Aktualitet

Rama propozon ndryshimet në kabinetin qeveritar, emrat e rinj! Largohen Kushi, Xhaçka, Krifca dhe Bilali

Shkruar nga Liberale
Rama propozon ndryshimet në kabinetin qeveritar, emrat e rinj! Largohen

Kryeministri Edi Rama ndryshon kabinetin qeveritar. Ndërsa largohen 5 ministra, emërohen 7 të rinj. Ashtu siç ishte paralajmëruar ndryshimet u bënë publike në Asamblenë Kombëtare të PS-së, të mbledhur pasditen e sotme (4 shtator 2023)  dhe pritet që t'i përcillen nesër për tu dekretuar tek presidenti i Republikës Bajram Begaj.

Olta Xhaçka, Frida Krifca, Evis Kushi, Edona Bilali, Milva Ekonomi nuk do të jenë më në qeverinë e Ramës, ndërsa për Ogerta Manstirliun dhe Delina Ibrahimajn kemi një ndryshim të portofolit. Ata do të drejtojnë dy ministri të cilat deri sot drejtoheshin nga koleget e tyre.

Rama i beson Igli Hasanit, ish ambasadorit të Shqipërisë në OSBE, deri në 2021 postin e Ministrisë së Punëve Jashtme, në vend të Olta Xhaçkës.

Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë ia beson Evin Metes, i cili prej majit 2020 mbante detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Delina Ibrahimaj, e cila mbante deri tani postin e ministres së Financave, me ndryshimet e reja merr drejtimin e Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesin, duke zevendësuar Edona Bilalin.

Ogerta Manastriliu dorëzon portofolin e Ministrisë së Shëndetësisë, dhe merr drejtimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të cilën e drejtonte Evis Kushi.

Në krye të Shëndetësisë emërohet Albana Koçiu, e cila mban aktualisht pozicionin e Drejtorit të Departamentit të Administratës Publike që prej vitit 2013.  Në kabinetin qeveritar rikthehet Anila Denaj. Deputetja e Partisë Socialiste, e zgjedhur në qarkun Vlorë, dhe që ka mbajtur postin e Ministrisë së Financave (dhjetor 2018 - shtator 2021) tashmë do të ketë portofolin e ministrisë së Bujqësisë, duke zëvendësuar në këtë post Frida Krifcën

Kabineti qeveritar do të ketë dhe disa ndryshime të reja. Zgjedhjet vendore të 14 majit kanë nxjerrë në pah nevojën e krijimit të një dikasteri të ri që do të forcojë bashkëpunimin mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore. Rama vendos të krijojë Ministrinë e Pushtetit Vendor të cilën ia beson Arbi Maznikut, nënkryetarit të bashkisë së Tiranës.

"Duke marrë parasysh se puna e bërë për standardet e shërbimeve është futur në një shtrat dhe nga ana tjetër ne na ka dalë qartësisht në pah, qoftë me zgjedhjet e fundit vendore dhe me sfidat e mëdha të pushtetit vendor në këtë fazë të re të zhvillimit, qoftë me sa fola më parë, nevoja për një koordinim në kohë reale mes qeverisë qëndrore dhe asaj vendore, nuk do kemi më një ministër për standardet e shërbimeve, do kemi një Ministër Shteti për Pushtetin Vendor dhe këtë funksion të ri në qeveri do ta mbulojë Arbian Mazniku' argumentoi Rama.

Ndërsa është shkrirë Ministria e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet.

NDRYSHIMET NË KABINETIN QEVERITAR

-Ervin Mete, ministër i Ekonomisë dhe Financave

-Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme

-Anila Denaj, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

-Ogerta Manastirliu, Ministër i Arsimit dhe Sportit

-Albana Koçiu, Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

-Delina Ibrahimaj, Ministër Shteti për Sipërmarrjen

-Arbi Mazniku, Ministër Shteti për Pushtetin Vendor

-Shkrihet ministria e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH