Aktualitet

Rama mbledh të mërkurën Asamblenë e Partisë Socialiste, zbulohet arsyeja

Shkruar nga Liberale
Rama mbledh të mërkurën Asamblenë e Partisë Socialiste,

Kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë Asamblenë e Partisë Socialiste të mërkurën pasdite, në orën 17:30.

Fokusi i kësaj mbledhjeje mes selisë rozë do të jetë tek ndarja e detyrave dhe e përgjegjësive për kryebashkiakët e rinj dhe drejtuesit e qarqeve. Burime bëjnë me dije se do të ketë një ritheksim nga kryesocialisti se PS nuk do të jetë mburojë e askujt që përballet me drejtësinë.

Këto zhvillime vijnë pasi ish-numri dy i qeverisë, Arben Ahmetaj po përballet me drejtësinë dhe aktualisht është në kërkim ndërkombëtar. Përpos tij, në dosjen voluminoze të hetuar nga SPAK ka edhe një sërë eksponentësh politikë. Mazhoranca e sheh këtë si sukses të reformës në drejtësi ndërsa shpesh në retorikën e tyre thuhet se përgjegjësia është personale.

Nga ana tjetër, një tjetër bashki i është bashkëngjitur hartës së ngjyrosur rozë. Kandidati për Rrogozhinën ka fituar për të dytën herë përballë Shkëlqim Hoxhës së ‘BF-së’.

Surpriza e këtyre zgjedhjeve që u mbajtën për herë të dytë ishte diferenca e thellë e Memollës i cili tha se ka ardhur koha të përvishen mëngët dhe të transformohet Rrogozhina në një qytet elitar.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH