Aktualitet

Rama për “Malin e Tiranës”: Vepër që i shërben njerëzve, vendit dhe historisë së shkruar

Shkruar nga Liberale
Rama për “Malin e Tiranës”: Vepër që i

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar përmes një editoriali të titulluar “Kulla e radhës dhe mullari i baltës” për protestat dhe akuzat ndaj Qeverisë dhe autoriteteve shqiptare sa i takon ndërtimit të “Malit të Tiranës”.

Bëhet fjalë për një kullë multifunksionale 185 metra në zemër të Tiranës, e cila frymëzohet nga peizazhi natyror që rrethon qytetin, duke u shkrirë kështu me identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë.

Projekti fillestar përmban banesa, objekte tregtare, një hotel butik, një zonë biznesi me zyra dhe ambiente parkimi, e të gjitha lehtësitë e nevojshme si restorante dhe kafene.

“E pamundur t’u shpjegosh atyre që kanë Zot paranë, që udhëhiqen në jetë nga urrejtja, që verbohen në gjykim nga xhelozia, që sundohen në veprim nga ndjenja të ulëta në emër të parimeve të larta apo që thjesht duan t’u dalë e tyrja edhe sikur të bëhet shkrumb e hi, lumturinë e krijimit, realizimit të një vepre që i shërben njerëzve, vendit, historisë së shkruar duke ndezur në çdo hap një dritë tjetër, për ta bërë ditë natën e vjetër qindra vjet mbi këtë tokë të vogël shqiptare, në vend se të mallkosh përditë errësirën, pa të cilën lakuriqët e turlillojshëm të këtij vendi nuk e luajnë dot rolin e shqiponjave!”, shkruan Rama.

Sipas tij, projekti fitues nuk pati asnjë kontestim për t’u mbajtur shënim dhe “u pasqyrua pëlqyeshëm jo vetëm në mediat tona, po edhe (aspak çuditërisht) në disa media të specializuara ndërkombëtare për zhvillimet më të reja arkitektonike nëpër botë”.

Kreu i Qeverisë vëren se pas përgatitjes thuajse 1-vjeçare të projektit ekzekutiv, ku është përfshirë edhe njëra nga kompanitë më të mëdha inxhinierike të botës, Arup, me eksperiencë 75-vjeçare, 18 mijë inxhinierë, dizajner, ekspertë e këshilltarë me aktivitet në 140 vende të botës, si edhe pas pagesës së taksës rreth 4 milionë euro në Bashkinë e Tiranës, kompania zhvilluese në marrëveshje rrethoi truallin për të ngritur kantierin e ndërtimit.

“U hapën kështu thasët e baltës, marrë turravrap në krahë për të ngritur rreth hurit të gjetur mes vapës së gushtit mullarin e ‘grabitjes’ së radhës, duke ushqyer dëgjues, lexues e thashethemues që kanë ende dëshirë e nge të përtypin baltë nga e thasëve të këtyre hamejve të së shkuarës dhe duke mbajtur kësisoj vetveten me gajretin e pavdekshëm të iluzionit të vjetër, se kështu do të rrëzojnë regjimin”, vijon kryeministri në reagimin e tij.

Ai thekson gjithashtu se pas akuzash dhe reagimesh të ndryshme, u ngrit edhe padia e radhës për SPAK-un.

Këtë të fundit, Rama e konsideron si “patatja dhe gjella e çdokujt që ka një gur për të hedhur, një dorë për të fshehur a një kunjë për të nxjerrë”.

Kjo, duke e detyruar organin më të fuqishëm të akuzës në vend, që për shkak të një legjislacioni të mbingarkuar mbi shpinën e tij, “të merret edhe me letrën e fundit anonime, ndërkohë që i ka duart e zëna seriozisht me patate gjithnjë e më të nxehta të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ravijëzoi kryeministri shqiptar.

Kryeqeveritari solli në vëmendje se këtë kullë nuk e financon e as e ndërton shteti, “po e mundëson marrëveshja krejt private mes pronarëve, investitorëve, arkitektëve e inxhinierëve, po ku, ama, autoriteti përkatës shtetëror ka jo vetëm detyrën që t’i hapë rrugë zhvillimit legjitim të një prone private, konform vizionit të zhvillimit të kryeqytetit, po edhe të drejtën të kërkojë nga zhvilluesit cilësinë më të lartë të mundshme arkitektonike e inxhinierike”.

“Prandaj, teksa gjyqi inkuizicional i kullës më të re do të përmbushë edhe ai misionin e vet të mallkimit të vjetër të çdo gjëje të mirë që mbin në këtë tokë, kulla tjetër e radhës do të shfaqet me patjetër, si një tjetër fryt i pasionit dhe këmbënguljes për Shqipërinë … as Tirana e as Shqipëria nuk kanë kohë për të humbur pas shekujsh zvarritjeje dhe as fëmijët e Shqipërisë nuk ia kanë borxh të nesërmen e tyre tufës laramane të atyre që vesi i vjetër i baltosjes me shkulm e zulm të çdo vepre a qoftë edhe vetëm qëllimi të mirë në këtë vend, do t’u dalë veç me shpirtin”, përshkroi në përmbyllje kryeministri shqiptar Edi Rama.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH