Aktualitet

Rama konfirmon kushtin e Macron për vizat dhe arsyeja pse u ulën me Kurtin të ndarë në stadium, gjatë ndeshjes Shqipëri-Çeki

Shkruar nga Liberale
Rama konfirmon kushtin e Macron për vizat dhe arsyeja pse u ulën me

Për kryeministrin Edi Rama, në deklaratat e presidentit francez Emmanuel Macron të bëra në Tiranë për pezullimin e vendimit për vizat për Kosovën, nuk ka asnjë ekuivok.

Gjatë një interviste në emisionin opinion në Tv Klan ai theksoi se deklarata ishte e drejtpërdrejtë dhe një mesazh që Kosova duhet ta marrë ashtu siç duhet.

“Duke diskutuar më tha që unë nuk jam i gatshëm që të hap rrugë nëse ata në Prishtinë, nuk do t’i hapin rrugë dakordësisë mbi planin franko-gjerman. (Me nuk do t’i hap rrugë) kishte parasysh vizat”.

Duke kërkuar edhe një herë që faktori ndërkombëtar të dënojë sjelljet e Serbisë, sa i përket sulmit në Banjskë, Rama theksoi se Kosova duhet të kapë momentin dhe të pranojë planin franko-gjerman.

“Kosova duhet ta bëjë uniliteralisht pjesën e vet, as të mos pyesë fare e bën apo s’e bën Serbia. Kjo fjala unë jam gati të firmos, duhet shoqëruar me akte të pa lidhura me Serbisë. Je gati të firmosësh, firmos”.

I pyetur se pse ai dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti u ulën të ndarë në stadium, kur u zhvillua ndeshja Shqipëri-Çeki, Rama e cilësoi çështje protokolli.

“Në boksin e veçantë ishte jo vetëm Albini, por ishte dhe një pjesë e anëtarëve të qeverisë së Kosovës, dhe zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe një pjesë tjetër”.

Marrëdhëniet me Vuçiç i konsideroi te drejtpërdrejta, duke theksuar se në raporte të tilla interesat vijnë të parat dhe miqësia e dyta.

“Paqja nuk bëhet me shokët, paqja bëhet me armikun. Ky është Ballkan dhe Shqipëria duhet të jetë Europa e Ballkanit, jo një nga 6 copat e Ballkanit”.

Samitin e Procesit të Berlinit që u mbajt në Tiranë e cilësoi si historik për Shqipërinë.

“Është historike Blendi që në Shqipëri të shpërngulet gjithë lidershipi i Europës”.

Për çështjen Beleri theksoi se gjatë samitit pati dhe një takim bilateral me homologun e tij grek, ku sërish mbajti të njëjtin qëndrim si dhe më parë se është një çështje e drejtësisë.

“Patëm një takim biletaral, e njëjta përgjigje që kam edhe në publik dhe që s’kam përgjigje tjetër”.

Për Arben Ahmetajn nuk pranoi të komentoi gjatë, por edhe njëherë i interpretoi akuzat ndaj tij si një arritje për reformën e drejtësisë.

-Ku është zv.kryeministri juaj?

Edi Rama: Ish!

-Ish-zv.kryeministri juaj. Keni dijeni se ku ndodhet?

Edi Rama: Fare!

-Kur keni komunikuar për herë të fundit me të?

Edi Rama: Shumë kohë përpara.

Por nëse ai mban përgjegjësi morale dhe politike që një pjesë e konsiderueshme zyrtarësh socialistë kanë përfunduar në organet e drejtësisë ai iu përgjigj: “Përgjegjësi politike, se morale s’kam fare unë”

Sa i përket konfliktit në lindjen e mesme ai tha se palestinezët janë pengje të Hamasit dhe të politikës së lidershipit të tyre politik, ndërsa theksoi se shpërthimi në spitalin e Gazas duhet të hetohet dhe përgjegjësit duhet të dënohen.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH