Politikë

Rama në bashkitë e Elbasanit, i premton ‘detyrë të rëndësishme’ kryebashkiakut që nuk u kandidua më 14 maj

Shkruar nga Liberale
Rama në bashkitë e Elbasanit, i premton ‘detyrë të

Krye-socialisti Edi Rama ditën e sotme është ndalur në qarkun e Elbasanit dhe ka zhvilluar takime me qytetarët në Belsh, Cërrik e Librazhd në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit.

Teksa ishte në Belsh dhe kandidatin për kryebashkiak Arif Tafanin, Rama tha se kjo zonë është kthyer në një destinacion turistik, ndërsa në kohën e Partisë Demokratike, liqeni ishte thjesht një grumbull plehrash dhe shkurresh. Rama tha se që kur e ka vizituar për herë të parë këtë zonë, ka qenë i bindur se do ta zhvillojnë, e ndërsa sot theksoi se pret 150 mijë vizitorë në vit. Kreu i qeverisë tha se Belshi tashmë është vetëm 20 minuta larg nga Elbasani, krahasuar me 1 orë e 30 minuta që ka qenë më parë. “Nëse sot ne jemi në një situatë ku brenda një viti këtu vijnë 150 mijë vizitorë dhe turistë, atëherë kjo që s’bëhej fjalë për turistë e vizitorë, por edhe kush jetonte këtu e kishte mendjen të ikte”, tha Rama.

Ndërkohë, nga Cërriku Rama prezantoi kandidatin Andi Salla, për të cilin thotë se ka punuar shumë për t’i ndryshuar faqen bashkisë. Kryeministri shtoi se Cërriku nuk ka ndryshuar në të gjithë historikun e vet, sa ka ndryshuar këto 4 vite.

“Kundërshtarët të gjitha kanë një karakteristike, vijë nga e shkuara, nuk kanë bërë asgjë nga e shkuara dhe vijnë jo për të bërë punë, por për të marrë peng bashkitë për interesa personalë. I them atyre të djathtëve, kur votoni për kryetarin e bashkisë, votoni për atë që i rri punës kokë dhe e mban vendin e pastër. Vota duhet që kur të vijnë gocat natën në shpi, mos kenë frikë se i ha ujku rrugëve, se s’ka llampa. Kush do i ndërrojë poçat, këta që i janë fikur poçat më kohë. Andi është “shalqi me provë”, dhe këtë e thotë kryekali i Tironës”, tha Rama.

Sa i takon Berishës dhe Metës, Rama thotë se i duan bashkitë për t’i kthyer në kështjella në luftën politike me qeverinë.

Rama u ndal edhe në Librazhd në kuadër të takimeve që po zhvillon në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit. Rama prezantoi kandidatin e PS, Mariglen Disha, ndërsa vlerësoi punën që ka dhënë për tre vite radhazi Kastriot Gurra, për të cilin thotë se transformoi të gjithë bashkinë. Gurra nuk është rikandiduar për mandatin e tretë në Librazhd, por Rama tha se ai do të ngrihet në detyrë në Tiranë, ndonëse nuk e bëri me dije postin që do të marrë.

Kastriot Gurra pas dy mandateve në Librazhd priste të rikandidonte për një mandat të tretë, por nuk u propozua nga PS. Kryeministri Rama, sot, si duket, për të minimizuar qejf-mbetjen e tij, e ftoi në takimin e prezantimit të Maringlen Dishës dhe i ka propozuar një post të rëndësishëm në Tiranë.

Pasdite Rama shkoi në Pogradec, për të prezantuar kandidatin e PS-së në këtë qytet.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH