Aktualitet

Rama në darkën me ambasadorët: Sfidat e së ardhmes, jetike të mos tërhiqemi në izolim

Shkruar nga Liberale

Kryeministri Edi Rama deklaroi në darkën me ambasadorët se viti i ardhshëm është një vit kyç për Shqipërinë, e cila do të zërë vendin e saj në janar si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara.

Në darkën e fundvitit me diplomatët e akredituar në Tiranë, ku merrte pjesë dhe kabineti qeveritar, si dhe bashkëshortja e tij Linda Rama, kryeministri foli për sfidat dhe krizat me të cilat përballet jo vetëm Shqipëria, por dhe Europa dhe bota duke theksuar se është jetike të mos tërhiqemi në izolim.

Rama tha më tej se kur vjen puna tek ballafaqimi me sfidat globale, ne jemi frikshëm shumë të vegjël që të gjithë, por është thelbësore që vendet e mëdha të mos zvogëlohen në zemrën e tyre, të mos bëhen më të vegjël në mendjet e tyre dhe në qasjen e tyre ndaj vendeve të tjera në aftësinë për të toleruar dallimet, që burimet që iu duhen për t’ia dalë përballjes me më të paparashikueshmen vendet e mëdha të mos zvogëlohen në zemrën e tyre.

PJESË NGA FJALA E KRYEMINISTRIT RAMA

Një vit tjetër po i afrohet fundit dhe ne jemi këtu për të kremtuar mbërritjen e 2022 dhe ripërtërirë angazhimet tona ndaj miqësisë ndërkombëtare. Jam krenar për shumë gjëra që ky vend mishëron dhe për shumë të tjera që ne kemi bërë deri tani, sidomos gjatë dy viteve të fundit në të cilat me ndihmën tuaj ne luftuam kundër pasojave të një tërmeti tronditës dhe nuk bëmë mbrapa në ato që duhet të arrinim, ndërkohë që përballeshim me një pandemi globale sfiduese. Lejomëni të them se pavarësisht vështirësive të vazhdueshme me të cilat përballemi si vend, por edhe përtej tij, jam besimplotë se më shumë do të bëhet gjatë vitit që vjen.

Viti që vjen është vit kyç për Shqipërinë teksa përgatitet të zërë vendin e saj në janar si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, një institucion që më mirë se kushdo tjetër mishëron frymën e bashkëpunimi dhe përgjegjësisë që përkufizon punën e përditshme të të gjithëve ju. Është një mundësi historike për Shqipërinë, një vend ende i shënjuar nga dekada izolimi e paranoje, armiqësie kundrejt kombesh të tjera, bunkerizimit në rrugët e veta të të bërit të gjërave dhe delirimit rreth motiveve të tjerëve në rrugët e tyre.

Fakti që tashmë jemi në gjendje të bashkëngjitemi në Këshillin e Sigurimit me vende të tjera që nuk i shohim më si armiq për t’u luftuar, por si aleatë me të cilët duam të ndërtojmë një botë më të mirë, flet vetë për se sa gjatë kemi rrugëtuar. Por gjithashtu kjo mundësi historike vjen në një kohë tejet sfiduese, jo vetëm për vendin tim, por po njësoj për të gjitha vendet tuaja. Jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin. Jo vetëm për Ballkanin, por edhe për Europën. Jo vetëm për Europën, por për gjithë botën. Është një kohë posaçërisht jo e lehtë për asnjë prej nesh dhe sfidat me të cilat përballemi ndonjëherë duken shumë më të mëdha nga sa ne mund të përballojmë.

Shumë më e madhe është gjithashtu nevoja që kemi për njeri-tjetrin, të mëdha apo të vogla, vende të zhvilluara apo në zhvillim, perëndimorë apo lindorë, veriorë apo jugorë. Ndërkohë që merremi me një krizë, një krizë tjetër na shfaqet përballë, në atë çka duket se është bërë gjendje e përhershme emergjence, bëhet themelore që të mos e lëmë gjendjen e emergjencës të pushtojë krejtësisht mendjet tona. Është jetike që të mos tërhiqemi në izolim duke dyshuar në gjithçka është ndryshe nga ne, të mos frikemi prej asaj që nuk mundemi të kontrollojmë. Shqipëria e di më së miri se cila është kostoja e izolimit. Ne nuk kemi ç’mësime të ndajmë me botën, përveç njërit, një mësim që e kemi marrë në mënyrën më të vështirë: Asnjë vend nuk e menaxhon dot vetëm një situatë si kjo. Sfidat e reja me të cilat po përballemi janë gjithnjë e më shumë të paparashikueshme. Ato nuk i pranojnë përshtatjet e zgjidhjeve të provuara e të stërprovuara të së shkuarës, me vendet e mëdha që u japin mësime vendeve më të vogla. Jemi të gjithë rishtarë përballë këtyre sfidave.

Jemi të gjithë të njëjtë përballë tyre dhe duhet të mësojmë nga sukseset e nga dështimet e njëri-tjetrit. Një plagë e hapur në cepin më të humbur të planetit, mund të jetë një goditje e mundshme fatale mu në zemër të tij. Pasojat, siç kemi mësuar nga pandemia, janë të menjëhershme kudo dhe pasojat po zgjasin. Armiqtë me të cilët përballemi janë gjithmonë e më tepër të padukshëm. Emergjenca shëndetësore, ndryshimi i klimës, fuqia anonime e dezinformimit që ushqehet nga zhvillimi i teknologjive të reja. Por ndërkohë që ballafaqohemi me të gjithë këta armiq të padukshëm, nuk duhet të bëhemi të padukshëm për njeri-tjetrin. Duhet të rishikojmë jo vetëm bazën e kontratës sociale midis qeverive dhe qytetarëve të tyre, po gjithashtu çka i lidh me njëra-tjetrën qeveritë, për t’u siguruar që të mos sakrifikojmë të drejtat, por t’i zgjerojmë ato dhe që të mos e tkurrim angazhimin tonë ndaj vlerave, por të tregojmë se vërtetë praktikojmë atë që predikojmë. Të qeverisësh një vend të vogël është zor më e lehtë se sa të qeverisësh një vend më të madh.

T’i shërbesh një vendi të madh ka qenë shpesh më e lehtë se sa t’i shërbesh një të vogli, ashtu siç ju ambasadorë e dini më mirë se kushdo tjetër. Por në botën në të cilën jetojmë, të drejtosh vende të mëdha nënkupton gjithmonë e më tepër të drejtosh jo vetëm vendet e mëdha, por njerëzimin në tërësi. Teksa ballafaqohemi bashkarisht me këto sfida të së ardhmes, është thelbësore që vendet e mëdha, të praktikojnë një këndvështrim më të gjerë, këndvështrimin e njerëzimit si tërësi. Kur vjen puna tek ballafaqimi me sfidat globale, ne jemi frikshëm shumë të vegjël që të gjithë, por është thelbësore që vendet e mëdha të mos zvogëlohen në zemrën e tyre, të mos bëhen më të vegjël në mendjet e tyre dhe në qasjen e tyre ndaj vendeve të tjera në aftësinë për të toleruar dallimet, që burimet që iu duhen për t’ia dalë përballjes me më të paparashikueshmen. Një shqiptar famëkeq tha dikur, në fund të urimeve të tij për Vitin e Ri: ‘ky vit ka qenë më i vështirë se i kaluari, po nga ana tjetër ishte më i lehtë se sa viti që vjen’. Disa mund ta shohin me siguri këtë si një përshkrim të mundshëm të gjendjes aktuale të botës.

Nuk do t’jua tregoj se kush ishte ai shqiptar, por mund t’ju jap një indicie, duke ju thënë se ishte një mjeshtër i izolimit, i manipulimit me frikën dhe paranojën e të marrurit me emergjenca në dukje të përhershme.

Ne nuk duhet ta lëmë kurrsesi peng të kësaj mendësie reflektimin tonë për të ardhmen. Nuk është çështje vitesh më të lehta apo më të vështira, po ka të bëjë me qeverisje të përgjegjshme apo të papërgjegjshme.

Mënyra se si vendet e vogla e të mëdha i formësojnë këto përgjegjësi në të ardhmen, se si ato veprojnë apo nuk ia dalin të veprojnë sëbashku përballë paqartësisë, do ta përcaktojë se cila do të jetë trashëgimia e tyre për brezat e ardhshëm, jo e vendi apo një tjetri, por mes brezave të ardhshëm të njerëzimit dhe nëse vetë njerëzimi do të jetë në lartësinë e sfidave.

Ajo çka bëjmë tani e se si japim e marrim me njëri-tjetrin, do të përcaktojë qoftë në vitin e ardhshëm apo në vitet që do të vijnë, nëse ato do të jenë më të lehta apo më të vështira, më të mira apo më të këqija. Veprimet tona tanimë vendosin, jo vetëm çfarë ndodh me vendin tim, por edhe me të gjitha vendet tuaja, me të gjithë ne së bashku, si qytetarë të vendeve të ndryshme që të gjithë përfaqësojmë këtu, por edhe më e rëndësishme, si qytetarë të botës që kemi përgjegjësinë ta bëjmë një vend më të mirë.

Jemi këtu të kremtojmë dhe urimi im për Vitin e Ri është që njësoj siç festojmë këtu thjesht si njerëz, të bashkëpunojmë edhe më tej, në radhë të parë si njerëz”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH