Aktualitet

Rama reagon sërish ndaj SPAK-ut: Ilir Meta, armiku nr.1 i Reformës në Drejtësi

Shkruar nga Liberale
Rama reagon sërish ndaj SPAK-ut: Ilir Meta, armiku nr.1 i Reformës

Pas deklaratës së SPAK se, nuk ka çështje për ish-kreun e KED, Ardian Dvorani, kryeministri Edi Rama ka reaguar me një postim në "Twitter".

“Meqë ka marrë përsipër të sqarohet SPAKU do të duhej të sqaronte pse reagoi rrufeshëm për një kallëzim absurd për një vepër penale imagjinare të njeriut të shpallur nga DASH kampion i antikorrupsionit, ndërkohë që për kampionët e korrupsionit në drejtësi s’ka lëvizur ende gishtin!

Unë nuk i heq asnjë presje asaj që deklarova sot dhe nuk mjafton që SPAKU të thotë se e paska pushuar çështjen, pasi faktikisht e mori peng gjykatësin në fjalë pa asnjë arsye në botë, duke i shkuar praktikisht pas avazit Armikut NR.1 të Reformës në Drejtësi, Ilir Metës!”, shkruan Rama.

Ndërsa Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar tha më herët për "Balkan Web" se, zyrtarisht se ky institucion nuk ka asnjë çështje penale ndaj zotit Dvorani.

Sipas BW, SPAK tha gjithashtu se më herët me kërkesë të tij, Gjykata e Posaçme pushoi një çështje ndaj gjyqtarit Dvorani.

Ky vendim është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit të Posaçëm.

Dvorani u kallëzua penalisht nga Persidenti Ilir Meta.

“U bë kohë që peshkaqenët e mëdhenj vettingu i ka flakur jashtë. Ku janë sot? Ata janë në punë e tyre. Nuk u ka hyrë asnjë gjemb në këmbë. BE ia ka lënë Shqipërisë me shkrim për të vazhduar procesin dhe në momentin që do të ulet në tryezë gjëja e parë është se sa gjykatës dhe prokurorë janë marrë në hetim. Zero. Kampioni i anti-korrupsionit me vulë dhe me firmë të DASH është futur në hetim nga SPAK. Për çfarë? Për një denoncim të kujt? Të atij që jo unë, por gjithë Shqipëria mezi pret ta shohë para SPAK-ut, Ilir Metës”, u shpreh Rama nga Asambleja e PS-së që u mbajt sot.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH