevojën e madhe që Shqipëria ka për të gjetur mbështetjen e gjithë miqve dhe partnerëve në procesin e rindërtimit. Edi Rama tha se raporti i dëmeve që po përllogaritet nga BE, OKB dhe Banka Botërore, përmban një shumë që është përtej të gjitha mundësive tona për ta përballuar të vetën. Rama falënderoi kancelaren për solidaritetin e treguar deri në minutën e parë. Sipas një bisede joformale të kryeministrit Rama dhe ministrit të jashtëm italian, shuma e deritanishme e përllogaritur nga dëmet tërmetit është afërsisht njëmiliardë euro./DW

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH