Kryesore

Rama ka lexuar vetëm një libër: “Manualin e Diktatorit” 

               Publikuar në : 10:00 - 13/06/19 Klementin Mile

Klementin Mile

Në librin e tyre të famshëm, “Manuali i Diktatorit”, politologët amerikanë Brus Bueno de Meskita dhe Alester Smith, prezantojnë 5 rregulla që liderët mund t’i përdorin për të mbijetuar politikisht në çdo sistem. Pra këto rregulla vlejnë edhe për autokracitë, edhe për demokracitë, edhe për regjimet hibride. Fundja, prirjet diktatoriale mund t’i gjesh në të gjitha regjimet, pavarësisht se në disa prej tyre ato ndeshen me rezistencë institucionale më të madhe.

Kryeministri ynë, Rama, mesa duket vetëm këtë libër ka lexuar. Po të vëzhgosh sistematikisht politikëbërjen e tij, ky konkluzion bëhet i pashmangshëm. Por, para se të shkojmë te vëzhgimi, duhet të theksojmë dy aksioma, të cilat janë të domosdoshme për të kuptuar politikën e Ramës. Kjo e fundit, përkundër veshjes me terma tërheqëse, nuk është as përtej së majtës dhe së djathtës, as politikë e re, as bashkëqeverisje me qytetarët, as rilindje.

Aksioma e parë thotë: “Është më i rrezikshëm ai njeri që ka lexuar vetëm një libër, sesa ai që nuk ka lexuar fare”. Njeriu në këtë mënyrë bëhet jo vetëm dogmatik epistemologjik, por edhe dogmatik moral. Ai nuk mendon vetëm se di gjithçka që i duhet të dijë, por edhe se ka tërësisht të drejtë me veprimet që kryen. Te njeriu që ka lexuar vetëm një libër, arroganca e dijes i përkon arrogancës morale.

Aksioma e dytë thotë: “Sjellja e keqe është thuajse gjithmonë politikë e mirë”. Duke u sjellë keq, duke bërë politika të këqija, duke mos u kujdesur për interesin publik, shumë diktatorë ia kanë dalë ta mbajnë pushtetin për një kohë të gjatë. Arsyetimi politik i Ramës, pa dyshim, merr këtë aksiomë si premisë. Gjithçka tjetër është rrjedhojë logjike e deduksionit.

Por le të bëhemi më konkretë. Te “Manuali i Diktatorit” autorët shkruajnë se, nga këndvështrimi i liderit, peizazhi politik ndahet në tri grupe njerëzish: selektorati nominal, selektorati real dhe koalicioni fitues. Selektorati nominal përfshin çdo person që ka të drejtë ligjore për të zgjedhur liderin. Për shembull, në demokraci, këtu hyjnë të gjithë personat me të drejtë vote. Këta emërtohen të ndërkëmbyeshmit. Selektorati real përfshin të gjithë ata që e zgjedhin vërtet liderin. Në demokraci, këtu bëjnë pjesë ata persona që kanë votuar për partinë e mazhorancës. Këta quhen influencuesit. Koalicioni fitues përfshin njerëz, mbështetja e të cilëve është esenciale për mbijetesën politike të liderit. Në demokraci, kjo do të thotë se disa mbështetës të mazhorancës janë më të rëndësishëm se të tjerët, pasi prej tyre lideri vjen dhe mbetet në pushtet. Këta quhen esencialët.

Siç do ta shohim, Rama është lexuesi ideal i “Manualit të Diktatorit”. Ai jo vetëm i ndan njerëzit në tri grupe, ku të ndërkëmbyeshmit janë “shqiptarët me të drejtë vote”, influencuesit janë “socialistët” dhe esencialët janë “rilindësit”, por edhe i zbaton përpikërisht rregullat e “Manualit”.

Rregulli 1: Mbaje sa më të vogël të jetë e mundur koalicionin fitues. Një koalicion i vogël i mundëson liderit të mbështetet në shumë pak njerëz për ta mbajtur pushtetin. Sa më pak esencialë të jenë, aq më shumë kontroll dhe diskrecion ka lideri mbi shpenzimet. A nuk ka qenë esenciale për Ramën mbështetja e rilindësve, e këtij sekti të vogël brenda selektoratit socialist? Tash së fundmi, në përpjekje për ta bërë edhe më të vogël koalicionin fitues të tij, Rama duket se i ka reduktuar edhe rilindësit në influencues, duke i barazuar me socialistët e tjerë, duke mbajtur si esencialë vetëm një grusht oligarkësh e duke promovuar si të tillë edhe disa mafiozë. Në këtë pikë, Rama i ngjan Kim Jong Unit të Koresë së Veriut.

Rregulli 2: Mbaje sa më të madh të jetë e mundur selektoratin nominal. Sa më shumë të ndërkëmbyeshëm të kesh, aq më lehtë mund t’i zëvendësosh problematikët nga radhët e influencuesve dhe esencialëve. A nuk po përgatitet Rama për këtë gjë, kur promovoi si ministra dy qytetarë të Kosovës si Cakaj dhe Shahini? A nuk po mendon ai për votën e kosovarëve, pra të atyre që mund t’u jepet dyshtetësia? Në këtë pikë, Rama i ngjan Leninit që e zgjeroi të drejtën e votës në Rusinë e atëhershme.

Rregulli 3: Kontrollo rrjedhën e të ardhurave. Është gjithmonë më mirë për sundimtarin të përcaktojë kush ha, sesa të ketë një tortë më të madhe nga e cila njerëzit të ushqehen vetë. Kështu lideri i bën shumë njerëz të varfër dhe i rishpërndan të ardhurat për t’i mbajtur të përzgjedhurit e tij (esencialët) të pasur. A nuk ka bërë këtë gjë Rama duke mos pasur asnjë strategji konkrete për ekonominë dhe duke i rishpërndarë të ardhurat e buxhetit të shtetit tek oligarkët? Në këtë pikë, Rama ngjan me presidentin pakistanez Asif Ali Zardari, i cili ka një pasuri prej 4 miliardë dollarësh, edhe pse vendi i tij është nga më të varfrit në botë.

Rregulli 4: Paguaji mbështetësit kryesorë aq sa nevojitet për t’i mbajtur besnikë. A nuk është e vërtetë që qeveria Rama nuk përfaqëson asnjë vlerë dhe interes të socialistëve, përpos interesave të oligarkëve dhe mafiozëve që janë esencialë për qëndrimin në pushtet të tij? Në këtë pikë, Rama ngjan me Robert Mugaben e Zimbabvesë, i cili, kurdo që përballej me rrezikun e ndonjë grushti ushtarak, arrinte gjithmonë ta paguante ushtrinë, duke e mbajtur besnike.

Rregulli 5: Mos nxirr para nga xhepat e mbështetësve të tu për të përmirësuar jetët e njerëzve. Po të jesh i mirë me njerëzit, në kurriz të koalicionit tënd, nuk do të zgjasë shumë dhe “miqtë” e tu do të të godasin. A nuk e ka aplikuar me përpikëri Rama këtë rregull të artë të mbijetesës politike? Cilin oligark dhe mbështetës esencial e ka taksuar ai dhe kur ndonjëherë janë përdorur paratë për të mira publike? Ofrimi i të mirave private për një grup të vogël njerëzish të privilegjuar ka qenë dhe mbetet normative për qeverinë. Në këtë pikë, Rama i ngjan gjeneralit Tan Shue të Mianmarit, i cili, pas katastrofës që solli cikloni Nargis në 2008-n, ua dha ndihmat mbështetësve ushtarakë të tij për t’i shitur në tregun e zi, në vend që t’ua shpërndante njerëzve, 500 mijë prej të cilëve vdiqën gjatë katastrofës./ Gazeta Liberale

 

Etiketa:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *