Aktualitet

Rama në Akademinë e Shkencave: Gjinushi më shpëtoi nga alergjia

Shkruar nga Liberale
Rama në Akademinë e Shkencave: Gjinushi më shpëtoi nga

Kryeministri Edi Rama ishte sot në një aktivitet të organizuar në Akademinë e Shkencave, për të cilën tha se është shndërruar “në shtëpinë e vërtetë të mendjeve më të ndrita të Shqipërisë ku sot pranohen 17 personalitete të shquara si akademikë të jashtëm”.

Kreun e kësaj Akademie, Skënder Gjinushin, Rama e ka quajtur “profesori i çliruar nga zinxhirët e politikës”, ndërsa e vlerësoi punën për reformimin e këtij institucioni të rëndësishëm.

Sipas Ramës, sot Akademia e Shkencave është ende larg asaj që duhet të jetë, por është në shinat e një institiucioni të zakonshëm.

“Kostumi i politikës herë të shtrëngonte, herë të zhubroste. Të jam mirënjohës për faktin se në një kohë të shkurtër arrite të më shpëtosh edhe mua nga alergjia për Akademinë e Shkencave. Ndihem mirë që sot rikthehem në sallën e të paharrueshmit Aleks Buda pa sfidën që të përcjell fjalë që i përvishen thelbit dhe në as pretkat e një rrufjani. Më lejoni të kujtoj këtu se Rexhep Qosja në një moment frymëzues që nuk velitet diku ka shkruar se vetëm budallenjve nuk i dhemb asgjë. Dua të më besoni se edhe mua më ka dhembur shumë gjendja në të cilën e kam gjetur Akademinë e Shkencave kur e kam marrë këtë detyrë.

Reforma e vitit 2019 bëmë që të ndodhemi në një kapërcim real mes dy epokash. Nuk nënkuptoj që kemi kaluar në anën tjetër. Po ta fotografojmë këtë çast shkëputje jemi mes një hapi të shqitur përfundimisht nga bataku dhe një këmbe që është duke prekur një breg të sigurt. Jam i kënaqur që nëse do rikthehesha në kohë sot nuk do e gjeja më aktual një konstatim të bërë në vitin 2017 para se të merrte udhë procesi i reformës për një inerci kalbëzimi të vazhdueshëm.

Akademia e Shkencave nuk është ende aty ku duhet të jetë por sot është një institucion i zakonshëm i cili më në fund nuk shquhet për keq. Të jesh i zakonshëm është më shumë më mirë se të jesh i padëshiruar si të qenit i pari nga fundi. Më në fund Akademia e Shkencave nuk është një karabina, siç ndodhi nga reforma famëkeqe e vitit 2008, kur për akademinë mbetën vetëm 5 kompetenca honorifike. Ligji i ri, produkt i një pune të përbashkët ku merita i takon kësaj skuadre akademikësh dhe profesorit të çliruar nga zinxhirët e politikës.

Nuk kemi më një institucion, qëllim i të cilës u katandis ndarja e dietave me çanta. Nuk kemi më një institucion me ribotime të viteve 70-80 apo përkthime të padenja nga të huajt që më pas shpërndaheshin në treg si studime shqiptare për të ushqyer një grup të ngushtë individësh. Fjalori, enciklopedia dhe historia janë gati të bëhen. Nuk janë mjaft, por janë shenja domethënëse jete si dhe gjurmë të tjera, më në fund në një hapësirë që ka pasur si qendër graviteti këtë institucion. Ka gjurmë që rrisin bashkëveprimin mes akademisë dhe qeverisë duke rritur edhe mbështetjen financiare të qeverisë për akademinë”, tha Rama.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH